Këshilltarët e opozitës në bashkinë e Tiranës kërkuan që në mbledhjen e sotme të këshillit, e para që pas arrestimit të Erion Veliajt, të futet në rendin e ditës edhe mocioni me debat shkarkimi nga detyra të kryebashkiakët.
Në një deklaratë nga selia e PD-së, këshilltarët thanë se kryetarja e këshillit Romina Kuko, duhet të ndryshojë rendin e mbledhjes së sotme, dhe të pranojë kërkesën për mocion, si dhe ngritjen e një komisioni për transparencën e veprimeve financiare të bashkisë.
Në deklaratë, këshilltarët thanë se kryeministri Edi Rama duhet të shkarkojë Veliajn dhe t’i hapë rrugën procedurave ligjore për zgjedhje të reja në bashki, ku pas arrestimit të Veliajt është komanduar në detyrë, zv.kryetarja Anuela Ristani.
“Jemi sot në një situatë ku bashkia e Tiranës e ka kryebashkiakun në burgun e Durrësit prej datës 10 shkurt dhe Këshilli Bashkiak ka sot një mbledhje rutinë, jo me urgjencën e nevojitur të rastit, ku ne kemi bërë kërkesat tona të qarta për ndryshimet e rendit të ditës në pikat e mëposhtme. E dimë shumë mirë dhe është fakt që Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit vetëm për një pjesë të dëmeve që i ka shkaktuar qytetarëve të Tiranës dhe ne kemi kërkuar shkarkimin nga detyra të tij.
Kërkojmë që Rama të zbatojë ligjin, të shkarkojë menjëherë Veliajn duke ju hapur rrugë procedurave ligjore dhe jo ta qajë atë natën, e t’i marrë vendin ditën’, tha ndër të tjera, Ilir Alimehmeti.
Rendi i ditës në Këshillin Bashkiak të Tiranës
1. Projektvendim “Për dhënien e mandatit të anëtarit të Këshillit Bashkiak, zj.Keda Kaceli”.
2. Projektvendim “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 përqind, nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i bashkisë Tiranë, për periudhën 1-31 dhjetor, 2024”.
3. Projektvendim “Për miratimin e kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për përdorimin e fondit të kushtëzuar ose fondit të buxhetit vendor, mbi programin e bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 përqind për vitin 2025”.
4. Projektvendim “Për trajtimin me subvencionin e qirasë të disa familjeve në nevojë, që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”.
5. Projektvendim “Për miratimin e bonusit të qirasë të individëve/familjeve, pasuritë e të cilëve preken nga zbatimi i projektit të segmentit rrugor “Unaza e madhe e Tiranës, Sheshi Shqiponja – Bulevardi i ri, Shkozë”.
6. Projektvendim “Për miratimin e bonusit të qirasë të individëve/familjeve, pasuritë e të cilëve preken nga zbatimi i projektit “Ndërtimi i aksit rrugor Thumanë-Vorë-Kashar”.
7. Projektvendim “Për miratimin e listës së përfituesve nga programi social i strehimit “Banesa sociale me qira” të apartamenteve të përfituara nga kontributi i sektorit privat”.
8. Projektvendim “Për miratimin në parim të bashkëfinancimit të familjeve aplikuese të programit social “Përmirësimi i kushteve të banesave ekzistuese”.
9. Projektvendim “Për dhënien e ndihmës financiare për 11 (njëmbëdhjetë) familje që kanë pësuar dëme ndërtimore dhe në orendi/pajisje elektroshtëpiake si pasojë e zjarrit dhe përmbytjeve”.
10. Projektvendim “Për miratimin e planit të mbarështimit të ekonomisë pyjore “ZallHerr-Priskë”.
11. Projektvendim “Për krijimin e komisionit këshillimor për vlerësimin e emërtimeve të pjesëve të territorit publik (bulevard, rrugë, rrugicë, shesh, park)”, brenda territorit të Bashkisë Tiranë”.
12. Projektvendim “Për miratimin e kritereve dhe kushteve plotësuese që Agjencitë e Shërbimit Funeral duhet të plotësojnë për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral dhe/ose ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale, në lidhje me kapacitetet teknike dhe burimet njerëzore”.
13. Projektvendim “Për miratimin e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike”.
14. Projektvendim “Për miratimin e planit të aktiviteteve të Këshillit Bashkiak për periudhën mars- dhjetor 2025”.
Komente
