Dialog politik dhe bashkëpunim, ka qenë porosia e Presidentit Bajram Begaj për 140 deputetët, në një mesazh dërguar në nisje të sesionit të ri parlamentar.
“Me fillimin e një viti të ri dhe rinisjen e punimeve të Kuvendit, uroj të nisë një periudhë e re bashkëpunimi e dialogu në shërbim të shqiptarëve në vend, në Diasporë dhe në rajon. Shqipëria ka hedhur tashmë hapa vendimtarë drejt integrimit evropian. Viti që lamë pas shënoi një moment historik për rrugëtimin e saj: çeljen e negociatave teknike me Bashkimin Evropian. Kuvendi i Shqipërisë ka rol të rëndësishëm për realizimin e këtij objektivi madhor. Ai duhet të kontribuojë në thellimin e reformave”, tha Begaj.
Sesioni do të jetë i fundit i kësaj legjislature, në pritje të zgjedhjeve të 11 majit, që do të zgjedhin 140 ligjvënësit e rinj. Kjo për kreun e shteti është një mundësi që politika të tregojë maturi për t’i dhënë vendit proces të drejtë e demokratik, ndërsa nuk e kurseu një falënderim për realizimin e votës së diasporës.
“Shpreh besimin se i kemi të gjitha mundësitë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me ligjin dhe sipas standardeve të OSBE-ODIHR-it. Ky nuk është opsion, është detyrimi që ka klasa politike ndaj shqiptarëve. Cilësia e zgjedhjeve duhet të tejkalojë çdo ndasi e të mbizotërojë mbi çdo interes partiak. Ky objektiv duhet të jetë i përbashkët dhe i panegociueshëm”, shtoi Presidenti.
Për sesionin e ri parlamentar dhe fushatën në sfond, Presidenti Begaj priti në zyrë javën e shkuar edhe Kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe kryeministrin Rama.