Në foto Nezar Seiti

Sot në ‘arrest shtëpie’, furtuna që ngrit në Shqipëri ekstradimi i Nezar Seitit drejt Italisë

23 Gusht 2018, 11:03| Përditesimi: 23 Gusht 2018, 16:29

  • Share

Tiranë- Ekstradimi i Nazer Seitit më 25 janar 2018, njeriut të vetëm të arrestuar në Shqipëri si pjesë e bandës së Habilajve të përgjuar nga prokuroria e Katanias, shkaktoi jo pak bujë në vendin tonë e solli përplasje edhe mes vetë institucioneve.

Pikëpyetjet që shoqëruan ekstradimin kishin të bënin me masën e sigurisë ‘arrest me burg’ që kishte ndaj Seitit në kuadër të hetimeve të çelura në vendin tonë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas dyshimeve se është përfshirë në grup të strukturuar kriminal.

Sipas ligjit shqiptar, një person nuk mund të ekstradohet nëse nuk përfundon hetimi dhe gjykimi në vendin e tij. Pavarësisht kësaj, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj hodhi firmën që lejonte ekstradimin. Por pavarësisht kësaj, as drejtori dhe juristi i burgut 313 nuk duhet të kishin lejuar ikjen e Seitit.

Komisariati i Rinasit gjithashtu duhet të bënte verifikime pse emri i këtij personi dilte në sistem me kartelë të kuqe. Për gjithçka ndodhi askush prej institucioneve nuk mbajti përgjegjësi.

Në reagimin e saj, ministria e Drejtësisë shprehej se ishte njoftuar nga Prokuroria e Përgjithshme se nuk kishte asnjë ndalesë ligjore për ekstradimin e Seitit. Por ndaj Seitit kishte një masë sigurimi arrest me burg nga gjykata e shkallës së parë dhe e Apelit të Krimeve të Rënda, të marra përpara se gjykata e Tiranës të shprehej me vendim për ekstradimin.

Zyra e shtypit e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku njoftoi një ditë pas ekstradimit se do të nisin verifikimet mbi procedurat e ndjekura për ekstradimin e Seitit.

Verifikimi i prokurorisë do zbriste tek ministria e Drejtësisë si dhe tek institucionet në varësi të saj, drejtoria e Burgjeve dhe Paraburgimi 313. Sepse edhe juristët e këtyre institucioneve kanë lejuar daljen nga qelitë e paraburgimit të një personi që ndodhej me masë ndaluese në fuqi. Deri më tani nuk është gjetur përgjegjësi dhe askush nuk ka një përgjigje për të gjitha pikëpyetjet e ngritura.

Kujtojmë që ekstradimi i Seitit u bë në ditën kur u vendos zgjatja me 3 muaj të tjerë i afatit të hetimit ndaj tij dhe ish-ministrit Saimir Tahiri. Nazer Seiti konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të Moisi Habilajt. Ai u arrestua në Babicë të Vlorës më 19 tetor 2017 gjatë një operacioni antidrogë u u sekuestruan 4 ton kanabis. Përgjatë 4 muajve të qëndrimit në paraburgim Seiti kyçi gojën. Të njejtën taktikë zgjodhi edhe në Katania.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?