400 maturantë dhanë këtë të mërkurë testin e pranimit në Fakultetin e Arkitekturës, për të siguruar një vend në disa prej degëve më të kërkuara në vend.
Në orët e para të mëngjesit, atmosfera në Pallatin e Kongreseve ishte e mbushur me emocion. Për shumë prej tyre, ky test përfaqëson një hap vendimtar drejt realizimit të ëndrrës për t’u bërë arkitektë të së ardhmes.
“Dëshira ka qenë që kur kam qenë e vogël. Kam qenë më shumë nga ana e pikturës, kështu që lidhet edhe arkitektura. Jam gjithmonë mbas degëve të inxhinierisë së ndërtimit, arkitekturës, urbanistikës.”
“Familja nuk ka ndikuar fare në zgjedhjet e mia. Ka qenë personale. Po bëj kaq vite domethënë që jam i fiksuar me arkitekturën”, shprehen maturantët.
Dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Armand Vokshi, thotë se këtë vit vihet re një rritje e interesit të maturantëve.
“Fazën fillestare kemi pasur diku 3300 të cilët kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e fakultetit tonë. Pastaj në përzgjedhjen ose më saktë në regjistrimin e testit kanë rezultuar diku 400. Për ne është një shifër e kënaqshme sepse janë diku 50 studentë ose kandidatë për të qenë studentë pranë nesh më shumë se sa në vitin e shkuar”, shprehet ai.
Në dispozicion të maturantëve janë 95 për Arkitekturë, 50 për Urbanistikë dhe 30 për Interier Dizajn. Pyetjet janë konceptuar në mënyrë që të dallojnë më të mirët.
“Ne përzgjedhim një kandidat i cili është i formuar më shumë nga pikëpamja intelektuale. Kështu që testi i përfshin diku katër fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me logjikën, kanë të bëjnë me vizionin e studentit kanë të bëjnë që me njohuritë atij që ai ka për historinë e artit dhe arkitekturës, por dhe njohuri të përgjithshme që kanë të bëjnë me formimin e tij jo vetëm në gjimnaz, por dhe në jetën e përditshme”, vazhdon Vokshi.
Testi përbën 60% të vlerësimit përfundimtar. Pjesa tjetër e pikëve, 40%, llogaritet nga mesatarja e tre viteve të shkollës së mesme dhe rezultatet e Maturës Shtetërore.
Përllogaritjet përfundimtare të dy komponentëve pritet të bëhen në muajin gusht.
Komente
