Sot në Kuvend, koncesionet për Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat

18 Korrik 2019, 07:43| Përditesimi: 18 Korrik 2019, 09:24

  • Share

Sot është parashikuar të diskutohen në Kuvend dy kontratat koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Nga ana tjetër, gjithnjë në fushën e koncesioneve, parashikohet të diskutohet edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar. Sipas këtij drafti të fundit, parashikohet ndalimi i pranimit të ofertave të pakërkuara për koncesionet, një praktikë që deri tani është ndjekur dhjetëra herë, edhe nga qeveritë e mëparshme. Kjo është kërkuar me forcë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi ai kufizonte konkurrencën, por drafti i miratuar në Komisionet Parlamentare që në shkurt ishte lënë pezull dhe dukej sikur nuk do të kalonte këtë sesion parlamentar.

Ndërkohë, dy kontratat e sipërpërmendura do të miratohen megjithëse janë projekte me ofertë të pakërkuar, por ligji nuk ka efekt prapaveprues.

Milot-Balldren

Kontrata e parë është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren. Kjo kontratë ngjalli debate të mëdha për koston e lartë të saj, 256 milionë euro me TVSh, por ministria ka sqaruar se nuk është fjala vetëm për ndërtimin, por në kosto përfshihet edhe mirëmbajtja për shumë vjet.

Sipas dokumentave të tenderit, kompania ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 kilometër të gjatë nga Miloti në Balldren me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet.

Milot-Balldren është vepra e tretë e paketës 1 miliard euro, e lindur si një koncesion i pakërkuar, pra jo si projekt i qeverisë, por i propozuar nga vetë kompania ANK. Edhe këtë radhë, ashtu si në dy herët e mëparshme, tenderi është fituar nga kompania që ka bërë ofertën e pakërkuar të koncesionit.

Më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte shprehur publikisht shqetësimet se këto koncesione kufizojnë konkurrencën duke paracaktuar fituesit.

Orikum-Dukat

Kontrata tjetër është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k. për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)””. Ky projekt parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total, kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milionë Euro.

Në këtë shumë përfshihet edhe mirëmbajtja e rrugës, e cila e do të ketë gjerësi 7 metra, me dy korsi. Së bashku me bankinën, gjerësia e seksionit të rrugës arrin në 10 metra. Megjithatë, kjo rrugë nuk do të përfshihet në asnjë nga kategoritë kryesore të rrugëve. Por Ministria e Infrastrukturës ka thënë se shpejtësia e lëvizjes në të është projektuar mes 60-80 kilometra në orë.

Kontrata koncesionare për ndërtimin e kësaj rruge do të jetë e ngjashme me disa vepra të tjera. Për tre vitet e para, kompania Gjikuria do të shpenzojë 25% nga fondet e saj për ndërtimin e rrugës dhe më pas fillon shlyerja.

Investimet

Pas gati pesë vjetëve “frenim”, në buxhetin e vitit 2019 dhe në atë afatmesëm deri në vitin 2021 vihet re një kthim i vëmendjes drejt infrastrukturës rrugore. Për rrugët këtë vit dhe dy vitet e ardhshëm planifikohet të financohen 213 miliardë lekë fonde, ose 1.7 miliardë euro. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e lartë, por duhet të mbahet parasysh se vetëm 445 milionë euro do të financohen direkt nga shteti. Kurse 1.23 miliardë euro rrugë do të ndërtohen me financimin e kompanive koncesionare, ku shteti do të kontribuojë më pas në një masë të caktuar. 

Në periudhën afatmesme 2019-2021 synohet përfundimi i pesë akseve rrugore nacionale: Rruga e Arbrit, Thumanë–Vorë–Kashar, Kashar–Rrogozhinë; Milot–Balldren; Orikum–Dukat, nëpërmjet partneritetit publik-privat, në kuadër të programit “1 Miliard” të rrugëve.

Nga ana tjetër, do të vijojë financimi për akset rrugore Kardhiq–Delvinë, lotet 4,5,6,7 e 8; Fushë Krujë-Milot-Morinë; Qafë Thanë-Lin-Pogradec; Unaza Verilindore e Tiranës; Unaza E Tiranës, Pallati me Shigjeta Rrethrrotullimi Shqiponja; Rikualifikimi i Akseve Rrugore, Unaza Lindore Loti 2 Dhe Loti 3; By Pass Tepelenë e By Pass Shkodër, tuneli në Kardhiq-Delvinë.

Edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me fondet e veta prej 200 milionë eurosh, në këto tre vite do të vijojë projekte të tilla si Qafë Plloçë-Pogradec, Harku i Bërdicës-Velipojë, bregdeti Vlorë, Durrës, qendra Fier, etj.   

Ndërkohë, do të përdoren fonde për rritje të sigurisë rrugore në të gjitha akset kombëtare ku synohet ulja e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 23%, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit.

Një fond i veçantë do të shkojë edhe në dispozicion të studimeve dhe projekteve për rrugët, ku spikat studimi për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, një studim i zgjeruar për shumë nga urat kryesore aktuale, akse në Skrapar-Gramsh, Gjirokastër-Zagori, lotin e fundit verior të Unazës së Madhe të Tiranës, etj.

Veriu

Sipas dokumentave të tenderit, kompania koncesionare ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 km të gjatë nga Miloti në Balldren me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet

Jugu

Për tre vitet e para, kompania Gjikuria do të shpenzojë 25% nga fondet e saj për ndërtimin e rrugës nga Orikumi deri në Dukat dhe më pas fillon shlyerja. Kjo mund të pasohet më vonë me një tunel nën Llogara

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • redi: 18/07/2019 14:22

    PPP turpi dhe skandali i qeveruse Rama dhe jo se pi ndertihen ato vepra por kosto super e larte qe rendin ne xhepat e shqiptareve. Pse nuk i anyllu kncensionet perpara Rama ? Ai po luan hipokritin duke miratuar dy vepra me koncension te pa kerkuar dhe po te njejten dite mbyll koncensionet e oa kerkuara. More votat por mbro populln nga korrupsioni shteteror. PPP kancer i eknomise shqiptarepasi borxhi do shlyhet ne te ardhmen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?