Tiranë- Jo më nga ballkoni. Në mosbindjen e tij të parë në rrugë pas arrestit si i pandehur për korrupsion për aferën “Partizani”, kreu i PD-së Sali Berisha, vijoi të njëjtin skenar që në raste të mëparshme, u kishte urdhëruar vartësve e tij nga shtëpia: Bllokimin e rrugëve.
Me një pjesëmarrje shumë të ulët militantësh, opozita bllokoi për gati 3 orë 5 nyjet kryesore në Tiranë: Rrethrrotullimin e Zogut të Zi, sheshin “Wilson”, Bashkinë e Tiranës, Rrugën e Elbasanit dhe Pallatin me Shigjeta.
Nuk munguan edhe përplasjet e tensioni, teksa pati pakënaqësi të madhe nga qytetarët për bllokimin e rrugëve dhe trafikun e krijuar.
Mosbindjes pa fjalime, Sali Berisha iu bashkua në këmbë si një tur, në 4 pika të saj, pa mundur të mbërrijë deri te Pallati me Shigjeta.
Kreu i PD tha ndër të tjera:
“Duam qeveri teknike, me kaq pak pjesëmarrje? Edhe Assadi kishte 300 mijë ushtarë, e mundën 300 rebelë. Ku t’i shihni makinat e tyre qëllojini me vezë e domate!”
Me mbështetjen e vakët që arritjen më të madhe pati bllokimin e qytetarëve në trafik në këto prag-festash, mosbindja kulmoi me dhunë fizike të sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Flamur Noka, ndaj efektivëve të policisë, si momenti kur ligjvënësi i PD godet me grusht në fytyrë një polic në krye të detyrës.
Sjellja e tij nuk u pranua nga protestuesit, të cilët i kërkuan të qetësohej.
Gazmend Bardhi nga ana tjetër u përplas me policinë te “Sheshi Uilson”, në tentativat e bluve për të larguar nga rruga militantët e për të hapur qarkullimin për qytetarët.
“Hapni rrugën, po shkel ligjin, do protestojmë”, tha ai.
Edhe Luan Baçi u konfrontua me efektivët dhe u pa teksa kap dhe shtyn policin për xhakete. Ai pretendoi se u godit me grusht në bark nga efektivët.
Bardhi nga krahu tjetër ndoqi live në telefon fjalimin e Berishës nga një tjetër pikë. Skenarit të bllokimit të qytetarëve iu bashkua edhe Partia e Lirisë, si në këtë episod kur i dalin me trup para një taksie e një autobusi.
Ndërsa një moment ku nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj nuk u ndje mirë gjatë bllokimit të rrugës te “Pallati me Shigjeta”, Sali Berisha tentoi ta quajë skenar dhune të efektivëve, por zyrtarisht Policia e Shtetit mohoi që numri dy i PD-së të jetë goditur nga forcat e rendit.
Për paradoks, pasi la të bllokuar në rrugë qytetarët për gati 3 orë, drejt Gjekmarkajt në spitalin e Traumës, ende pa u mbyllur tubimi, Berisha zgjodhi të shkojë me automjet.
Gazetarët e Report Tv të cilët ndoqën nga afër të gjithë protestën, por dhe pamjet me dron që solli Report Tv, janë dëshmi se pjesëmarrja sot ishte e vogël, shumë më e pakët se dhe pjesëmarrja në protestën e fundit e opozitës atë të 26 Nëntor, edhe pse në krye të saj sot ishte vetë Sali Berisha.
Aksioni politik i opozitës i vendosur në 5 kryqëzimet kryesore të Tiranës vetëm sa krijoi kaos, trafik kilometrik dhe bllokoi qarkullimin rrugor në kryeqytet për gati 3 orë, (ora 17:00 - 20:00) duke privuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të lëvizur të lirë.
Në orën 20:00 kryqëzimet u liruan dhe Tirana iu rikthye normalitetit, ndërsa Berisha dhe deputetët e PD-së iu drejtuan selisë blu duke paralajmëruar se protestat dhe aksionet e mosbindjes civile nuk ndalen deri në plotësimin e kërkesës për qeveri teknike.
Vetë policia e Tiranës informoi se ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.
Shënim: Protesta në Tiranë u ndoq nga gazetarët në terren: Danjela Maloku, Sokol Dema, Raziela Myslimaj, Esiona Konomi, Ernest Koçi
Policia duke kryer një nga shoqërimet e protestuesve
Pak pas përfundimit të protestës së opozitës me bllokimin e 5 nyjeve kryesore të trafikut në Tiranë, Policia ka nisur edhe shoqërimet e personave të dyshuar për bllokimin e rrugëve.
Siç edhe e lajmëroi me një reagim zyrtar për rastin e deputetit Agron Gjekmarkaj, ku njoftoi se kishte evidentuar kundravajtësit penalë, janë kryer edhe shoqërimet e para.
Gazetari i REPORT TV, Sokol Dema, informon se deri tani konfirmohen të paktën 30 persona të shoqëruar në Komisariate apo ambientet e drejtorisë.
Operacioni është ende në proces dhe sipër.
Në vijim pritet edhe një deklaratë zyrtare për këto veprime dhe kundravajtjen e kryer, bashkë me listën e emrave.
Ilir Meta
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia lidhur me protestën e zhvilluar nga PD në Tiranë mbrëmjen e kësaj të diele.
“Një ditë e jashtëzakonshme për shqiptarët! Mirënjohje qytetarëve zemërluanë dhe të pamposhtur që e shndërruan sonte Mosbindjen Civile në uraganin e Lirisë për Tiranën dhe të gjithë Shqipërinë.
Dhuna kriminale e narkopolicisë ndaj drejtuesve të opozitës dhe qytetarëve paqësorë, rrëmbimet e tyre banditeske dhe arrestimet e paligjshme janë tregues i panikut të Edi Ramës që po jep shpirt, por edhe i fundit të Narkoregjimit që po rrokulliset me shpejtësi drejt fundit të pashmangshëm.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe raprezaljet policore dhe u kujtoj të gjithë banditëve me uniformë që shkelin ligjin për llogari të Edi Ramës se do ta kenë personale me opozitën.
Mosbindja civile dhe protestat e fuqishme nuk do të ndalen!
Fitorja është e opozitës dhe e të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriotë”,- thotë Meta.
Pasi qarkullimi në pesë pika të Tiranës u bllokua si pasojë e protestës së opozitës një faturino ka zbritur nga autobusi e revoltuar duke thënë që të lirojnë rrugën.
Ajo shprehet se ajo është transport publik dhe në autobus ndodhen gra shtatzënë apo njerëz invalid.
Flamur Noka është përplasur fizikisht gjatë protestës me efektivët, ku madje njëri prej tyre e qëlloi me grusht në fytyrë. Në një moment tjetër gjatë protestës në rrugën e Elbasanit, Flamur Noka është filmuar teksa përplaset fizikisht me shefin e komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës.
Noka dallohet në video teksa e shtyn disa herë shefin e komisariatit nr.1, Robert Loshën, madje duke i thënë se nuk i rr*uhet fare për të dhe as nuk pyet se kush është.
Qarkullimi është hapur tërësisht tek Zogu i Zi në rrethin kryesor, duke çliruar bllokimin, raporton gazetarja Esiona Konomi.
Këtu ishte pjesëmarrje e ulët, ku protestuesit vetëm në një moment vunë në vështirësi qarkullimin pasi bllokuan qarkullimin dytësor.
Një moment gjallërimi ishte kur Berisha erdhi dhe mbajti një fjalim.
Dikur protestonin për të liruar Berishën, ndërsa sot nuk kishte një kauzë pse kishin bllokuar qarkullimin. Sakaq, qarkullimi është liruar edhe në 4 akset e tjera të bllokuara nga protesta e PD-së.
Protestuesit janë larguar pas gati 3 orësh nga 5 akset ku nuk munguan përplasjet dhe tensionet me policinë, veçanërisht në rrugën e Elbasanit, ku Flamur Noka grushtoi një efektiv policie dhe te Pallati me Shigjeta ku deputeti Agron Gjekmarkaj humbi ndjenjat dyshohet gjatë një konfrontimi me policinë.
Berisha nga sheshi Uilson mbajti një prononcim për gazetarët, duke dënuar aktin e dhunës ndaj deputetit Agron Gjekmarkaj në zonën e Pallatit me Shigjeta, një prej akseve të bllokuara nga protesta e PD-së.
Berisha më pas i bëri thirrje qytetarëve të godasin me vezë dhe domate qeveritarët. Sipas tij aktet e dhunës ndaj Gjekmarkaj dhe Bardhit, është luftë personale.
'Tirana nuk ka qenë asnjëherë si sot e lirë në duart tuaja. Dënoj me forcën më të madhe dhunën e përdorur nga narko banditë me uniformë të udhëruar nga Edi Rama ndaj Gjekmarkaj, nënkryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të PD-së, Gazment Bardhi. Këto akte i marrim personale. Ftoj demokratët ti gjuajnë kudo që ti shohin këta kriminelë të qeverisë me vezë dhe domate në çdo rast. Kjo kërkon që sapo t'ja u shifni makinat breshëri vezësh dhe domatesh. Duhet të marrin përgjigjen që meriton. Të godasësh një deputet me projekt dhe plana, është urdhër nga Edi Rama. Gazment Bardhin e urren Rama se po i dërgon vëllain në burg. Edhe sot ishte një ditë triumfi, ditë në të cilën ne u dëshmuam të pamposhtur.
Zoti është me ne. Edhe ky shi ishte dhuratë për ne. Kaluam me sukses këtë provë. Përgatitemi për vitin që vjen. Nuk ndalemi gjer në largimin e kësaj qeverie dhe vendosjen e qeverisë teknike. Nuk ka asnjë të pamundur që ne nuk e kthejmë në realiet. Përgatitemi për betejën tjetër. I urojmë besimtarët e krishterët një Krishtlindje të bukur. Lindja e Krishtit është gjithnjë urim i pashtershëm frymëzimi për njerëzit që luftojnë të keqen. Ne të keqen po luftojmë, po përballemi me të keqen. Do shkoj të shoh në spital nënkryetarin e parlamentit që e kanë lënduar deri në atë shkallë sa të shkojë në spital. Është një akt kriminal, i projektuar nga Edi Rama dhe ai Ervini me 3 mbiemra. Do ju informoj shpejt se çfarë përfaqëson ai dhe do merrni të vërteta të hidhura për të. Ai e ka vendin në burg për shumë kohë. Ka punuar dhe në administratën e PD-së. Ka kusure, është delinkuent. Ai meret me këto vagabondazhe.
Të shumënatyrshme. Nga Priska gjer në Vorë është territori ynë i betejës. Nga qafë Priska përtej Surrelit', tha Berisha.
Kreu i PD, Sali Berisha, nën akuzë dhe i pandehur për dosjen e aferës “Partizani” nga SPAK, shkoi në fund te sheshi “Uillson” ku mbajti edhe një fjalim të shkurtër.
Ajo që ra në sy ishte momenti kur ai u bashkua me deputetët të rrethrrotullimi.
Dhe veçanërisht “takimi me qepalla” me kreun e grupit të PD, Gazment Bardhi. Pas përshëndetjes me takim duarsh edhe një përqafim dhe buzëqeshje.
Më pas ai u përshëndet edhe me sekretarin e Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deputetin Luan Baçi dhe te tjerët e pranishëm.
Pas fjalimit Berisha tha se do shkonte të vizitonte Gjekmarkajn në spitalin e Traumës. Ai hipi në mjetin e tij, teksa për ironi të fatit, lëvizi me makinën personale pasi për gati 3 orë la qytetarët e bllokuar në trafik.
Flamur Noka ka mbajtur një prononcim për gazetarët nga rruga e Elbasanit një prej pikave të protestës së PD-së. Noka komentoi rastin e Agron Gjekmarkaj që humbi ndjenjat te Pallati me Shigjeta gjatë protestës. Noka thotë se Gjekmarkaj u dhunua nga policia në mënyrë barbare.
'Jam këtu para jush për t dënuar aktin kriminal banditesk të narko policisë të urdhëruar nga narko kryeministri dhe të zbatuar nga ushtari i krimit Proda dhe vasalët e tij kundër nën kryetarit të PD-së, nënkryetari të Kuvendit deputetit Gjekmarkaj. Të dëshpëruar nga jehona e mosbindjes civile për të pastruar policinë nga narko titullarë për ti dhënë vendit zgjedhje të lira, të tmeruar nga jehona ndërkombëtare e opozitës urdhërojnë për të shtypur mosbindjen civile. Nuk llogarisin se ku janë dhe a po kapërcehet kufiri ligjor. Po ju vjen ngordhja. Këtyre narko drejtuesve të pushtetit po ju vjen ngrodhja dhe po dhunojnë. Mos bini pre e urdhërave anti ligjor.
Jeni këtu për të dhunuar krimin, që hanë dhe flenë dhe darkojnë dhe drekojnë. Hiqni dorë nga të qenit mercenar, jeni përfaqësues të shtetit. I bëj thirrje narko ministri, ndaloni dhunën. Do përgjigjet dhe ai që ka urdhëruar dhunën ndaj Gjekmarkaj dhe ata që kanë zbatuar këtë mizori ndaj deputetit. Në të gjithë aspektet. Po evidentojmë çdo gjë. Do përgjigjen të gjithë. Është koha jonë. Koha e barbarëve po merr fund. I dhunuar në mënyrë barbare nga narko policia. Po shkon drejt spitalit, akt i paprecedentë. Nënkryetari i Kuvendit dhunohet dhe dërgohet në spital. Do ta paguajnë. Po vjen koha jonë. Po regjistrojmë çdo gjë.'
Vijojnë përplasjet e protestuesve dhe policisë.
Sekretarja e PL për Marrdhëniet me Publikun i ka bllokuar rrugën një taksie te sheshi Uillson.
Teksa policia i ka kërkuar që të largohet - siç shihen edhe nga pamjet Arla Merja nuk ka pranuar të largohet. Pas këtij veprimi efektivët janë detyruar ta largojnë me forcë në mënyrë që taksia të lëviz.
Rikthehen incidentet dhe tensionet te “Sheshi Uillson” mes opozitës dhe Policisë.
Përplasje fizike dhe shoqërime të personave, bllokim rruge dhe konfrontime.
Në një moment u pa se një qytetar i moshuar ra mbi asfalt si pasojë e shtyrjeve mes palëve. Protestuesit i erdhën në ndihmë duke e ngritur. Teksa në radhën e parë deputetë dhe protestues shtyheshin me efektivët e bërë kordon.
Mjete që kalonin me vështirësi në segmentin e hapur nga uniformat blu. Edhe pse protestuesit tentonin t’i bllokonin makinat, policia i ka shmangur duke i zhvendosur në krahët e rrugës.
Një episod i tillë ishte ai i një vajze që i doli para një mjeti taksi në shesh dhe u mbështet. Pas disa thirrjeve mohuese, efektivët e kapën nga krahët duke e kaluar në trotuar dhe liruar qarkullimin.
Madje edhe deputetët e opozitës tentuan të njëjtën gjë, duke bllokuar qarkullimin. mes tyre deputetja demokrate Ilda Dhori dhe kolegu i saj Luan Baçi, që u përpoqën disa herë të bllokonin mjetet në lëvizje.
Dhori u pa teksa u vendos në mes të rrugës dhe bllokoi qarkullimin e mjeteve. Efektivët në grup e mënjanuam, teksa ajo rezistoi dhe i kundërshtoi, derisa policët e zhvendosën jashtë sheshit.
Tek Bashkia e Tiranës, policia ka spostuar protestuesit që kanë bllokuar rrugën për të bërë të mundur lehtësimin e qarkullimit.
Policia ka mundur që ti spostojë protestuesit drejt ‘Sheshit Skënderbej’ dhe tashmë ka nisur edhe qarkullimi i mjeteve.
Deputeti Xhelal Mziu i ndodhur në rrugën e Elbasanit për protestën e opozitës në disa akse rrugore në kryeqytet, është gjakosur gjatë përplasjes me efektivët.
Siç thotë vetë ai, është konfrontuar teksa efektivët kanë tentuar të shpërndajnë turmën dhe është përplasur me skafandrat të cilat e kanë gjakosur në dorë.
Tensionet në protestën që po mbahet në bllokimin e sheshit Uillson në Tiranë, nuk kanë munguar përplasjet fizike dhe incidentet.
Madje denoncim publik për dhunë nga Policia bëri edhe deputeti demokrat Luan Baçi. Ai u pa teksa u përplas me uniformat blu në kordonin e krijuar, teksa pati tension dhe shtyrje fizike.
Deputeti i Fierit pretendon se e goditën me grusht në bark.
“Këta nuk janë policë, por mercenarë! Na goditën me gushte në bark”, tha Baçi.
Por në një moment të pamjeve ai dallohet teksa kap një prej efektivëve nga xhaketa dhe e shkund.
Sakaq, protestuesit nuk i janë përgjigjur policisë për t’u shpërndarë dhe për të liruar qarkullimin.
Nuk ndalen tensionet te “Sheshi Uillson”. Të tjera shtyrje dhe përplasje mes palëve.
Gazment Bardhi mbajti tjetër fjalim para mediave, duke denoncuar Policinë.
“Po tentohet të dhunohen qytetarët duke shkelur të drejtën për të protestuar. Deri tani nuk ka numër të caktuar dhe nuk ka të shoqëruar këtu ku jemi. Punonjës të policisë që duhet të garantojnë ligjin, shkelin ligjin, bëjnë të kundërtën dhe dhunojnë qytetarët”, tha ai.
Ligjvënësi demokrat shtoi më tej se tentoi të merrte dhe shpjegime, por ishte e pamundur.
“Nuk e di kush i drejtonte këto forca por një drejtues me mbiemrin Pali i kërkova shpjegime se përse shtynin, por nuk mora një përgjigje. Janë veprime kaotike, kriminale, të paligjshme. Nuk janë veprime të qarta. Ja, po bëjnë të njëjtën gjë. Ata vazhdojnë, shikoni se çfarë i bëjnë përfaqësuesve të medias”, tha deputeti i PD, i cili u shkëput pasi ndali fjalimin dhe vihet para kordonit policor, ku ishte krijuar një situatë e re e tensionuar.
Ai u rikthye nga efektivët duke akuzuar:
“A mund ta di ça veprimi është ky dhe kjo gjë. Ku e gjeni të drejtën të dhunosh deputetët dhe qytetarët. Turp, po të kërkoj të zbatosh ligjin. Nuk ka asnjë pengim, jeni duke gënjyer publikisht!”, përfundoi ai.
Teksa pas Bardhit ishte deputeti Korreshi që bënte ironi me efektivët, duke thënë: “Mos hap, mos hap...”, duke kujtuar lojën e fëmijëve.
Tensione gjatë protestës së opozitës edhe tek rruga e Elbasanit.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka mbetet protagonist dhe nismëtari i dhunës së papranueshme ndaj efektivëve të policisë të cilët po kryejnë detyrën për të garantuar të drejtën e qytetarëve për lëvizjen e lirë.
Efektivët kanë kërkuar që të lirojnë rrugën por kjo është konsideruar si provokim nga ana e militantëve dhe Flamur Nokës, i cili i është vërsulur efektivëve.
Noka ka shtyrë disa prej policëve, teksa ka qëlluar njërin prej efektivëve me grusht.
'Nuk të pyes ty as ministrin tënd, as Edi Ramën. Do më tregosh mua ti?!', i ka thënë Noka njërit prej efektivëve të policisë.
'Mu zhduk', i ka thënë një tjetri.
Sjellje të papranueshme të Flamur Nokës që dikur ka mbajtur funksionin e ministrit të Brendshëm. Ndërsa një prej protestuesve ka tentuar të qetësojë Nokën duke i thënë: Qetësohu Flamur!
Më herët aty ishte dhe Sali Berisha por me një grup të vogël u zhvendosën te Bashkia e Tiranës.
Protesta e opozitës, ka paralizuar rrugët në Tiranë, duke bllokuar qarkullimin e auromjeteve.
Tek Pallati me Shigjeta, një nënë që shoqëronte fëmijën e saj të sëmurë në spital u ndalua nga turma e protestuesve. Ajo kërkoi me ngulm të hapet rruga, duke theksuar urlgjencën për të shkuar në spital.
“Nuk jam e njoftuar fare për këtë. Ju lutem, hapni rrugën, kam fëmijën për spital. Policit i thashë ta hapë rrugën. Po, kam fëmijën për spital, ju lutem”, u shpreh gruaja në mënyrë të përsëritur.
Report Tv siguron videon e momentit kur policia shoqëron disa militantë tek Pallati me Shigjeta. Ka përpjekje të herëpashershme të policisë për të zhvendosur policinë me qëllim që të lirojë lëvizjen e makinave por ka hasur në rezistencën e protestuesve.
Policia ka ndërhyrë tek protesta që po zhvillohet tek Bashkia e Tiranës për të shpërndarë protestuesit, në mënyrë që të lehtësohet edhe bllokimi i rrugëve dhe të nis qarkullimi i automjeteve.
Ndërkohë, protestuesit dëgjohen teksa thërrasin: 'Afrohuni'.
Gjatë protestës së sotme të opozitës, në një nga pikat e bllokuara ajo e sheshit Uilson ka patur tensione me policisë dhe protestuesve, por edhe me deputetët opozitarë. Gazment Bardhi shprehet për mediat se sa herë ka thirrje në protestë 'Rama ik', ka agresivitet sipas tij nga protestuesve.
'Është një e drejtë kushtetuese. nuk mohoet as nga nipi i Enver Hoxhës as nga ushtari në krye të policisë. Po tentohet të dhunohen qytetarët duke shkelur të drejtën për të protestuar. Sa herë ka thirrje 'Rama ik' ka agresivitet ndaj qytetarëve. Nuk ka të shoqëruar.'
Policia po tenton shpërndarjen e protestës në pikat e bllokuara dhe zhbllokimin e qarkullimit rrugor.
Shtyrje dhe përplasje, rriten tensionet te “Sheshi Uillson” në Tiranë.
Ka edhe incidente pasi Policia kërkon largimin e protestuesve. Kurse deputetët e opozitës janë konfrontuar direkt edhe fizikisht.
Mes tyre në linjën e parë edhe Eno Bozdo. Policia nuk bën asnjë hap pas. Uniformat blu mbajnë të hapur një pjesë të rrugës.
Një prej protestuesve sulmoi fizikisht policët që tentuan ta shoqëronin, por të tjerët e ndaluan duke e tërhequr pas. Deputeti Bardhi tha se në këtë pikë nuk ka persona të shoqëruar nga Policia.
Ndërkohë që ka pasur edhe persona të shoqëruar në zona të tjera.
Tensione mes protestuesve dhe policisë ka patur edhe tek zona te Pallati me Shigjeta, pasi këta të fundit tentuan të shpërndajnë protestuesit.
Ndërkohë të dyja kahet e rrugës vijojnë të jenë të bllokuara për qarkullimin e automjeteve.
Tensione mes protestuesve dhe policisë ka patur edhe tek zona e Zogut të Zi.
Policia tashmë po tenton shpërndarjen e protestuesve për shkak të bllokimit të rrugëve në 5 pika të kryeqytetit nga opozita dhe PD-ja. mesa duket policia ka nisur një aksion për shpërndarjen e protestuesve në 5 pikat në Tiranë.
Protestuesit kishin arritur në Zogun e Zi të bllokonin edhe rrugën dytësore të krijuar nga policia për qarkullimin.
Përplasje mes protestuesve dhe policisë tek sheshi Uilson.Policia po përpiqet të përparojë në mënyrë të shpërndajë turmën.
Kjo ka sjellë irritimin e protestuesve dhe deputetëve të opozitës, nër të cilët janë edhe Luan Baçi, Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho që janë përplasur me policinë, gjithashtu edhe sekretari i PL-së Tedi Blushi.
Bëhet me dije se një nga protestuesit e PL-së është shoqëruar nga policia, gjë që ka bërë të acarohen më shumë gjakrat.
Konflikt fizik në vijën e parë mes protestuesve dhe Policisë. Shtyrje mes të dyja palëve. Kanë qenë anëtarët e opozitës dhe zonjat deputete si Erisa Xhixho dhe Ina Zhupa që janë përplasur me efektivët. Policia po ndjek të njëjtin skenar, po përpiqet që të shpërndajë të gjithë protestuesit, apo sa të mundet.
Rriten tensionet, ka përplasje e shtyrje mes protestuesve, deputetëve dhe Policisë.
Përplasjet erdhën pas shoqërimit të një personi mbështetës të PL. Të shqetësuar për shoqërimin u shfaqën Blushi dhe Xhixho. Incidentet kanë vijuar edhe me konfrontimin e deputetit Bardhi me Policinë.
Policia e konsideron vepër penale bllokimin e rrugës, kurse Bardhi u kërkon që të lejojnë protestën.
Erisa Xhixho në shesh me Tedi Blushin, Gazment Bardhin dhe Sajmir Korreshin
Nga “Sheshi Uillson” ka folur edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, para protestuesve që kishin bllokuar aksin rrugor.
Xhixho hodhi akuza ndaj qeverisë edhe për gjendjen e arsimit në vend, si dhe vendimin për të mbyllur rrjetin social TikTok.
“Po synon t’i gënjejë sërish qytetarët. Qytetarët po protestojnë për fëmijët në shkolla, arsimi është i degraduar. Kemi mbyllje të TikTokut, duke thënë se fajin e ka ai. Por degradimi i arsimit është i qeverisë dhe jo i rrjeteve sociale. Ndaj ne do protestojmë me mosbindje civile. Kërkojmë qeveri teknike, zgjedhje të lira e të ndershme dhe kthimin e shtetit në shinat ligjore”, tha Xhixho ndër të tjera.
PL i është bashkuar grupit të PD-së që është vendosur te ky shesh, i drejtuar nga Gazment Bardhi.
Ish-kryeministri Sali Berisha qëndroi për disa minuta në protestën tek rruga e Elbasanit. Ndërkohë, Berisha lëvizi drejt pikave të tjera, konkretisht te protesta te Bashkia e Tiranës.
"Erdha për të përshëndetur këta qytetarë e qytetare, për të përshëndetur drejtuesit e PD, të cilët në një betejë epike, e shndërruan në kufomë politike vjedhësit më të madh që ka njohur Bashkia e Tiranës në historinë, Erion Veliajn. Në 43 gradë në të nxehtë, dhe në të ftohtë në shi, i dhatë hajdutit atë që meritonte. E diskredituat, e bëtë atë të ikë si mi nga një krah në një krah tjetër, dhe nuk di se ku është.
U garantoj se, kjo protestë e juaja, kjo mosbindje civile e juaja para Bashkisë së Tiranës, do të rezonojë në vite e vite si beteja më e fuqishme kundër vjedhjes së qytetarëve, si beteja më e fuqishme për rikthimin e shtëpisë së parë të qytetarëve të Tiranës. Ju, e keni përmbushur misionin tuaj, por prap do të vini gjersa ta nxirrni prej leckash dhe ta varim në shtyllën e turpit të kombit shqiptar. Aty do të varet, aty do e varim. Po, po, se e meriton. Unë po vij nga një bllokim tjetër. Tirana në duart e qytetarëve nuk ka qenë kurrë si sot. Këmbë pushtetari nuk shikohet, veturat e tyre nuk qarkullojnë. Janë zhdukur si minjtë.
Kryeqyteti i tërë është i qytetarëve! Besuan se, shiu, moti do të na pengonte. Ja, ku jemi më shumë se kurrë nga e gjithë Shqipëria në këtë betejë, e cila ndalet vetëm kur të krijojmë qeveri teknike dhe qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë", tha Berisha.
Protestuesit tek Zogu i Zi i kanë hapur rrugën një ambulance.
Përgjithësisht situata tek Zogu i Zi duket e qetë dhe nuk ka bllokim të qarkullimit.
Protesta e PD dhe opozitës ëshë ndarë ashtu si herën e fundit në disa pika të kryeqytetit. ku me anë të mosbindjes civile synohet të bllokohet trafiku.
Pjesë e kësaj proteste është edhe kreu i PD-së Sali Berisha, hera e parë pas daljes së arrestit shtëpiak.
Vijon protesta te “Sheshi Uillson”, ndërsa nuk raportohen incidente, por i gjithë sheshi është i bllokuar.
Gazetarja e Report TV, Raziela Myslimaj informoi se të dyja kahet e qarkullimit janë bllokuar në orën 5.
Ka shkuar në qetësi dhe pa incidente. Thirrje të policisë, ndaj organizatorëve dhe veçanërisht Gazment Bardhi. Policia e cilëson vepër të kundraligjshme, pasi është bllokuar rruga për qytetarët. Por Bardhi ka thënë se Policia ishte njoftuar dhe tubimi është kushtetues.
Prezent me PD edhe aleatët e saj, si kryetari i Republikanëve, Fatmir Mediu dhe ata të PL, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho.
Policia ka ngritur dy kordonë. Protestuesit janë përhapur në të gjithë sheshin, por koha e keqe nuk i favorizon.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, ka ndjekur live nëpërmjet telefonit, nga sheshi “Uillson” ku ndodhej me pjesën tjetër të grupit, fjalimin e kryetarit Sali Berisha, i cili ndodhej në një tjetër nyje të bllokuar nga PD.
Bardhi e ka shfrytëzuar këtë moment edhe për të bërë batuta me Fatmir Mediun, deputetin republikan, i cili duket se ka mbërritur me vonesë në shesh, ku ishte caktuar sipas planit të organizimit të protestës.
“Ju pritem sa ju pritem dhe filluam pa ju...!”, iu shpreh ai në lidhje telefonike.
Sali Berisha ishte sot në protestën e parë që pas lirimit nga arresti shtëpiak. Në fjalën me gazetarët nga rruga e Elbasanit një nga pikat e bllokuara sot nga PD-ja, Berisha dha mesazhin për kryeministrin Rama duke e krahasuar me rënien e Assad në Siri.
Por ai shtoi se PD dhe opozita do përdorin mosbindjen civile dhe jo armët. Më tej iu përgjigj pyetjes për qytetarët që bllokohen në trafik prej protestës së opozitës, duke thënë se është betejë edhe për ta.
'Qeveria Rama nuk ka të ardhme. Beteja me diktaturën është një betejë e vështirë por nuk kthehemi prapa. Me Ramën nuk ka zgjedhje, ka betejë për zgjedhje. Ne jemi shumë të qartë. Nuk bojkotojmë zgjedhjet. Beteja e pandalshme deri në përmbysje. bëjmë gjithçka që kjo diktaturë të shporret me mosbindje civile. e Patë Assad so përfundoi. Ia mbathën 35 mijë ushtarë. Nuk i mbron kush diktatorët. Ne jemi për mosbindje civile. Nuk i reziston dot ai.
Disa qytetarët u vështirësohet dhe mund të lëndohen. Por nga ana tjetër fitojnë sepse është betejë për ti çliruar nga një narkodiktaturë dhe është sakrificë që ja vlen.'
Sali Berisha në një prononcim për mediat nga protesta te rruga e Elbasanit tha se nuk tërhiqen nga mosbindja civile deri në arritjen e qeverisë teknike. Berisha nuk dha detaje nëse do shkojë në pikat e tjera ku po protestohet, në disa nyejt kryesore të Tiranës. Kjo është protesta e parë që Berisha merr pjesë që prej lirimit nga arresti shtëpiak.
Berisha tha se kanë mënyra të tjera të mosbindjes civile, por nuk zbuloi skenarë. Madje, nuk përjashtoi as një rikthim të kaosit në Kuvend. Pyetur nga gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku për rrëzimin e kërkesës për ngritjen e një komisioni Hetimor për Portin e Durrësit, Berisha tha se nuk e pranojnë refuzimin dhe do të vijojnë mosbindjen civile. Berisha theksoi se në asnjë rast nuk i bojkotojnë zgjedhjet.
Berisha: Asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar objektivat e tyre, sot një nga ditët më të veçanta të dhjetorit, por sot është përsëri dita e demokratëve. Ja ku jemi në detyrë, në protestë, në revoltë, në mosbindje ndaj narkodiktatorit. Ky dimër premton të jetë i vështirë, si për argatin e Tiranës ashtu edhe për padronin e Beogradit. Edhe në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin, edhe në Tiranë diktator tashmë nuk ka, i përshëndes nga zemra të gjithë ata qytetarë e demokratë që janë mbledh sot nga të katër anët e vendit dhe kanë marrë Tiranën në duart e tyre. Përshëndes qytetarët e Tiranës dhe i siguroj se kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë dhe se ne nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Po nuk e pranoi, rrëzohet me mosbindje civile. Kodi i përmbysjes së diktatorëve. Po përfundojnë si kufoma politike njëri pas tjetrit, mendoni çdo ishte sot Veliaj po të mos kishte qenë mosbindja civile. Ne kemi sakrifikuar, kemi bërë bëtaja, por betejat tona janë shpërblyer kanë patur rezultat në disa aspekte të jashtëzakonshme. Zëri ynë u dëgjua në gjithë botën.
Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku: Jo në të gjitha aspektet keni pasur sukses, sot PS rrëzoi kërkesën për Komisionin Hetimor për portin e Durrësin
Berisha: Nuk e falim kurrë portin e Durrësit. Dakord ata nuk pranojnë, por as ne nuk e pranojmë refuzimin. Çdo formë e mosbindje civile është e mundshme, ne tërhiqemi vetëm kur të votohet qeveria teknike. Qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Rama është i humbur e patë se si kishte ra audienca e tij në TikTok, edhe më e keqe është në Instagram. Rama e ka kuptuar këtë dhe është i pashpresë, përpiqet në mënyra të ndryshme, pro tani është radha jonë.
Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku: Kur do nisni primaret?
Berisha: Do përgatitemi, do fillojnë.
Berisha: Qeveria Rama nuk ka të ardhme, beteja me diktaturën është një betejë e vështirë, por beteje me të cilën ne nuk kthehemi kurrë më mbrapa. Me Ramën s’ka zgjedhje, ka betejë për zgjedhje. Ne jemi shumë të qartë.
Bojkot zgjedhjesh?
Berisha: Në asnjë rast nuk bojkotohen, beteja është e pandalshme deri në përmbysjen e tij. Ne bëjmë gjithçka që kjo diktaturë të shporret me mosbindje civile. Të jeni të sigurt që nuk i reziston dot.
Ju e patë Assadin si përfundoi. 35 mijë ushtarë të Assadit me 300 rebelë. Diktatorët nuk i mbron kush. Diktaturat përmbysen ose me armë ose me mosbindje civile. Nuk i reziston dot mosbindjes civile.
Vijon e qetë protesta e Partisë Demokratike tek Bashkia e Tiranës.
Në pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet se aty janë mbledhur një numër i vogël protestuesish.
Me çadra në duar për shkak edhe të reshjeve të shiut, ata shihen teksa qëndrojnë para ambienteve të bashkisë, ndërsa aty shihen edhe forca të shumta policie.
Tensione në nyjën e rrethrrotullimit të “Sheshit Uillson”, ku nuk mungojnë përplasjet me Policinë, e cila përsëriti thirrjet me megafon për lirim rruge.
Bardhi përsëriti se qytetarët protestojnë konform ligjit dhe Kushtetutës, kurse uniformat blu kërkuan largimin në segmenti rrugor.
“Unë nuk protestoj dot në ballkon. I nderuar punonjës i policisë, je në shkelje të ligjit. Ke detyrën për të devijuar trafikun, e ke devijuar sipas ligjit, ke mbështetjen tonë. Nuk ka nevoj për mur me mua”, tha bardhi.
Por Policia përsëriti thirrjet me megafon:
“Të nderuar qytetarë bllokimi i rrugës është kundravajtje penale, lironi rrugën, do mbani përgjegjësi!”.
Kjo thirrje irritoi deputetin e PD, që i akuzoi dhe kërcënoi efektivët.
“Po shpërdoron detyrën, je në shërbim të krimit të organizuar apo kundër krimit të organizuar. Ne jemi këtu çdo ditë kundër krimit të organizuar dhe luftojmë me shefat tuaj që bashkëpunojnë me krimin e organizuar. Ne kemi dalë për policët e ndershëm që luftojnë krimin e organizuar. Pse e zhurmon me megafon protestën në shkelje të ligjit dhe në shërbim të krimit. Sa kohë ke që nuk të është rritur rroga, po për çmimet, jemi këtu edhe për ty, edhe për zotërinë dhe për të gjithë punonjësit e policisë. Jeni për të zbatuar ligjin, jo për të sulmuar opozitën. Protesta është edhe për pensionin e nënës dhe babës tuaj”, tha deputeti demokrat në fjalën e tij.
Kryetari i PD, Sali Berisha i është bashkua protestës së thirrur ditën e sotme. Për herë të parë pas lirimit nga arresti shtëpiak, Berisha iu bashkohet militantëve në protestë.
Ish-kryeministri doli nga selia blu dhe iu bashkua protestës në rrugën e Elbasanit.
Protestuesit e PD kanë bllokuar qarkullimin e makinave tek Bashkia e Tiranës.
Gazetari i Report Tv Sokol Dema, nga bashkia raportoi se ka pasur një përplasje të vogël mes protestuesve dhe drejtuesve të automjeteve që ngelën të bllokuar në rrugë.
Policia ka bërë thirrje që të mos bllokohen rrugët, pasi nëse do të bllokohen rrugët policia do të ndërhyjë.
Qytetarët janë grumbulluar për protestën e thirrur nga PD edhe në rrethrrotullimin e Zogut të Zi.
Në fakt pjesëmarrja është e ulët. Ndihmohet nga çadrat duket sikur ka shumë njerëz, raporton gazetarja Esiona Konomi.
Por është e ulët krahasuar me herën e fundit që edhe ajo ishte e vogël, protesta shkon drejt zvogëlimit.
Policia po oirenton qytetarët në automjete të kthehen mbrapsht të bëjnë manovra dhe të përdorin rrugë dytësore.
Qytetarët ende nuk kanë artikuluar ndonjë kërkesë për të kuptuar se për çfarë janë këtu.
Nisin përplasjet e para mes përfaqësuesve të opozitës dhe Policisë te Sheshi Uilson. Tubuesit kanë bllokuar rrugën dhe qarkullimin, teksa uniformat blu të bëra gardh kërkojnë lirimin e aksit, teksa moti i keq me reshje shiu ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët.
Policia paralajmëroi lirimin e rrugës, por kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi u përball me ta, duke thënë se tubimi është i ligjshëm dhe s’ka nevojë për leje në Polici.
Gazment Bardhi: Jemi paqësor, na keni rrethuar. Ju lutem mos provokoni protestuesit, kemi të drejtën për të protestuar Mos ndërhyni, kam të drejtë kushtetuese!
Policia: keni bllokuar rrugën, po shkelni ligjin, lirojeni!
Bardhi: Rrugën do ta bllokoj, nuk do ta bëj te ballkoni shtëpisë tuaj, nuk keni të drejtë të pengoni qytetarët. Është detyra juaj të merrni masa të devijoni trafikun. Garantoni lëvizjen e qytetarëve, merrni masat, ka vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë në raste tubimi nuk merret leje, por njoftohet. Ne ju kemi njoftuar.
Policia: Nuk keni marrë leje për rrugën, po shkelni ligjin, duhet të lironi rrugën!
Bardhi: Nëse doni ndihmë për trafikun ju ndihmojmë ne. Unë po flas për ligj dhe uniformë, jeni me uniformë. Më thoni ku po e shkel ligjin. Devijoni trafikun më poshtë. Nuk kemi qëllim bllokimin e lirisë së qytetarëve. Ju garantoni tubim dhe lëvizjen e lirë, jemi paqësisht, s’kemi ndërmend për akte dhune. Respektoni Kushtetutën dhe Ligjin, ndaj mos ndërhyni. Nuk ka qytetarë të dorës së parë dhe dorës së dytë, ku disa kanë të drejtë dhe disa jo.
Policia: Duhet të lironi rrugën... (thirrje me megafon)
Luan Baçi: Mos fol me megafon, po bën gabim o burrë...!
Policia me megafon: Hapni rrugën, të nderuar qytetarë, po shkelni ligjin. Do zbatojmë ligjin, lironi rrugën.
Bardhi: Është e drejtë kushtetuese, zbatoni ligjin...
Protestuesit e PD kanë bllokuar qarkullimin e makinave te Pallati me Shigjeta.
Ndërkohë që policia bën thirrje për lejimin e qarkullimit të makinave, përfaqësuesi i PD, Klevis Balliu me anë të një megafoni thotë se të gjithë kanë marrë njoftim për protestën.
Më tej ai shton se protesta është e drejtë kushtetuese, prandaj duhet që t'i lënë që të protestojnë.
Ka nisur protesta e opozitës e shtrirë në disa akset kryesore të Tiranës. Protestuesit në rrugën e Elbasanit kanë bllokuar kryqëzimin, ndërsa policia po merr masa për devijimin e qarkullimit.
Nis protesta e opozitës në 6 nyjet kyçe të Tiranës, sot (23 Dhjetor), me program që zgjat 3 orë sipas kërkesës për leje në Polici (17:00-20:00).
Aksi i parë që bllokohet është ai te rrethrrotullimi i “Sheshit Uillson”. Kjo është pika e parë që bllokohet.
Gazetarja e Report TV, Raziela Myslimaj informon se pjesëmarrësit, që kanë sfiduar motin e keq me shi, kanë nisur bllokimin e rrugës për mjetet.
Në këtë shesh janë të përfaqësuara Degët 5, 12, Qarku Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër. Me deputetët: Gazmend Bardhi, Bujar Leskaj Luan Baci, Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Eralda Bano, Ilda Dhori, Saimir Korreshi dhe Tritan Shehu, të mbështetur nga përfaqësues të Kryesisë si; Enno Bozdo, Keltis Kruja dhe Indrit Hoxha.
Report Tv mëson se si do jetë shpërndarja e Kryesisë së PD dhe deputetëve sot në 5 pikat e protestës në Tiranë.
Ashtu si protestën e 26 nëntorit, do bllokohen zonat tek Zogu i Zi, Ura te Xhamia në rrugën e Elbasanit, sheshi Uilson, Pallati me Shigjeta dhe pranë bashkisë Tiranë.
Bie në sy që pjesa më e madhe e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë do të vendosen në rrugën e Elbasanit, aty ku është pranë dhe selia e Partisë Demokratike.
Pozicioni i deputetëve dhe Kryesisë në protestë:
'1 -BASHKIA TIRANE
Degët 7, 9, 10 dhe 14
Deputetë: Edi Paloka, Dhurata Cupi, Lodovik Hasani, Ina Zhupa
Kryesi: Aldo Bumci, Belind Kellici, Besart Xhaferri, Grigels Muçollari, Ylli Asllani, Ervin Minarolli
2 -RRETH RROTULLIMI ZOGU I ZI
Deget 11, Kamëz, Vorë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Kukës
Deputete: Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Ferdinand Xhaferri, Andia Ulliri, Petrit Doda, Flamur Hoxha, Isuf Cela, Asllan Dogjani
Fisnik Qosja
Kryesi: Floriana Garo, Gent Strazimiri, Fatbardha Kadiu, Jola Hysaj, Bislim Ahmetaj
3 - RR ELBASANIT, URA TE XHAMIA
Deget 1, 2, 3, 4, 8, Qarku Dibër, Qarku Elbasan, Qarku Korçë
Deputetë: Flamur Noka, Tomorr Alizoti, Xhelal Mziu, Jorida Tabaku, Kreshnik Çollaku, Edmond Spaho, Sorina Koti, Andrea Mano, Qani Xhafa, Zheni Gjergji, Dashnor Sula
Kryesi: Ivi Kaso, Jozefina Topalli, Edit Harxhi, Çlirim GJata, Florion Mima, Eleina Qirici, Mimoza Hajdarmataj, Megi Balliu
4 - SHESHI UILLSON
Deget 5, 12, Qarku Fier, Berat, Vlore Qarku Gjirokastër
Deputetet: Gazmend Bardhi, Bujar Leskaj Luan Baçi, Bledion Nallbati, Lefter Geshtenja, Eralda Bano, Ilda Dhori, Saimir Korreshi, Tritan Shehu
Kryesi: Enno Bozdo, Keltis Kruja, Indrit Hoxha
5 - PALLATI ME SHIGJETA
Deget 6, 13, 15, 16 Qarku Lezhë, Qarku Shkodër
Deputete: Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli, Lindita Metaliaj, Helidon Bushati, Emilia Koliqi, Ramadan Lika, Greta Bardeli
Kryesi: Luçiano Boci, Bardh Spahia, Ledina Mandia, Lorenc Luka, Klevis Balliu'
Lidhur me protestën e sotme të opozitës, policia e shtetit ka dalë me një njoftim për mediat. Aty thuhet se policia garanton të drejtën e tubimit dhe protestës, por nuk garanton ato protesta që bllokojnë qarkullimin e automjeteve.
Kjo pasi PD dhe opozita priten të bllokojnë disa akse në kryeqytet, Unaza e vogël, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Bllokimi i qarkullimit, vijon më tej policia është vepër penale dhe ata që ndërmarrin këto nisma do përballebn me pasojat e shkeljes së nenit. Së fundmi policia shton se ka ndërmarrë masa që në rast bllokimit të devijohet trafiku.
'Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 23.12.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht:
Unaza e vogël, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.
Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.
Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore në qytetin e Tiranës, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.
Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.', njofton policia.
Deputeti i PS Erion Braçe, ka reaguar lidhur me protestën e opozitës, e cila do të zhvillohet ditën e sotme në Tiranë, orën 17:00.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se bllokimi i rrugëve në kryeqytet është kundër interesit të qytetarëve.
Deputeti thotë se protesta e opozitës është njësoj si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes për të dëmtuar qytetarët, duke iu referuar sulmit të ndodhur në një treg Krishltindjesh në Gjermani.
‘Tirana do ta ketë ditë vuajtje sot, bashkë me të, të gjithë ata që vijnë e ikin në këtë qytet, të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, punojnë këtu, duan të kryejnë nevojat e tyre, përfshi nevojat e tyre jetësore në këtë qytet!
Të bllokosh Tiranën, nuk është interes publik, është kundër interesit publik! Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes e në orët e pasdites, është mu si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes për të dëmtuar, krijuar panik, trembur!
Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes, një festë që e festojnë të gjithë bashkë, pa ndarje e në paqe me njëri tjetrin, është thjesht mllef e urrejtje ndaj njerëzve normale që nuk të bëhen pjesë, nuk të mbështesin, duan të mbetet normale në këtë qytet’, thotë ai.
Keta jo deputet te jene po cfare te duan keta duhte te ishin arestu si qellon policin pa qelloje ne vend te huaj e shef me kem perpjete kushdo qe te jete turp per ate shtet duan dhe te vine ne pushtet keta
PërgjigjuOPOZITE ME TE KORRUPTUAR,,,,E ME KRIMINALE SE PD,,NUK GJEN,,VITIN TJEYER DO PROVOJ PARTITE E REJA,,, DO VOTOJ PER ARLIN QORRIN...DJALE SERIOZ DHE I MIRE....
PërgjigjuVend qesharak, shtet qesharak, politikane qesharak.
PërgjigjuKjo eshte menyra me e lehte te humbesh vota,votues dhe perkrahes te heshtur qe mund te mos votojne per ju,por mund t'ju perkrahin ne parime.
PërgjigjuNa myten kokcepshat e kokpalaret e maleve. Sa te jete Saleh Hundspata e Mul Gomari, Tirona vetem keto skena do perjetoje. Na myten maloket e shpellaret e Sales.
PërgjigjuMe Saliun në WC do shkoni, të gjithë me prostatë
PërgjigjuCfare qeverie teknike kerkon PD? Per cfare arsye? Jam demokrat nga tparet dhe familje persekutuar, por me kto palacolliqe nuk merret pushteti. Dhe nese neser votohet dhe sadoqe populli eshte i lodhur me kte qeveri, per te mos votuar Salen do votojne PS. Turp per Flamur Noken se ka qene edhe minister i brendshem dhe sillet si rrugac halabak. Ca taksirati ka mileti me ngel i bllokuar neper rruge se kto kane kapricot per pushtet. Kshtu si e kane nis as per 25 vjet nuk vjen mo PD npushtet. Turp turp i zotit
PërgjigjuIk mor legen zorresh
PërgjigjuE mbaroi kurrën Saliu!? E tash e lirun nga arresti , por sëmundja kthehet
PërgjigjuShtet i mbaruar, e le Tiranen ne duart e nje grushti banditesh!
PërgjigjuNQS ka qelluar me grusht policin ,perse nuk arrestohet ne flagrance dhe ti dorezohet SPAKUT. Nqs nuk ndodh kjo atehere i bije qe policia po shkel ligjin.
PërgjigjuNuk bllokon as Ramen as qeverine Sali Qameti me kete rremuje. Bllokon njerezit qe kane punet dhe hallet e tyre. Nuk nxjerr dot 50 -100 mije vete ne shesh dhe ben keto palacolleqe. Nje pakice e semure po i ben te pamundur jeten qytetareve te Tiranes. Asnje vote nuk i shtojne dot vetes keshtu.
PërgjigjuBerisha sa here nuk merr dot pushtetin me vota, kerkon ta mare ne tavoline me manovra si kjo e qeverise teknike. Sa me shume te nderhyjne ne jeten e qytetareve me keto bllokime, aq me pak vota do marrin! Lerini do lodhen e do japin shpirt si cifuti ne shkretetire! Mjer ky popull se cfare opozite ka! Nje 80 vjecar i shpetojnr pordhet duke pire uje!
PërgjigjuE pēr çfar do protestoi Sali bajga ? Pēr vjedhjet e pēr vrasjet qē ka bēr ? Pty rac pise.
PërgjigjuMIRÈSEVINI nè ceremoninè e palaçollèkut tè vrasèsit dhe hajdutit komunist "demokrat",tè minuesit sè demokracisè shqiptare, qè nèpèrmjet tij u lind e vdekur dhe degjenerojè nè shkèrdhatokraci, MIRÈSEVINI nè teatrin e NONGRATÈS dhe eunukève lèpirès tè tij, qè nè bashkèpunim tè ngushtè me Edvin strategun, njishin, rilindasin, Skèndèrbeun e servilizmit patologjik,,,,mbajnè Shqipèrinè peng tè hajdutèrisè sè tyre dhe qè sè bashku,,,i bashkon vetèm frika nga SPAK. Vetèm nè njè shtèpi tè marrèsh, NONGRATA KRIMINEL ORDINER, luan rolin e alternativès qeverisèse. Tè dyja palèt KANÈ MARRÈ FUND dhe nuk pèrfaqèsojnè aspak vullnetin e shumicès absolute shqiptare,,,por vetèm tè 100 njè grushti tè korruptuarish qè herè si pjesè e ish administratès e herè si pjesè e krimit,,,,shpresojnè qè gjithçka do tè rrijè siç ishte.
Përgjigju