​​​​​​​Sot plot 144 vite që nga Lidhja e Prizrenit, në të gjitha shkollat vendit dhe Kosovës, ora e parë e mësimit i kushtohet kësaj date historike

10 Qershor 2022, 10:21| Përditesimi: 10 Qershor 2022, 18:08

  • Share

Dita e sotme shënon plot 144 vite që nga Lidhja e Prizrenit, një datë historike për vendin tonë dhe për Republikën e Kosovës.

Ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat në vend dhe Kosovë i kushtohet kësaj date.

Rezistenca kombëtare e vilajeteve pas luftës Ruso-Turke u formua nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë.

Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar.

Ora 11:58
144-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, Veliaj takon kreun e Komunës, Shaqir Totaj: E rëndësishme të bashkëpunojmë dhe të mësojmë prej njëri-tjetrit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet sot në Prizren për të marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku janë mbledhur të gjithë kryetarët e komunave shqipfolëse të rajonit. Me këtë rast, Veliaj zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, me të cilin diskutoi mbi rëndësinë e platformës së bashkëpunimit mes komunave dhe bashkive shqipfolëse në rajon, sidomos për të rinjtë.

“Sot, në 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ne nuk diskutojmë për forcë që po na pushton, nuk lipset të marrim armët dhe të luftojmë në rrugë e male, por lipset të marrim dije, lipset t’iu mësojmë të rinjve se cilat janë armët e së ardhmes, të nxisim të rinjtë të kodojnë etj. Mezi pres që ta rrisim bashkëpunimin mes nesh dhe jam shumë optimist që, përmes platformës së Unionit të Bashkive shqipfolëse të mësojmë më shumë prej njëri-tjetrit, për të marrë idetë e mira dhe t’i sjellim në Tiranë, ndërkohë që gjërat që funksionojnë në Tiranë, mund t’i provojmë edhe këtu në Prizren”, u shpreh Veliaj.

Ai veçoi edhe disa prej projekteve konkrete që tashmë funksionojnë mes dy qyteteve.

“Bashkia e Tiranës do të jetë pjesë e sponsorëve të festivalit “Doku Fest” sepse e shikojmë si një produkt jo vetëm të Prizrenit, por të gjithë shqiptarisë, pasi ekonomia që na vjen prej aktiviteteve të tilla është e jashtëzakonshme. Ndaj, mezi pres që t’ju bashkohem edhe në gusht, kur të jemi përsëri bashkë për të promovuar kulturën, Doku Festin si “brand”-in më të njohur të qytetit të Prizrenit. E di që punët dhe veprat më të mira janë përpara, ama ajo që pashë sot më mbushi me shpresë të një qyteti që funksionon, të një qyteti ku po lëviz ekonomia, po lëviz biznesi, pashë turistë që po kënaqeshin. Ditët më të mira i kemi përpara dhe ju uroj shumë sukses”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj u shpreh i lumtur për projektet në të dyja qytetet.

“Tani po diskutojmë për opsionet, alternativat, mënyrat se si t’i menaxhojmë më mirë qytetet tona në hapësirën mbarëshqiptare, në mënyrë që të sjellim një cilësi të re të jetës për banorët që jetojnë në qytetet tona. E natyrisht që, nga Tirana mund të mësojmë shumë. Jemi akoma në fillim të mandatit dhe shohim disa gjëra të mira, të bukura, të cilat, pse jo, t’i zbatojmë, por ndoshta mund të ofrojmë edhe ne ndonjë ide më të mirë për Tiranën. Jo vetëm kaq, por do të ecim më tutje me projekte, me punë për përbashkëta, me një vizion të përbashkët dhe me një rezultat, sepse tek e fundit performanca nuk matet me fjalë të mira, por me rezultate konkrete. Prandaj, ju falenderoj që keni ndarë kohë për të na vizituar, edhe ju, edhe stafin tuaj të mrekullueshëm, edhe sot të festojmë 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, për të dhënë mesazhin se Kombi Shqiptar është faktor stabiliteti kudo që jeton, së bashku me gjithë të tjerët me të cilët jetojnë bashkë në këto treva,” u shpreh ai.

Në nder të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, shkollat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë ditën e sotme ia kushtuan orën e parë të mësimit Lidhjes së Prizrenit.

Ora 10:46
144-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, Veliaj: Shembull që kur ne shqiptarët jemi bashkë, asgjë nuk është e pamundur

1654850888_a3f9fa727e61408582a1ea616c6db3fe.jpg

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u ka uruar shqiptarëve 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkuan se ajo lidhje është shembulli që kur shqiptarët bëhen bashkë, asgjë nuk është e pamundur.

“144 vite nga lidhja e Prizrenit! Shembull që kur ne shqiptarët jemi të gjithë bashkë, asgjë nuk është e pamundur”, shkruan Veliaj. Më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit.

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?