Teksa sot pritet të votohet në Kuvend për mandatin e Olta Xhaçkës, deputetja socialiste ka hedhur poshtë akuzat se bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik. Në fjalën e saj në Kuvend, Xhaçka tha se familja e saj dhe bashkëshorti, Artan Gaçi nuk kanë përfituar asgjë nga shteti.
Xhaçka tha se kompania e Gaçit ka marrë statusin e investitori i asistuar njëjtë si shumë 1500 të tjerë, dhe se nuk është shpallur investitor strategjik. Xhaçka tha se Kuvendi s’ka çfarë të votojë sot, pasi Gjykata Kushtetuese e ka pushuar njëherë çështjen.
Xhaçka tha se Gaçi ishte biznesmen para se të bëhej deputet dhe pasi u largua nga politika u kthye sërish në botën e biznesit.
“U bë një kohë shumë e gjatë...Përmbaje Gazin të lutem. U bë një kohë e gjatë shpifje, je një gënjeshtar i rëndomtë. Shpifje. U bë një kohë e gjatë që emri im lidhte me paligjshmëri dhe abuzim me mandatin e deputetes. Nuk jam përgjigjur, jam menduar të rri në këtë detyrë apo të iki, të merrem me politikë apo të dorëzoj mandatin dhe të shpëtoj nga ky linç, ku faktet janë interesa politike e mediatike. Jam menduar se ku kam gabuar për të mbajtur në kurriz këtë furi balte, as kam ushtruar influencën time për të përfituar asgjë nga ato që janë bërë fakte të kryera, as nuk kam përfituar asgjë. Si për ti vënë kapakun një tallje, diskutohen këtu nga leckat e topit të opozitës sikur po votohet për të mbajtur në këmbë. Kuvendi s’ka ça voton fare se çështjen time GJK e ka pasur e ka shqyrtuar dhe e ka pushuar me vendim.
Sot këtu ajo që duhet të votohet, që është shkalla e sovraniteti të parlamentit dhe lira e votës së çdo deputet. Por gjithsesi, u arrit për shkak të akuzave të ngritura ndaj meje, meqë vendimi i sotëm lidhet sërish me mandatin tim, s’do komentoj më tej, kolegët le të diskutojnë dhe të vendosin të lirë. Por nuk mund të hesht për fajësinë që më është dhënë në tribunat e opozitave dhe portalet e gjobave. Që në janar 2023 çështja ime u shqyrtua nga GJK për 8 orë duke administruar provat e faktet, ato reale jo ato të emisioneve televizive. Pasi shqyrtoi më shumë se 500 faqe prova, vendosi ta pushojë me vendim këtë çështje absurde.
Pasi shqyrtoi më shumë se 500 faqe prova e materiale nga praktika gjyqësore e vetë Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, vendosi ta pushoje këtë çështje absurde. Së dyti, e gjithe kjo zallamahi ku jam bërë unë mishi për top dhe ku flitet sikur është bërë ndonjë krim i padëgjuar, në fakt ka shkak vetëm njërën ndër 1500 lejet e dhëna për përdorimin e plazhit nga subjekte turistike qe operojne ne bregdetin e Shqiperisë, nga Velipoja deri ne Ksamil.
Flitet për toka shtetërore të falura, flitet për investime të bëra falë favoreve qeveritare, flitet për statuse të veçanta personale, kur në fakt e gjitha, nga fillimi në fund dhe pa asnjë bisht apo zgjatim tjetër të fshehtë, është një leje për përdorim plazhi nga një sipërmarrje private, pjesë e të cilës është edhe bashkëshorti im. I cili ishte sipërmarrës përpara se sa të bëhej deputet dhe u rikthye në jetën dhe punën e tij private, pasi u largua nga detyra e deputetit, si rezultat i faktit të thjeshtë se u njohëm dhe u lidhëm familjarisht pikërisht në rrugën e përbashkët të angazhimit politik, e nuk mund ta vazhdonim që të dy këtë angazhim.
Pra as nga une, as nga bashkëshorti im, as nga shteti që i ka dhënë një status aspak ekskluziv, po tërësisht ligjor një si dhjetra e dhjetra sipërmarrjeve të tjera, sipërmarrjes ku im shoq është pjesë, me një investim 100% privat dhe të mbështetur në një dokumentacion 100% transparent dhe të verifikueshëm pa asnjë vështirësi, nuk është shkelur asnjë ligj dhe nuk është bërë asnjë paligjshmëri apo favorizim i veçantë.
Unë nuk jam e s’kam qenë asnjëherë dhe në asnjë rast në konflikt interesi dhe këtë nuk e them vetëm unë, po e thotë logjika elementare e gjërave, e ka thënë Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj, e ka thënë edhe ILDKPI. Ky nuk është i pari rast kur ngrihet një dallgë balte ndaj një deputeti për konfliktin e interesit dhe prandaj edhe nuk është e vështirë të gjenden, të hapen dhe lexohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë temë, ku nuk ka në asnjë rresht ndalesë për familjarët e deputetëve të merren me biznes, njësoj si çdokush tjetër dhe në çdo fushë të sipërmarrjes ku kushdo është i lirë të sprovohet.
Në këtë rast, bashkëshorti im që merret me biznes që prej vitit 1991, pas 33 vjetëve ka menduar të bëjë një investim privat në jug të vendit, të financuar nga investitorë privatë e kredi bankare. Jo në tokë të falur nga Kryeministri, sic bërtasin disa shpifës famëkeqinj këtu në këtë sallë apo në ekranet e televizoreve, por në truall privat, të blerë në mirëbesim nga ish-pronarë privatë, siç ndodh krejt rëndom në mijëra e mijëra shitblerje toke në zonat ku regjistrimi i tokës është ende i papërfunduar për njëmijë arsyet qe dihen.
Së fundi, si rrjedhoje e kësaj tollovie një proces hetimor i SPAK-ut ka shkuar në gjykatë lidhur me si eshtë dhene ajo prone 30 vjet me pare, e si eshte regjistruar X vjet me pare. Dhe edhe në këtë rast, emri im eshte futur derr ne thes jo nga hetuesit e prokuroret, te cilet jane ne lirine, te drejten e detyren e tyre te bejne deri ne fund punen qe u takon, po nga lincuesit e inkuizitoret qe lirine e tyre per te folur e perdorin per te shkelur me kembe e duar mbi te tjeret, duke genjyer, fabrikuar, akuzuar e denuar kedo qe munden, kurdo qe munden, kudo qe munden. ”, tha Xhaçka.
Lajmi kryesor:
Mandati i Xhaçkës nuk shkon në Kushtetuese, PS rrëzon kërkesën e opozitës! Deputetja: Bashkëshorti im vetëm investitor i asistuar, jo strategjik
SI.E.//ReportTv.al