SHBA - Juventusi përballet me një situatë alarmante në mbrojtje vetëm disa orë para përballjes ndaj Real Madridit në Kupën e Botës për Klube. Federico Gatti, një nga pikat kyçe të prapavijës së “Zonjës së Vjetër” nuk u paraqit në stërvitjen e djeshme për shkak të simptomave gripale, sipas raportimeve nga Sport Mediaset.
Mbrojtësi italian raportohet se ka temperaturë të lartë dhe për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike gjatë stërvitjes, me reshje të dendura shiu, stafi mjekësor vendosi të mos rrezikojë përkeqësimin e gjendjes së tij. Kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë që Gatti të jetë në gjendje të luajë nga minuta e parë sot (e martë, ora 21:00) në ndeshjen e shumëpritur ndaj "Galaktikëve".
Mungesa të mëdha për Tudor
Për trajnerin Igor Tudor, ky është një tjetër problem i madh, pas humbjes së Nicolo Savona, i cili do të mungojë për të paktën një muaj për shkak të një ndrydhjeje të rëndë në kyçin e këmbës që ka përfshirë edhe dëmtim të ligamenteve.
Në këtë situatë, ka gjasa që Daniele Rugani të luajë nga minuta e parë, në atë që do të jetë debutimi i tij në Kupën e Botës për Klube, pasi është rikthyer nga huazimi te Ajax pikërisht për këtë turne.
Sulmi i gatshëm, tension në prapaskenë
Në repartin sulmues pritet që Francisco Conceicao, Kenan Yildiz dhe Randal Kolo Muani të formojnë treshen sulmuese, me shpresën për të befasuar Real Madridin.
Në vigjilie të këtij dueli të rëndësishëm, vazhdon tensioni mes klubit dhe dy lojtarëve. Timothy Weah dhe Samuel Mbangula nuk ishin të grumbulluar në ndeshjen e fundit dhe janë lënë jashtë si pasojë e refuzimit të transferimit larg bardhezinjve në këtë merkato.
Komente
