SPANJË - Në stadiumin "Lluís Companys" Barcelona vendase fitoi 4-3 me përmbysje kundër Real Madrid në El Clasico (java 35-të) dhe është me 'një dorë' te titulli numër 28-të kampion në La Liga. Barça do zbresë nga "froni" Real Madridin dhe me tre javë të mbetura deri në fund të sezonit, katalanasit mbeten në krye të La Ligas me shtatë pikë më shumë se Reali ndjekës, që humbi shansin për të rihapur garën. Katër El Clasico, katër fitore për Hansi Flick kundër Carlo Ancelottit këtë sezon.
NDESHJA - Në Barcelonë vendasit e panë veten në disavantazh të dy golave pas vetëm çerek ore lojë, me Kylian Mbappe që shënoi në minutat 5 (nga penalltia) dhe 14-të pas asistit të Vinicius.
Kur u duk se katalanasit ishin "fikur", duhej Eric Garcia në minutën e 19-të që fillimisht të shkurtonte për Barçën. Më pas Yamal në minutën e 32 barazoi gjithçka, para se kapiteni Raphinha me dopietë të shënonte për rezultatin 4-2 brenda pjesës së parë.
Real Madridi u shokua, por në minutën e 70-të Kylian Mbappe shënoi edhe golin e tretë për "Galaktikët", por që në fund nuk shërbeu. Për t'u theksuar se në limte të sfidës Barcelonës iu anulua një gol i shënuar nga Fermin Lopez.
Kështu, Barcelona mposht 4-3 Real Madridin në El Clasico dhe 'harron' eliminimin nga Interi në gjysmëfinalen e Champions League. Me 82 pikë pas javës së 35-të, Barça mbetet lidere në La Liga, ndjekur nga Real Madridi me 75 pikë dhe Atletico Madridi me 70 pikë.
Komente
