Bruksel/ Zhvillohet takimi i radhës në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë

27 Gusht 2020, 11:12| Përditesimi: 27 Gusht 2020, 16:24

  • Share

Ka nisur në Bruksel takimi i rradhës në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë, ku po diskutohet për çështjet e bashkëpunimit ekonomik.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka postuar në Twitter disa fotografi të takimit me përfaqësuesit e dy shteteve në nivelin e ekspertëve, Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq. Diplomati sllovak ka shkruar se para takimit se është takuar me koordinatorët e Kosovës dhe Serbisë për të përfunduar çështjet që janë diskutuar në takimet e fundit

“Para takimit të nivelit të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës që do të mbahet në fillim të shtatorit, u takova sërish me negociatorët/koordinatorët në Bruksel për të punuar në përfundimin e çështjeve që janë diskutuar gjatë takimeve të fundit”, ka shkruar Lajçak.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha dje se “Diskutimet janë pjesë e marrëveshjes finale për njohje reciproke mes dy vendeve”, gjë e cila është hedhur disa herë poshtë nga Beogradi zyrtar

Bisedimet në Bruksel mbahen një javë para zhvillimit të takimit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet kryeministrit Hoti dhe Presidentit serb Vuçiç, të ndërmjetësuara nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Zyrtarë amerikanë më parë kanë theksuar se takimi në Shtëpinë e Bardhë do të përqendrohet në çështjet ekonomike ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa çështjet politike do të jenë në duart e europianëve.

Dje presidenti Vuçiç deklaroi për televizionin shtetëror se presidenti Trump mund të jetë prezent në takimin e 4 shtatorit dhe se do të jetë një natë e furishme dhe e vështirë në Washington

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian ku diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës dhe zhvillimin ekonomik.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?