Stadiumi 'Arena Kombëtare'

Sport

Sot përfundon procesi i aplikimit, si do pajisen me bileta tifozët e Kombëtares për ndeshjen me Serbinë

30 Maj, 08:49| Përditesimi: 30 Maj, 08:54

  • Share

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan kundër Serbisë më 7 qershor në orën 20:45 në 'Arenën Kombëtare' të Tiranës. Për këtë përballje ka pasur një kërkesë të jashtëzakonshme për bileta, me shifrën që mund të shkojë deri në 300 mijë. Stadiumi në Tiranë ka kapacitet 22 mijë vende, por FIFA ka dënuar FSHF-në me reduktimin e 20 përqind të vendeve për koret raciste në ndeshjen e fundit të zhvilluar.

Me fjalë të tjera, numri i tifozëve kuqezi në stadium do jetë pak më shumë se 17 mijë, ndërsa vlen për t'u përmendur se nuk do ketë mbështetës të Serbisë pasi ata janë dënuar për sjelljen e tyre me një ndeshje mungesë në stadium.

Ndryshe nga herët e tjera, për këtë duel si fillim do duhet të aplikosh për t'u pajisur me një biletë dhe më pas, sipas FSHF, do ketë një short automatik për të përzgjedhur fatlumët që do jenë në stadium.

Procesi

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës ebileta.al, e menaxhuar nga kompania t-ticket, duke ndjekur të njëjtën procedurë si për blerjet e mëparshme online. Deri në katër bileta mund të marrë një përdorues, teksa nuk ka të drejtën e rishitjes pasi në to do ketë emrin dhe mbiemrin.

Si të aplikoni:

Regjistrohuni në platformën ebileta.al duke përdorur adresën tuaj të e-mailit.

Zgjidhni tribunën e stadiumit.

Plotësoni të dhënat personale (emër, mbiemër, e-mail) në formularin përkatës.

Përfundoni me sukses aplikimin, për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes përmes shortit.

Pas aplikimit, do të merrni një e-mail konfirmimi automatik që vërteton përfundimin me sukses të procesit.

Afatet dhe procesi i përzgjedhjes:

Afati i aplikimeve do të zgjasë deri më 30 maj.

Pas mbylljes së aplikimeve, do të zhvillohet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike, përmes shortit elektronik.

Blerja dhe marrja e biletave:

Të përzgjedhurit do të marrin një link unik për të kryer pagesën online, gjatë periudhës 30 maj - 2 qershor 2025.

Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen automatikisht në adresën e regjistruar të e-mailit.

FSHF thekson se bileta mund të transferohet vetëm një herë. Çdo transferim i mëtejshëm do ta bëjë biletën të pavlefshme.

Shënim: Deri në momentin që u shkrua lajmi, ende mund të aplikoje për bileta. Me një adresë e-maili mund të kërkosh të marrësh deri në katër bileta.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?