Kombëtarja shqiptare do të luajë sot në orën 18:30 një miqësore kundër Katarit, që është edhe vendi organizator i Botërorit. Sfida është caktuar të zhvillohet në Marbeja të Spanjës dhe ashtu si miqësorja me Arabinë nuk do transmetohet në asnjë television.
Edhe këtë herë trajneri Reja ka grumbulluar pothuajse të gjithë futbollistët nga Superliga shqiptare, ndërsa formacioni i mundshëm nis me Erlis Shalën në portë dhe vijon me Gurishtën, Jankun dhe Turkaj në mbrojtje. Nga krahët janë ideuar Hadroj dhe Hakaj, ndërsa në mesfushë Rrapaj, Ujka dhe Kallaku. Sakaq sulmi do përbahet nga Tedi Cara dhe Xhuliano Skuka, dy futbollistë të Partizanit.
“Ne nuk duhet ta shohim si ndeshje miqësore, por si një provë të vërtetë. Ta dimë se ku jemi sepse jemi lojtarë nga kategoria superiore. Shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv,”-u shpreh Sherif Kallaku, futbollist i kombëtares.
“Grumbullimi është diçka pozitive për të gjithë futbollistët e Superligës dhe shpresoj ti vlejë për më tepër në karrierën e tij,”-deklaroi Esin Hakaj, futbollist i kombëtares.
Në 16 dhe 19 nëntor Kombëtarja do ketë dy sfida të tjera miqësore në ‘Air Albania’ fillimisht kundër Italisë dhe më pas me Armeninë.