“Mandati nuk është një dekoratë por një përgjegjësi për të qenë i vlefshëm dhe i dobishëm çdo ditë”. Pasi një ditë më parë morën leksionin e parë nga kryeministri Rama në ambientet e kryeministrisë, këtë të premte deputetët e rinj, që do të ulen në parlament për herë të parë iu drejtuan selisë rozë.
Akademia politike e PS nisi zyrtarisht punën me një nga deputetët më me përvojë në radhët e socialistëve, Fatmir Xhafajn. Trajnimi 90-minutësh i Xhafajt për gjeneratën e re kishte të bënte me ”Rolin e Deputetit dhe Etikën e Përfaqësimit në Parlament”.
Për mediat, Xhafaj u tregua modest, duke mos e konsideruar akademinë politike si një shkollë, por si një shkëmbim eksperiencash mes kolegësh.
“Nuk do të bëj mësim, nuk janë nxënës por kolegët të mi dhe siç ndodh në çdo punë tjetër, dikush që ka një eksperiencë mundohet t’ua transmetojë kolegëve. Kënaqësi që të takoj kolegët e mi që do të ndaj 4 vite në seanca parlamentare", tha Fatmir Xhafaj.
Entuziaste para nisjes së Akademisë u dukën edhe deputetet më të reja të PS.
“Është akademi dhe kënaqësi që do të marr pjesë”, tha Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si Neomalësorja.
"Akademia verore do na shërbejë, duke qenë se ne kemi eksperienca në sektorin privat apo publik, po nuk kemi një eksperiencë në parlament. Duhen nga senatorët e PS-së të marrim më të mirën nga ata.", u shreh për mediat Sara Mila.
Dy lektorët e tjerë për të rinjtë e grupit, ishin Niko Peleshi dhe Erion Braçe. Njëri do të trajnojë deputetët për rolin e kryetarit të grupit, e tjetri, Braçe, si një deputet që ka spikatur me punën në terren, do t’i trajnojë ata për marrëdhëniet me elektoratin dhe zonat që përfaqësojnë. Akademia do të vijojë punën intensivisht çdo fundjavë me të tjerë lektorë deri më 20 korrik.
Akademia Politike e PS hapi dyert për deputetët e rinj. Lektori i parë ishte kryeministri Edi Rama, i cili mblodhi skuadrën e re në ambientet e COD në kryeministri, para festës dje për 34-vjetorin e PS.
Mesazhi i kreut të qeverisë për deputetët e rinj ishte se mandati nuk është një dekoratë por një përgjegjësi për të qenë i vlefshëm dhe i dobishëm për ata që i besuan përfaqësimin në Kuvend.
Komente
