Rreth 34 mijë maturantë iu nënshtruan provimit të parë të Maturës Shtetërore 2021, atij të gjuhës së huaj.
Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në 12:30, ndërsa edhe këtë vit u zbatuan masat anti-COVID, brenda 208 qendrave në të gjithë vendin ku janë zhvilluar testet.
Ndryshe nga vitet e kaluara, tezat e sivjetshme përmbajtën pyetje me alternativa dhe me zhvillim, që ishin të orientuara drejt përgjigjeve logjike dhe jo riprodhimit. Testi në total ka 60 pikë dhe pragu i kalueshmërisë është 25%, ose 15 pikë.
Për mbarëvajtjen e provimeve, mbikëqyrja u bë nga përfaqësues të MASR dhe përgjigjes administrimi. Dhe në rast konstatimi të telefonit apo kopjes, maturanti përjashtohet nga provimi dhe do ta kryeje atë në vjeshtë dhe jo si vitet e kaluara kur pezullimi ishte një vit. E njëjta gjë vlen edhe nëse nxënësi rezulton i infektuar me COVID.
Provimet e tjera do të zhvillohen 4 ditë diferencë ndërmjet njëra- tjetrës. Ato do të zhvillohen më 7 qershor Gjuha Shqipe, 11 qershor Matematika dhe 15 qershor Lënda me zgjedhje.
Sot maturantët do të zhvillojnë provimin e Gjuhës së Huaj. Kryeministri Edi Rama, ka uruar suksese për maturantët përmes një videoje në rrjete sociale.
“Suksese maturantëve pas një viti tejet të vështirë”, shkruan Rama.