Sot, më 26 Gusht shënohet 115 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, shenjtores shqiptare që kreu bamirësi për të varfrit gjatë gjithë jetës së saj. Gruaja me mendje dhe zemër të madhe që bëri për vete një botë të tërë, u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve kudo.
Nënë Tereza, me emrin e vërtetë Gonxhe Bojaxhiu, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Në moshën 18-vjeçare, ajo u shpërngul nga Maqedonia e Veriut për në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Shenjtorja shqiptare është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes ndër vite, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe Çmimin “Nobel” për Paqe në vitin 1979.
Më 19 tetor 2003, ajo u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e Shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Shenjtorja fliste rrjedhshëm pesë gjuhë, bengalisht, shqip, serbisht, anglisht dhe hindu.
Në kulmin e Rrethimit të Beirutit në 1982, Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital të linjës së përparme duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm midis ushtrisë izraelite dhe guerileve palestinezë. Në vitin 1991 ajo u kthye në Shqipëri për herë të parë, duke hapur një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Deri në vitin 1996, Tereza ka operuar 517 misione në mbi 100 vende.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ka përcjellë një mesazh nga burgu në 115-vjetorin e lindjes së Shenjtores, duke thënë se përulet me nderim përpara veprës së saj hyjnore.
"Trashëgimia e Shën Terezës është thirrje e përhershme që secili prej nesh, me zemër plot dashuri e përkushtim, të kujdeset për tjetrin, të japë ndihmë e mbështetje atje ku ka nevojë, duke e bërë shoqërinë tonë më të drejtë, më humane e më të bashkuar. Urtësia dhe porositë e Saj le të na frymëzojnë të ndërtojmë një Shqipëri më të begatë dhe një komb më të fortë, ku secili qytetar ndjehet i përqafuar nga dashuria njerëzore. Siç na mëson Shën Tereza: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”, shkruan mes të tjerash Meta.
Disa nga çmimet dhënë në vite Nënë Terezës:
1962 – Çmimi Ramon Magsaysay
1973 – Çmimi Templeton
1978 – Çmimi Balzan
1979 – Çmimi Nobel për Paqe
1980 – Çmimi Bharat Ratna
1985 – Çmimi Medal of Freedom
1996 – Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
1996 – Dekorata Qytetar Nderi i Kosovës
Në vitin 2003, Aeroportit të Tiranës, Shqiperi iu dha emri “Nënë Terezës”. Në hyrje të këtij aeroporti më 2007 u inagurua edhe busti i saj.
Medaljet Urdhri “Nënë Tereza”
Urdhri “Nënë Tereza” është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit. Dekorata prej ari i jepet me dekret nga Presidenti i Shqipërisë.
Medalja humanitare “Nëna Terezë” është dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në fushën e humanizmit. Shprehja e mirënjohjes dhe nderimi i individëve me këtë dekoratë bëhet nga presidenti i Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka përkujtuar më 26 gusht Nënë Terezën dhe Migjenin, lindjen e Shenjtores dhe vdekjen e poetit dhe shkrimtarit të madh. Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, ndërsa poeti u nda nga jeta më 26 gusht të vitit 1938.
Përmes rrjeteve sociale, kryeparlamentarja shprehet se Shën Tereza dhe Migjeni na 'ndezin krenarinë për të mëdhenjtë tanë që ia kemi dhënë edhe botës".
“Shën Tereza lindi më 26 gusht 1910.
Migjeni u largua nga kjo botë pikërisht më 26 gusht 1938.
Dy të përunjurit e mëdhenj, luftëtarët e paepur në mbrojtje të vegjëlisë, i lidhte pazgjidhshmërisht zinxhiri mahnitës lindje-vdekje si shkak-pasojë.
Lutjet e Shën Terezës dhe kujat poetike të Migjenit, ishin e njëjta klithmë shpirtrash të mëdhenj nga Shqipëria e vogël drejtuar padrejtësive të botës.
Njëra nga Lindja, tjetri nga Vdekja, Shën Tereza dhe Migjeni vijnë bashkë çdo 26 gusht për të na kujtuar se kudo ku ka dëshpërim dhe dhimbje, ka ngushëllim dhe shpresë.
Shenjtorja Terezë dhe Poeti Migjen na ndezin krenarinë për të mëdhenjtë tanë që ia kemi dhënë edhe botës. TëPaharruar", shkruan Spiropali.
Komente
