Një vit më parë (1 korrik 2024) u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare.
Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndrronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës. Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa.
Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, IsmaIl Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Në moshën 11 vjeçare lexoi Tragjedinë "Makbeth' të Shekspirit dhe i ndryshoi jetën, megjithëse në atë moshë nuk kuptonte gjithçka. E donte kaq shumë sa filloi ta kopjonte në dorë. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960)
Në vitin 1963 botoi romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Libri u përkthye në 33 gjuhë të botës dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare.U vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit Le Monde si një ndër 100 librat e shekullit XX.
Më pas erdhi romani “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës. Një tjetër roman i vlerësuar ishte “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërprera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë.
Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris, u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike, ndërsa vitet e fundit u vendos në Tiranë. Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar u bë anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës.
U vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.Shpesh emri i tij u përfol për si një ndër konkurentët për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë por nuk e fitoi.
Në vitin 2005 fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Man Booker Prize” ndërkohë ishte kandidat pretendent edhe për vitin 2024 me librin “Kur sunduesit grinden” i cili u vlerësua si një “meditim letrar magjepsës mbi Rusinë Sovjetike, autoritarizmin, strukturat e pushtetit në një periudhë shkrimtarësh të mëdhenj”.
Në 20 tetor 2009 Ismail Kadare u bë i pari shkrimtar shqiptar që fiton çmimin "Princi i Asturias për Letërsinë". Në 2019 fitoi çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt, që njihet edhe si Nobeli Amerikan, ndërsa vitin e kaluar (17 tetor 2023) shkrimtarit të madh shqiptar iu dha titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Foto: Elisa Spiropali
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mbajti një fjalim në nderim të veprës dhe jetës së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë një vit më parë.
Në fjalën e saj, në një aktivitet të zhvilluar nga Kuvendi dhe Akademia e Shkencave, Spiropali e përshkroi Kadarenë si një ikonë të përjetshme të mendjes dhe shpirtit shqiptar.
Spiropali nënvizoi rolin e Kadaresë si pasaportë e Shqipërisë në botë gjatë periudhave të izolimit dhe sfidave historike, si dhe kontributin e tij në lidhjen shpirtërore dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendin nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t’i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin”, tha ndër të tjera Kryetarja e Kuvendit.
Spiropali theksoi se Kadareja ishte simbol i dinjitetit dhe mendimit të pavarur, një përpjekje e jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë.
Fjala e Plotë e Spiropalit:
E dashur Helena, I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave, z. Gjinushi,
Të nderuar akademikë, shkrimtarë, poetë, deputetë e të ftuar, Zonja dhe zotërinj,
Sot nuk jemi këtu vetëm për të nderuar më të pazakonshmin e njeriut shqiptar që iku, por për të qëndruar në heshtje përballë një ikone që do të mbetet mes nesh si dëshmi e gjallë e mendjes dhe shpirtit shqiptar.
Kur largohet një shkrimtar i përmasave të Ismail Kadaresë, fjala është gjithçka që mund të kemi – dhe njëkohësisht ajo bëhet gjithçka që ka rëndësi. Sepse, megjithatë, vetëm fjala mbetet.
Dhe është pothuaj e pamundur të gjejmë fjalët e duhura për mjeshtrin e shqipes që krijoi një univers të tërë – njëherazi të njohur dhe të panjohur, të largët dhe të afërt, një simbiozë e rrallë mes të kaluarës dhe të ardhmes, përmes kujtesës dhe imagjinatës.
Një personazh i njërit prej romaneve të tij tragjikë do të thoshte me qetësi:
“Erdha të flas, jo të lavdëroj Ismail Kadarenë.”
Sepse Kadareja nuk ka nevojë për lavdërime. Ai ishte dhe mbetet vetë lavdia.
Në jetën e tij, si në krijimtarinë e tij, ai nuk kërkoi zbukurime , ishte perbuztar ndaj tyre!
I qetë në vetmi, i rezervuar në publik, por përherë i gjallë në fjalë, Kadare mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit të pavarur dhe i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë. Në meritë e tij Homerike ai mbetej dashesi më i madh i kesaj toke!
Në veprën e tij, vdekja dhe përsosmëria nuk janë të ndara. Ja ç'shkruan për të dyja:
“E ndjeja atë lodhje morti që po më kaplonte prapë risjellja ndër mend e epilogut të librit, në vend që të më jepte një shkas më tepër për ta pezulluar, më bëri të mendoja se po të ishte puna për t’u përsosur, pra për ta pësuar, do të ishte me të vërtetë një fat që ta pësoja nga kjo mrekulli. ... Ai epilog i kishte të dyja, përsosjen dhe vdekjen, ngaqë një fat i tillë e kushtëzonte herë pas here artin: s’mund të ishte i përsosur pa qenë i mbaruar.”
Vëzhgues i përbindshëm i jetës, i ndjesive më të vogla e më njerëzore: zgjimi me një filxhan kafe, një bisedë e mbetur përgjysmë, një zhgënjim miqësor, një kravatë e re apo një heshtje që zgjat më shumë se duhet. Në këto gjëra të përditshme, ai ndërtonte universin e tij të thellë, ku lexuesit ftoheshin për bashkëjetesë. Aty ishte antikiteti dhe e nesrmja, shqiptari dhe Bota, Shqiperia dhe Europa!
Sepse ai besonte – me të drejtë – se bota që ndërtonte me fjalë ishte ndoshta më e drejtë, më e besueshme, më e vërtetë, se ajo ku jetonim. Kadareja ndërtoi dy të tilla: njërën personalen , ku sundonte si një zot shpesh i mëshirshëm, herë hakmarrës, por gjithmonë njerëzor; dhe tjetrën, që ia dhuroi njerëzimit – një botë me përmasa mitike, por me themele reale, ku Shqipëria dhe shqiptaria gjenin formën më të lartë të vetvetes.
Në këtë univers letrar, ai udhëtoi si një Dante modern, duke pasur pranë jo vetëm Beatriçen e tij – Helenën – por edhe kujtesën, mitin, identitetin, tragjedinë dhe ëndrrën Edhe pse Kadare, i është rikthyer tokës si rrënja më e çmuar e identitetit shqiptar, ai i përket qiellit më të epërm të vlerave njerëzore universale.
I ndarë nga bota jonë, duke vendosur të Ikë për të pushuar vetëm një çast, Kadare shënjoi dhe një nga paradokset e shumta të jetës së tij, duke i dhënë jetë dhe një paradoksi të ri, duke i dhënë paqe edhe armiqve të tij. Atyre që nën uniformën gri e monotone të mediokritetit shfaqeshin si një turmë plot me zulmë e zhurmë kritikësh dhe turmë ziliqarësh e lakmitarësh.
Vetë Kadare ishte ai që me parimin e tij për moshpjegim, i bënte të shfaqeshin edhe më të vegjël, edhe më të parëndësishëm, edhe më të papërfillur. Fitimtar, kur mund të kthente përgjigje, tani në heshtje u dha paqe, duke lënë pas indiferencën dhe moskuptimin të gjithë atyre që iu gërmushëm, gafurrën dhe e gërvishën me gërvima groteske nën gërmërin qesharak të marshit funebër të mediokërve.
Herët a vonë, ndodh revanshi i shkrimtarit, sidomos atëherë kur ai nuk ka trup për të mbajtur mbi emër, por është vetëm një emërmbiemër mbi letërsinë e tij të shkruar. Vetëm atëherë kur ai është jashtë hijes dhe peshës së kohës, ai dëshmon më qartë peshën e pushtetit të së përjetshmes mbi të përkohshmen.
Ky Prijës perëndimor që Shqipëria e marrë peng prej Lindjes pati fatin t’i dhurojë Perëndimit, si ata fare pak shkrimtarë të kalibrit të tij, pati një jetë jo paralele me asnjë regjim; foshnjë dhe fëmijë nën mbretërinë komike të viteve 30-të dhe më pas të viteve të pushtimit; adoleshent dhe i ri i moçëm nën regjimin komunist dhe një i pamoshë në fëmijërinë e trazuar të demokracisë shqiptare.
Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendin nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t'i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin.
Kadare ishte një udhëtar i madh që u nda nga Gjirokastra për të udhëtuar në kohë dhe në hapësirë; iu kthye antikitetit të Ilirisë dhe Greqisë së lashtë dhe mbërriti nga stepat sovjetike në brigjet e detit të Kinës në Lindje.
Ai hulumtoi universin njerëzor në qelizën e tij, që nga ADN-ja e banditit të rëndomtë tek pafajësia e dashurisë, nga shiu i dëshpëruar tek daullet e dasmave, nga krenia e individit si kështjellë tek kalatë e mendimit, nga të rrëzuarit në fatkeqësi, tek sjellësit e mynxyrave, nga skllavi tek padroni, nga i vdekuri i gjallë tek të gjallët që patën lindur të vdekur.
Një alkimist modern që në kohën e shpresës së vdekur, parashihte se shpresa lind edhe nga eshtrat e letërsisë së madhe. Kadare nuk qe një ardhës dhe ikës i zakonshëm, një shëtitës, një kalimtar, ndër të shumtit e kësaj bote.
Kadare ishte nga raca e qiellorëve, gjenialëve, profetëvë. Atyre që bashkësive, komuniteteve, popujve, kombeve, racave, u sjellin fat kur janë në mjerim, u tregojnë zgjidhje kur janë në hall, në vështirësi, në moment kritik, u sjellin një udhërrëfyes kur nuk dinë nga t’ia mbajnë, kur zjarri po fiket dhe duhet ndezur, kur drita meket dhe duhet gjallëruar. Kadare ishte nga të parët që i dha zë Kosovës në Shqipëri dhe i tregoi Shqipërisë Kosovën si dy gjysma të trupit të një kombi të aksidentuar nga historia. Ishte vështrimi që tregonte adresën që duhej të merrnim edhe në orë fatale dhe ishte mendja që dëshmonte se çfarë duhej bërë që e ardhmja të fliste shqip e europianisht në këtë skaj të Ballkanit për dy republikat euroshqiptare.
Kadare ushqeu shpirtërisht dhe lartësoi mendërisht një popull të tërë. Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë.
Mjerë kritizerët trukokallë që thonë se qe i tillë si shkrimtar, e i atillë si njeri, dhe broçkulla të tjera që Hyut veçse ia shtojnë lavdinë, dhe mediokrit i hedhin në honet e harresës.
Komente
