Tiranë - Seanca paraprake për dosjen “Meta”, me të pandehur ish-presidentin, Monika Kryemadhin, nënën e kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun është shtyrë sërish këtë të enjte. Shkak u bë mungesa e gjykatësve, pas vendimit të bojkotimit të gjithë seancave gjyqësore pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja teksa ishte në krye të detyrës.
Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Metës, Kujtim Cakrani, për arsye shëndetësore.
Gjyqtarja e çështjes është Irena Gjoka, e cila pritet që në një seancë tjetër në ditët në vazhdim të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.
Ankimi i Metës erdhi pas vendimit të fundit të Apelit të Posaçëm Antikorrupsion që la të pandryshuar masën.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje. Më 8 shtator, Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e Metës për lirim nga burgu, duke lënë në fuqi vendimin e 13 gushtit nga Shkalla e Parë, e cila argumentoi se nuk mund të lirohej për shkak se mund të prishte provat dhe të intimidonte dëshmitarët. Edhe me 19 shtator, pasi paraqiti tjetër kërkesë, GJKKO nuk e ndryshoi masën ndaj tij. Ish-Presidenti ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë, dhe kërkesa do të shqyrtohet më 9 tetor.
Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.
Komente
