Sociale

Matura Shtetërore/ 27 mijë nxënës testohen për gjuhën e huaj! 74-vjeçari maturanti më i moshuar! Publikohet teza

3 Qershor, 07:07| Përditesimi: 3 Qershor, 17:03

  • Share

Skënder Cena është një prej 27 mijë maturantëve që iu nënshtrua provimit të parë të Maturës Shtetërore.

Si një dëshmi e gjallë e shprehjes se dëshira për të mësuar nuk njeh moshë, 74-vjeçari realizon një ëndërr të kahershme për të kryer arsimin e lartë.

Krah tij qëndrojnë gjimnazistë 18-vjeçarë të Kamzës, që mund të jenë moshatarë të nipërve e mbesave të tij.

Skënderit i duhet tashmë të presë përgjigjet e testimeve për të mësuar nëse do ta vazhdojë apo jo shkollën e lartë, pasi provimet e tjera i ka marrë të gjitha, që në vitin 2016, kur kreu studimet e mesme në shkollën profesionale.

Provimit të gjuhës së huaj këtë të martë iu nënshtruan mbi 27 mijë maturantë. Disa prej tyre  rrëfejnë emocionet e rrugës së posanisur drejt një etape të re të jetës.

Në një mesazh drejtuar maturantëve, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu i garantoi për një proces transparent e të sigurt.

Në një reagim, ministria e Arsimit garantoi se publikimi i kësaj teze nuk cenon procesin e Maturës Shtetërore.

Testimi i radhës do të jetë ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë më 10 qershor, matematika më 17 qershor, dhe më 24 qershor lëndët me zgjedhje. Janë ngritur 145 qendra testimi sipas standardeve, ndërsa 640 mësues janë përfshirë në procesin e vlerësimit.

 

Ora 13:26
Dija nuk njeh moshë/ Maturanti 74-vjeçar nga Kamza jep provimin e Anglishtes (VIDEO)

 

Skënder Cena, i lindur më 8 nëntor 1951, është maturanti më i vjetër që zhvilloi sot provimin e Anglishtes, në Shkollën e Mesme Profesionale Kamëz.

Siç duket edhe nga pamjet 74-vjeçari duket i buzëqeshur teksa hyn mjediset e shkollës.

Në vitin 2016, Skënderi përfundoi mësimet në ciklin part-time të Shkollës së Mesme Profesionale Kamëz, duke kaluar të gjitha provimet me përjashtim të gjuhës së huaj.

Por edhe pse në këtë moshë ai rikthehet pranë kësaj shkolle me shpresën për ta përmbyllur me sukses ciklin dhe për të marrë diplpmën.

Ora 11:05
Ministria e Arsimit reagon pas publikimit të tezës së Anglishtes: Akt i shëmtuar fotografimi, por nuk cenon provimin

Foto: Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit reagon pasi teza e anglishtes qarkulloi në rrjete sociale pas 20 minutash pas nisjes së provimit.

Duke e quajtur akt të shëmtuar MAS tha se publikimi i tezës nuk cënon procesin, ndërsa provimi po zhvillohet me standarde të larta.

Deklarata e plotë:

Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron maturantët, prindërit, mësuesit dhe gjithë publikun e gjerë se provimi i gjuhës së huaj, i Maturës Shtetërore 2025, po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në transparencë të plotë, sipas rregullores në fuqi duke garantuar standardet më të larta të testimit për 27 mijë maturantët në të gjithë Shqipërinë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron maturantët, prindërit, mësuesit dhe gjithë opinionin publik se provimi i parë i Maturës Shtetërore 2025, gjuha e huaj, po zhvillohet sipas standardeve më të larta të sigurisë dhe transparencës, në përputhje me Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës së lëndës gjuhë e huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe nuk mund të hedhë poshtë punën e palodhur të mijëra mësuesve, administratorëve dhe punonjësve të strukturave arsimore në të gjithë vendin, që kanë punuar prej muajsh me përkushtim për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon me forcë çdo akt që synon të dëmtojë besueshmërinë dhe integritetin e Maturës Shtetërore, duke theksuar se çdo përpjekje për të prishur mbarëvajtjen e procesit të provimeve do të trajtohet me rigorozitet, sipas rregullores në fuqi.

Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se provimi po zhvillohet me standardet më të mira, duke i dhënë mundësi maturantëve të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e përfituara gjatë viteteve të studimit.

Këto standarde janë garantuar nga strukturat arsimore në çdo hallkë të procesit: Nga hartimi i testeve me profesionalizëm dhe siguri të plotë, deri te përgatitja dhe certifikimi i personelit administrativ. Janë kryer konsultimet në shkolla, testet model të shpërndara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore që në muajin janar, zhvillimi i para-testeve në shkolla si dhe mbështetja psikologjike për përballimin e stresit të provimeve, si masa që kanë shoqëruar përgatitjen për Maturën 2025.

Kemi forcuar vit pas viti edhe elementët teknikë të kontrollit, përfshirë kamerat e sigurisë, rregullat për hyrje-daljet dhe standardet e administrimit, duke synuar një ambient të qetë dhe të përshtatshëm për çdo nxënës.

Ora 08:33
Sot provimi i parë i maturës, Manastirliu: Besoni te vetja, më e mira është para jush

 

Mbi 27 mijë maturantë do t'i nënshtrohen sot provimit të gjuhës së huaj. Në këtë ditë të rëndësishme për nxënësit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një mesazh inkurajues për maturantët.

“Sot nis një moment shumë i rëndësishëm për ju, provimet e Maturës Shtetërore. Mbi 27 mijë prej jush, do të përballeni me një seri provimesh që nuk matin vetëm atë që keni mësuar, por edhe përkushtimin dhe mundin që keni treguar gjatë gjithë këtyre viteve të gjimnazit. Sot nisni me gjuhën e huaj. Më pas do të vijnë provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë më 10 qershor, matematika më 17 qershor, dhe më 24 qershor do të zhvilloni lëndët me zgjedhje.

E vetmja gjë që kërkohet sot prej jush është të përqendroheni tek ajo që dini. Pjesa tjetër, organizimi dhe mbarëvajtja e maturës është përgatitur me shumë kujdes: nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, deri tek ekspertët e Qendrës së Shërbimeve Arsimore që për muaj me radhë kanë punuar për ta garantuar këtë proces si të drejtë, të sigurt dhe të besueshëm për të gjithë”, tha Manastirliu.

Ministrja vuri në dukje masat e ndërmarra për garantimin e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës teksa theksoi se janë përzgjedhur me kujdes qendrat e testimit dhe është ndërtuar një fond pyetjesh në përputhje me programet orientuese.

“Që në janar janë shpërndarë modelet e testeve, janë zhvilluar para-testime në shkolla për të identifikuar vështirësitë, janë organizuar trajnime intensive me hartuesit, administratorët dhe vlerësuesit e testimit. Janë përzgjedhur me kujdes qendrat e testimit dhe është ndërtuar një fond pyetjesh në përputhje me programet orientuese. Në këtë proces janë angazhuar 145 administratorë të trajnuar, të cilët do të kujdesen për çdo aspekt të provimit: nga tërheqja e materialeve, kontrolli i ambienteve dhe ruajtja e fshehtësisë, deri tek dorëzimi i testeve. Ata do të jenë aty për t’ju dhënë të gjithë qetësinë dhe sigurinë që ju keni nevojë. Janë ngritur 145 qendra testimi sipas standardeve, ndërsa 640 mësues janë përfshirë në procesin e vlerësimit, për të garantuar një maturë transparente dhe të drejtë për të gjithë”, tha Manastirliu.

Manastirliu vuri theksin te risia e këtij viti që është përfshirja më e gjerë e nxënësve me nevoja të veçanta.

“Kemi ndërmarrë edhe një hap të rëndësishëm për përfshirjen e nxënësve me nevoja të veçanta nëpërmjet testeve specifike. Për herë të parë, për nxënësit që nuk dëgjojnë do të kenë pranë tyre mësues të gjuhës së shenjave gjatë testimit, një masë që siguron dhe nxit barazinë dhe dinjitetin për çdo nxënës.

E dimë që keni kaluar shumë kohë duke studiuar, duke bërë ushtrime dhe duke u përgatitur. E dimë që keni pasur dhe do të keni emocione në këtë muaj, si dhe dilemat tuaja. Ajo që ne si prindër e si mësues ju themi është: Besoni tek vetja, më e mira është përpara jush për gjithçka që vjen pas këtij momenti në rrugëtimin drejt një të ardhmeje të shkëlqyer për të gjithë!”, përfundoi Manastirliu.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?