Sot nisi viti i ri shkollor për 450 mijë nxënës, rreth 29 mijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës! Trafik i rënduar në Tiranë

12 Shtator 2022, 07:22| Përditesimi: 12 Shtator 2022, 16:38

  • Share

Sot nisi viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar. Rreth 29 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Që në orët e para të mëngjesit, ka trafik të rënduar në rrugët e Tiranës pasi të gjithë prindërit nxitojnë që të çojnë fëmijët në orar në shkollë. Këtë vit, janë futur në bankat e shkollës 450 mijë nxënës në total në të gjithë vendin. Duke bërë krahasim me një vit më parë, janë rreth 30 mijë më pak.

Risi e këtij viti është abetarja e përbashkët për nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë. Sfida e madhe është ruajtja dhe përforcimi i Gjuhës Shqipe, ndaj dy qeveritë kanë vendosur të sjellin abetare unifikuar për të gjitha trevat shqiptare që i kalon përmasat e aspektit arsimor, pasi do të ishte një arritje e të gjithë kombit shqiptar. 

Marrëveshja për një abetare të përbashkët Shqipëri-Kosovë, u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë, në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive. Dakordësia për të patur një abetare të unifikuar u arrit në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që u mbajt në Elbasan më 26 nëntor 2021.

Në duart e nxënësve të klasave të para nuk do të jetë vetëm abetarja e unifikua por edhe libri i lëndës së Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit. Me fillimin e vitit të ri shkollor nisi edhe zbatimi i kurikulës së kodimit në klasa të para, në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit që janë të pajisura me laborator të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Këtë vit shkollor për herë të parë do të ketë shkollë të mesme për nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë, në fushën e të nxënit Teknologji dhe TIK. Nxënësit që mbarojnë klasën e nëntë në këtë institut nuk do të qëndrojnë më në shtëpi, por do të kenë mundësi të vijojnë studimet dhe të fitojnë një profesion. Në Institutin e Fëmijëve që nuk Dëgjojnë janë hapur dy klasa të X-ta dhe te regjistrohen rreth 25 nxënës. Godina që do të shërbej si shkollë e mesme do të jetë po  e njëjta (pra ajo aktuale në zonën e “Medresesë” në Tiranë.) Nxënësit do të jene nga Tirana dhe rrethet. Nxënësit nga rrethet do të akomodohen pranë konvikteve të shkollës. Gati janë bërë 10 dhoma për djem dhe 10 për vajzat (për nxënësit e shkollës së mesme).

Ndërkohë, këtë vit shkollor do të hapen disa shkolla në vend, të rindërtuara pas tërmetit. Vetëm në kryeqytet do të hapen 12 shkolla të reja, të reja të projektuara nga arkitekti I njohur, Stefano Boeri, mes tyre 9-vjeçarja ‘Andrea Stefani’ që u inaugurua një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Kjo shkollë do të presë rreth 1 mijë nxënës të Njësisë 11.Gjithashtu, këtë vit i shtohen arsimit 235 punonjës psikosocial dhe 75 oficerë sigurie.

 

Harta me trafikun e renduar në Tiranë ora 8:30

 

Ora 11:37
Viti i ri shkollor në Korçë, 240 nxënës më pak se një vit më parë

 

Sot filloi viti arsimor 2022-2023, burime nga Drejtoria Arsimore në Korçë bëjnë të ditur se asnjë shkollë nuk ka pasur probleme dhe u hap rregullisht për pritjen e nxënësve (presim të dhëna të sakta), momentalisht në rikonstruktim është vetëm shkolla Themistokli Gërmenji Korçë, gjithsesi në të njëjtën sot filloi procesi mësimor.

Mësimi do të zhvillohet vetëm me një turn sivjet, për të dhënë akses për të gjithë nxënësit (edhe për ata që ndodhen në zona të largëta rurale).

Edhe pse ka pasur ulje të nxënësve të njëjtat burime na bëjnë me dije se është munduar të mbahet i njëjti personel në punë, pra numri i mësuesve mbetet i njëjtë.

Sivjet ka 240 nxënës më pak sivjet në e Korçës. Pogradeci 85 nxënës më pak, Devolli dhe Maliqi secili nga rreth 40 nxënës me pak. Kolonja rreth 20 nxënës më pak. Qyteti i Korçës rreth 70 nxënës më pak.

Ndërsa, mbyllje shkollash nuk ka, pasi numri i shkollave sivjet është i njëjte me atë të një viti më parë.

Ora 11:18
Rikthehet mësimi me dy turne në Berat, shkak rikonstruktimi i gjimnazit

 

Nis në qarkun e Beratit viti i ri shkollor 2022-2023. Mbyllja e gjimnazit më të madh në Berat për shkak të rikonstruksionit të tij rikthen në Berat mësimin me dy turne. 3 institucione arsimore, dy shkolla dhe 1 kopsht janë në rikonstruksione të pjesshme.

Ka startuar në Berat Viti i ri shkollor 2022-223. Mësohet se për shkak të shembjes e më pas rikonstruksionit të gjimnazit më të madh në qarkun e Beratit "Babë Dudë Karbunara", mësimi për nxënësit e këtij gjimnazi do të zhvillohet me turne në shkollën 9-vjeçare "22 Tetori". Kjo ndarje në turne nuk është pritur mirë nga nxënësit dhe prindërit pasi disa prej tyre vijnë çdo ditë në Berat nga zonat rurale për të ndjekur shkollën e mesme të përgjithshme.

Këtë vit në qarkun e Beratit kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 58 shkolla (9-vjeçare dhe të mesme), ndërkohë që numri total i nxënësve në këto shkolla është 7420 nxënës, ndërkohë që në bankat e shkollës ulen për herë të parë këtë vit 558 nxënës. Burime nga DAR Berat bëjnë me dije se,3 institucione arsimore janë në rikonstruksione të pjesshme por në to do të vazhdojë mësimi. Bëhet fjalë për 2 shkolla 9-vjeçare në fshatrat Karkajjoz e Dyshnik dhe një kopsht në fshatin Moravë.

Ora 11:11
Rrumbullaku kërkoi heqjen e policëve me semaforë, efektivët do të qëndrojnë në akset kryesore pranë shkollave në orët e fluksit

 

Në disa akse kryesore të kryeqytetit që lidhen me shkollat dhe kryqëzimet ka pasur trafik të rënduar që në orët e para të mëngjesit për shkak të nisjes së vitit të ri shkollor.

Ndërkohë urdhrit i drejtorit të Policisë së Shtetit është heqja e policëve nëpër semaforë. Por ata do të jenë në orët e fluksit të nisjes dhe mbylljes së shkollave në mënyrë që të menaxhojnë trafikun e mjeteve.

“Kontrollet të jenë me përzgjedhje dhe në raste të konstatimit në shkelje, jo kontroll të çdo automjeti në rrugë”, ky ishte urdhri i Rrumbullakut në mbledhjen që mbajti disa ditë më parë me strukturat.

Ora 11:05
12 gjimnaze dhe shkolla 9-vjecare në rindërtim në Durrës, problem mësimi me turne

1662992479_JJGGG.JPG

Në Durrës është shqetësim mbetet mësimi me turne. 12 gjimnaze dhe shkolla 9-vjecare janë ende në rindërtim, ndaj 4700 nxënës zhvillojnë mësim turn i dyte. Kjo ka bërë që numri i nxënësve në arsimin publik të ulet me 2 për qind, ndërsa prindërit kanë zgjedhur ti regjistrojnë fëmijët në shkolla private.

Ora 10:05
Nuk ka nxënës! Mbyllen disa shkolla në Dibër e Kukës

1662991858_shkod.JPG

16 fëmijë të fshatit Strikçan në Bulqizë nuk u ulën sot në banka. Shkolla është mbyllur, për shkak të rënies së numri të nxënësve, ndërsa prindërit refuzojnë ti dërgojnë të vegjlit e tyre në fshatin Godvi, 30 minuta larg.

Në gjithë qarkun e Dibrës u mbyllën 12 institucione arsimore, kryesisht në fshatra.

E njëjta panoramë e zymtë është në kukës, ku viti shkollor nisi me 447 nxenes me pak sesa vitin e kaluar. Shkak janë largimet masive të familjeve kuksiane dhe rënies se numrit te popullsise.

Ora 09:49
Viti shkollor në Gjirokastër, 200 nxënës më shumë se një vit më parë

 

Janë 304 nxënës që janë ulur për herë të parë në bankat e shkollave në Gjirokastër dhe Libohovë. Sipas të dhënave në Gjirokastër, infrastruktura shkollore ka qenë e gatshme për të pritur këtë vit shkollor.

Sivjet janë rikonstruktuar dy shkolla 9-vjeçare në Gjirokastër, duke përmbushur kështu kushtet. Ajo që vihet re është se sivjet ka rritje të numrit të nxënësve të regjistruar aktiv në shkollat e Gjirokastrës dhe Libohovës.

Nëse vjet në total në sistemin fillor, 9 vjeçar dhe te mesëm rezultonin 3732 nxënës, sivjet ky numër rezulton të jetë 3949, pra më shume së 200 nxënës në raport me një vit më parë.

Ora 09:28
Viti arsimor në Dibër, 400 nxënës më pak se vjet! 2 shkolla mbyllen për shkak të uljes së numrit

Ka nisur rregullisht viti i ri arsimor në Dibër. Shkollat janë rikonstruktuar gjatë verës, ku sot kanë hapur dyert për nxënësit.

Në Dibër janë gjithsej 7174 nxënës. Ulen për herë të parë klasa e parë 608 nxënës, 400 nxënës më pak krahasuar me vitin e kaluar. Të hapura janë 37 shkolla të hapura; 2 shkolla janë mbyllur duke i grupuar për shkak të uljes së numrit të nxënësve. Gjithsej janë 811 mësues në qarkun Dibër.

Me rastin e nisjes së sezonit të ri shkollor, policia ka vendosur patrulla në të gjitha shkollat për të garantuar sigurinë e nxënës

Ora 09:20
VIDEOLAJM/ Dita e parë e shkollës, Policia Bashkiake në vijat e bardha: Çdo ditë këtu për të garantuar sigurinë e fëmijëve

 

Në këtë ditë të parë të shkollës, edhe Policia Bashkiake e Tiranës është vënë në krye të detyrës. Punonjës të policisë bashkiake kanë dalë terren.

“Mirëmëngjes nga çdo shkollë e Tiranës. I urojmë suksese fëmijëve, mësuesve, prindërve. I sigurojmë ata, se shërbimet e Policisë Bashkiake do të jenë çdo ditë, në çdo shkollë për të garantuar sigurinë e fëmijëve”, thuhet në postimin e policisë bashkiake.

Ora 09:15
Nis shkolla në Shkodër, 1401 nxënës fillojnë mësimin për herë të parë

 

Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Shkodër ka nisur procesi mësimor në të gjitha shkollat e Bashkisë Shkodër.

1401 nxënës janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës, ndërkohë që në total numri i nxënësve në të gjithë sistemin parauniversitar është 16380.

Ora 09:06
Sezoni i ri shkollor në Lushnjë, në 3 shkolla bëhet mësim me dy turne! 300 nxënës më pak se një vit më parë

 

Në Lushnjë këtë vit janë regjistruar në arsimin parauniversitar rreth 8900 nxënës nga të cilët 665 për herë të parë ulen në bankat e klasës së parë.

Në bashkinë e Lushnjës janë hapur 46 shkolla së bashku me shkollat vartëse, ndërsa në qytet në tre shkolla do të bëhet mësim me dy turne.

Kështu, me dy turne do të bëhet mësimi në shkollat Skënder Libohova, Foto Puka dhe 4 dëshmoret. Krahasuar me një vit me parë numri i nxënësve është ulur me 300 nxënës.

Ora 08:53
Viti i ri shkollor në Elbasan, 1100 ulen në bankat e shkollës për herë të parë

 

Edhe në Elbasan ka filluar procesi mësimor i vitit të ri shkollor 2022-2023. Në bankat e shkollës për herë të parë janë ulur 1100 nxënës, ndërkohe në shkollat e 10-ta janë regjistruar 980 nxënës.

Në Elbasan, për shkak të rënies së numrit të nxënësve një shkollë është mbyllur dhe 3 janë të bashkuara.

Në juridiksionin e bashkisë Elbasan janë rreth 132 godina të institucioneve arsimore parauniversitare nga të cilat 8 janë shkolla të Mesme të Përgjithshme, 8 janë shkolla të Mesme të Bashkuara, 99 shkolla 9-të vjeçare dhe 17 kopshte të shpërndara në 12 Njësitë Administrative të kësaj bashkie.

Ora 08:28
Sezoni i ri shkollor, në Fier disa godina jashtë funksioni ose në rikonstruktim! Nxënësit shpërngulen në shkolla të tjera

 

Ashtu si në mbarë vendin, edhe në të gjitha shkollat e Qarkut Fier, ka nisur viti i ri shkollor 2022- 2023. Për këtë vit shkollor në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar do të ulen në bankat e shkollës 57.334 nxënës të cilët do të akomodohen në 256 shkolla.

Numri i nxënësve në arsimin fillor në ZVAP është 5261, numri i nxënësve në AMU është 4359 dhe numri i fëmijëve në kopshtet pranë shkollave është 939, dhe numri i nxënësve ne total është 12.750. Ndërsa për sa i përket numrit te punonjësve mësimorë është 1150 , numri i shkollave Qendër 52, numri i shkollave vartëse 13, numri i shkollave qendër me shkolla vartëse 9, numri i shkollave SHMB është 3.

Nxënësit janë pajisur me tekste shkollore, proces i cili është realizuar normalisht ndërkohë që është punuar intensivisht për rikonstruksionin e godinave të shkollave.

Probleme janë hasur në komunitetin rom, pasi gjatë regjistrimit, prindërit nuk kanë pasur një numër telefoni për të finalizuar aplikimin në e-albania dhe një pjesë e mirë e tyre nuk i kanë regjistruar fëmijët në shkollat që i përkasin zonës së tyre të mbulimit, por i janë drejtuar shkollave të qytetit.

Përballë kësaj situate pranë çdo shkolle edhe këtij kontingjenti nxënësish iu është ofruar asistenca e duhur për të realizuar regjistrimin e tyre deri në ditën e parë të shkollës.

Ndërkohë, shkollat që nuk do të hapen për vitin 2022- 2023 janë: Në Patos, shkolla “ Muhamet Shehu” për shkak se ndodhet në rikonstruksion, në Lushnje, shkolla vartëse AF Lekaj do të përqendrohet në shkollën Qendër, në Levan, gjimnazi “ Kutbi Vruzhaj” për shkak të rikonstruksionit, mësimi do te kryhet në godinën e gjimnazit “Janaq Kilica“ në Fier , njëlloj si gjatë vitit të kaluar, ndërsa në Mize të Divjakes për shkak se godina ndodhet jashtë funksionit, mësimi do të zhvillohet në shkollën 9-vjeçare “Koli Sako”.

Ora 08:14
Viti i ri shkollor, në Vlorë 1662 më pak nxënës se sezonin e kaluar! Dominon arsimi publik

 

Sot nis sezoni i ri shkollor për arsimin parauniversitar në të gjithë vendin, ku në shkollat e qarku Vlorë numri i nxënësve këtë vit është 12.300. Vitin e kaluar, shifra ishte 13.962, sipas zyrës arsimore Vlorë, duke bërë që këtë vit të ketë 1662.

Në këtë qark dominon arsimi publik, ku vetëm 15 % arsimit është privat me gjithsej 43 shkolla publike dhe 11 private.

800 janë klasat e para, ndërsa 617 klasat e dhjeta. Tre shkolla në Vlorë funksionojnë me dy turne, përkatësisht: Rilindja, Lef Sallata, Jani Minga.

Për shkollat që kane numër të ulët, po shihet mundësia e krijimit të shkollave të bashkuara, përkatësisht Memo Metaj në fshatin Kuc, Faslli Dano në Llakatund, shkolla e Orikumit, Shaban Demiraj në Vlorë. Në Selenicë janë 14 shkolla qendrore edhe 10 shkolla vartëse.

Ora 07:48
Dita e parë e shkollës, trafik i rënduar në rrugët e Tiranës (VIDEO)

Në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor, në rrugët e kryeqytetit është shkaktuar një trafik i rënduar. Krahu i autostradës nga liqeni te Pallati me Shigjeta është totalisht i bllokuar dhe makinat janë ndaluar në rrugë.

Ora 07:42
Viti i ri shkollor, Begaj mesazh urimi: T'i shndërrojmë bankat e shkollës në instrumentin që do t’i formësojë fëmijët në qytetarë të së nesërmes evropiane

1662401556_WhatsAppImage20220724at6.46.51PM1770x433.jpeg

Presidenti Bajram Begaj ka uruar vit të mbarë shkollor për nxënësit dhe arsimtarët. Mesazhi i tij është për të shndërruar bankat e shkollës në instrumentin që i formëson fëmijët në qytetarët e së nesërmes europiane.

“Iu uroj nxënësve dhe arsimtarëve në të gjithë Shqipërinë një vit të mbarë shkollor. T’i shndërrojmë bankat e shkollës në instrumentin që do t’i formësojë fëmijët e sotëm në qytetarë të përgjegjshëm të së nesërmes evropiane. Suksese në rrugëtimin e përbashkët drejt dijes”, shkroi Begaj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?