Presidenti amerikan Donald Trump është nisur drejt Alaskës për t’u takuar me Presidentin rus Vladimir Putin, në takimin e shumëpritur mes të dyve në orën 21:00 (sipas kohës tonë).
Në bordin e avionit presidencial Air Force One së bashku me gazetarët gjatë fluturimit për në Alaskë, Trump komentoi marrëdhëniet me presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se ai po sjell “një numër të madh biznesmenësh” nga Rusia.
“Më pëlqen kjo sepse ata duan të bëjnë biznes”, tha Trump, duke shtuar se nuk do të ketë marrëdhënie biznesi derisa të përfundojë lufta.
Ai e cilësoi Putinin si një “njeri të mençur” dhe shtoi se ka një “respekt të ndërsjellë” midis të dyja palëve.
Në pyetjen e gazetarëve për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, Trump tha: “Kjo do të diskutohet, por unë duhet të lejoj Ukrainën të marrë këtë vendim dhe mendoj se ata do të marrin një vendim të drejtë”.
Në lidhje me mundësinë që Shtetet e Bashkuara të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën, Trump shtoi: “Ndoshta. Ka një mundësi për këtë, bashkë me Evropën dhe shtete të tjera”.
Më herët gjatë ditës, Presidenti amerikan Donald Trump foli për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë duke thënë se Presidenti rus nuk do të “luajë lojëra” në takimin e tyre në Alaskë.
Trump theksoi se nëse nuk ka mirëkuptim në diskutim, atëherë takimi do të përfundojë brenda pak minutave.
“Do ta kuptojmë menjëherë pozicionin e secilit. Dhe unë do ta di brenda dy, tre, katër apo pesë minutave nëse do të kemi një takim të mirë apo jo,” u tha Trump gazetarëve nga Shtëpia e Bardhë të enjten.
“Nëse është një takim i keq, do të përfundojë shumë shpejt. Por nëse është i mirë, atëherë do të arrijmë paqen në një të ardhme shumë të afërt,” theksoi ai.
Në takimin që do të flitet për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk do të jetë i pranishëm.
Trump-Putin do të takohen ‘kokë më kokë’ fillimisht, më pas do të pasohet nga një takim i delegacioneve dhe drekë pune.
Dy presidentët pritet të diskutojnë edhe tema të tjera përveç Ukrainës, kryesisht për marrëdhëniet tregtare mes dy shteteve.
Ndërkohë nuk është ende e qartë nëse pas takimit mes tyre do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp Trump-Putin. Një ide e tillë ka qarkulluar në shtypin ndërkombëtar, por asgjë zyrtare ende.
Këto janë gjërat kryesore që duhet t’i dini para takimit të presidentit amerikan, Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin ballë për ballë.
Çfarë dëshiron Putini?
Shumë analistë e shohin takimin me Trumpin si fitore për Putinin, teksa lideri rus tenton t’i japë fund izolimit ndërkombëtar.
“Asnjë lider perëndimor nuk është takuar me Putinin prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkallë të plotë. Tani ai e zhvillon një samit me presidentin amerikan, pa ndonjë koncesion paraprak”, ka thënë Jana Kobzova, e cila ka shërbyer si këshilltare për politikë të jashtme për ish-presidenten sllovake, Zuzana Çaputova.
Përtej kësaj, synimi i Putinit vazhdon të mos ndryshojë qysh prej fillimit të luftës.
“Kremlini beson se është në epërsi në fushëbetejë, prandaj nëse nuk mund të bëjë lëshime diplomatike, ai vetëm vazhdon misionin në terren”, ka thënë Kobzova.
Për këtë arsye, Putini pritet t’i rezistojë idesë së pranimit të armëpushimit.
Çfarë dëshiron Trumpi?
Trump ka thënë se dëshiron ta shfrytëzojë këtë samit për ta shtruar rrugën për një takim tjetër që do ta përfshinte edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Besoj që do të jetë takim i mirë, mirëpo edhe më i rëndësishëm do të jetë takimi i dytë që do ta kemi. Do ta kemi një takim me presidentin Putin, presidentin Zelensky, mua, dhe ndoshta do t’i ftojmë edhe liderët evropianë, ndoshta jo”, ka thënë Trump më 14 gusht.
Trump e ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë një armëpushim sa më shpejt që është e mundur, si hap i parë drejt zgjidhjes përfundimtare. Mirëpo, disa analistë kanë thënë se Putini do t’i trazojë ujërat duke bërë propozime tjera.
Jim O'Brien, zyrtari që ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështje evropiane në administratën e Joe Bidenit, ka thënë se ka shumë mundësi që në propozimet e Putinit të dominojë aspekti financiar, si mundësi për t’i shmangur hollësitë konkrete të ndonjë armëpushimi.
“Mund të ketë marrëveshje bilaterale, sidomos për marrëveshje tregtare prej të cilave përfitojnë bizneset amerikane”, ka thënë ai.
Çfarë kërkon Zelensky?
Presidenti ukrainas dëshiron ta ketë një ulëse në tavolinë. Zelensky është përjashtuar nga bisedimet dhe ka paralajmëruar se vendimet që merren në mungesë të tij do të jenë pa asnjë kuptim.
Çështja e koncesioneve territoriale është diçka që Zelensky e ka hedhur poshtë vazhdimisht. Trump ka thënë para samitit se nuk do ta detyrojë Kievin të dorëzojë tokë, mirëpo sugjerimi i tij se Putini dhe Zelensky “mund t’i ndajnë gjërat”, e ka rritur alarmin në Kiev.
Kërkesa të tilla janë të papranueshme jo vetëm për Zelenskyn, por edhe për të gjithë ukrainasit.
Ai shpreson që Trumpi dhe Putini nuk do të pajtohen për diçka që për të është e papranueshme, sepse nuk dëshiron të duket në sytë e Shtëpisë së Bardhë si njeriu që po e pengon procesin e arritjes së paqes.
Si është situata në fushëbetejë?
Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, që përbën afërsisht 114.500 kilometra katrorë.
Vija e frontit të luftës është rreth 1.000 kilometra e gjatë dhe kalon nëpër rajonet e Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit.
Të dyja palët vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha, mirëpo më herët gjatë muajit Rusia ka nisur të shënojë fitore në lindje të Ukrainës, duke avancuar 10 kilometra, teksa ushtria koncentrohet rreth rajoneve të Toretskut dhe Pokrovskut.
Moska vazhdon ta çojë përpara strategjinë që analistët ushtarakë e kanë parë si tregtim të shumë viktimave në luftë, në këmbim të një pjesë të vogël të tokës.
Çfarë ndodh tani?
Trump ka propozuar një takim të dytë trepalësh brenda pak ditësh, i cili mund të mbahet sërish në Alaskë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur më shumë më 14 gusht për kushtet që duhet të plotësohen për të arritur te paqja e qëndrueshme.
“Besoj se të gjithë jemi në dijeni që do të ketë diskutime për garanci të sigurisë. Duhet të diskutohet edhe për kontestet territoriale dhe pretendimet për të cilat luftojnë të dyja palët”, ka thënë Rubio.
Rusia do të vazhdojë të insistojë në diskutimin e asaj që e konsideron “rrënjën” e konfliktit – kod i Kremlinit përmes së cilit kërkon që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO, si dhe marrjen e hapave për çarmatosje të ushtrisë ukrainase.
Secila palë i ka vijat e kuqe, prandaj rruga deri te arritja e paqes nuk është e lehtë. /REL
Presidenti amerikan Donald Trump i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve që ndodhen me të për në Alaska në bordin e Air Force One. Ai tha se presidenti rus po merr me vete shumë njerëz të biznesit nga Rusia, duke shtuar se “Më pëlqen kjo sepse ata duan të bëjnë biznes”.
Por nuk do të bëjë biznes pa zgjidhur luftën, tha Trump.
“Por ne nuk do të bëjmë biznes derisa të zgjidhet lufta. Lufta duhet të ndalet dhe vrasjet duhet të ndalen”.
Sipas Trump, SHBA-të janë vendi më i nxehtë në botë dhe Putini "dëshiron një pjesë të saj" sepse Rusia "nuk është e nxehtë ekonomikisht". Më tej e cilëson Putin si një njeri të zgjuar, dhe se ekziston një “nivel i mirë respekti nga të dyja palët”.
I pyetur në lidhje me sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës, Trump tha se Putin mendon se kjo “e ndihmon atë të bëjë një marrëveshje më të mirë”, por në realitet “kjo në fakt e dëmton atë”.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, mbërriti në një hotel në Anchorage të Alaskës, përpara takimit Trump-Putin i veshur me një bluzë me mbishkrimin “СССР”, versioni rus i akronimit për Bashkimin Sovjetik (USSR).
Në pamje, Lavrov shihet duke dalë nga makina, i veshur me një bluzë T-Shirt ngjyrë të bardhë dhe xhaketë, ndërsa në pjesën e përparme të bluzës duket qartë shkrimi “СССР” (Bashkimi Sovjetik)
Më herët, shefi i diplomacisë ruse kishte kërkuar që të mos bëhen parashikime për samitin në Alaska mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump, i planifikuar për ditën e premte.
Ai theksoi se Rusia ka një qëndrim të qartë, i cili do të prezantohet gjatë takimit.
Gjithashtu, Lavrov shtoi se nuk ka shqetësim përpara këtij eventi.
Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, i njohur edhe shkurt si Bashkimi Sovjetik, ishte shtet socialist që shtrihej në Euroazi nga 1922 deri në vitin 1991 kur dhe u shpërbë.
Bashkimi Sovjetik ishte de facto diktaturë proletariati, me pushtet të përqëndruar rreth Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, që u bë parakusht për udhëheqje të vendit.
Kufijtë e ish-Bashkimit Sovjetik patën ndryshuar përgjatë viteve.
Moska është e gatshme të paraqesë një qëndrim të qartë dhe të mirëpërcaktuar në samitin e ardhshëm mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Trump, i cili pritet të fokusohet kryesisht në konfliktin në Ukrainë. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Në një intervistë për “Russia 24”, Lavrov u shpreh se nuk dëshiron të parashikojë rezultatet e mundshme të samitit.
“Ne nuk bëjmë parashikime paraprake. E dimë se kemi argumente të qarta dhe një qëndrim të përcaktuar. Do t’i paraqesim ato,” tha ai.
Lavrov shtoi se Moska dhe Uashingtoni kanë realizuar tashmë përparime të rëndësishme përmes vizitave të të dërguarit amerikan, Steve Witkoff, në Rusi. Ky i fundit ka udhëtuar pesë herë në Rusi që nga inaugurimi i Trump, ndërsa bisedimet e fundit, që zgjatën tre orë dhe u përqendruan kryesisht në konfliktin në Ukrainë, janë zhvilluar javën e kaluar.
“Witkoff veproi në emër të Presidentit Trump. Shpresojmë që nesër ta vazhdojmë këtë dialog shumë të vlefshëm,” theksoi ministri i Jashtëm rus.
Sipas Moskës, një zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin në Ukrainë mund të arrihet vetëm nëse Kievi pranon të mos anëtarësohet kurrë në NATO, të çmilitarizohet dhe të njohë realitetin e ri në terren.
Kjo përfshin njohjen e Krimesë, Donetskut, Luganskut, Hersonit dhe Zaporizhias si pjesë të Federatës Ruse, rajone që sipas autoriteteve ruse, votuan për bashkim me Rusinë në referendume publike në vitet 2014 dhe 2022.
Presidenti Trump më herët ka sugjeruar mundësinë e një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh mes Rusisë dhe Ukrainës, por Moska ka refuzuar çdo ide për dorëzimin e territoreve të aneksuara përmes referendumeve.
“Është si një lojë shahu”, tha Trump para takimit të tij të 15 gushtit me Putinin, në një intervistë për Brian Kilmeade, gazetar radiofonik i Fox News. “Ky takim përgatit takimin e dytë, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm sepse aty do të bëhet marrëveshja. Dhe nuk dua të përdor fjalën ‘ndarje e gjërave’, por në njëfarë kuptimi nuk është një term negativ: do të ketë një negociatë për kufijtë, për tokat, etj.”
24 orë para udhëtimit të tij në Alaska, presidenti amerikan shpjegoi se objektivi kryesor i takimit me Putinin është hapja e rrugës për një samit trepalësh me Zelenskyn, ku “ndoshta do të sjellim disa nga liderët evropianë, ose ndoshta jo”, siç shtoi ai duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale. Ai imagjinon që në këtë takim trepalësh do të negociohet marrëveshja e paqes: “Do t’i lë ata të negociojnë, unë nuk do ta negocioj marrëveshjen”.
Ndërkohë, Trump shprehet i bindur se mund të kuptojë për 2-5 minuta nëse takimi ballë për ballë me Putinin do të shkojë mirë apo keq. Ai vlerëson se ka “25%” mundësi që të shkojë keq, por mbetet mjaft optimist: “Për shkak të njëfarë marrëdhënieje që ka me mua, besoj se tani është bindur të bëjë një marrëveshje. Do të bëjë një marrëveshje”, i tha ai Kilmeade, përpara se të shtonte megjithatë: “Do ta zbulojmë, do ta di shumë shpejt”. Trump sugjeroi gjithashtu që takimi i dytë, ai me Zelenskyn, mund të zhvillohet madje në Alaska gjatë fundjavës: “Nuk e di nëse do të arrijmë një armëpushim të menjëhershëm, por mendoj se do të ndodhë. Dëgjo, unë jam më i interesuar për një marrëveshje paqeje të menjëhershme, ta arrij sa më shpejt. Dhe, në varësi të asaj që do të ndodhë në takimin tim, do të telefonoj presidentin Zelensky… dhe ta bëjmë të vijë aty ku do të takohemi. Nuk e di ku do të zhvillohet takimi i dytë, por kemi në mendje tre vende të mundshme. Dhe gjëja më e thjeshtë do të ishte të qëndronim në Alaska”. “Wow”, iu përgjigj gazetari, duke e pyetur presidentin nëse i kishte thënë liderit ukrainas të ishte gati për t’u nisur. Por Trump u tërhoq: “Nuk dua të flas për takimin e dytë as me të, nuk dua as të tregoj që mund të ketë një të tillë”.
Trump beson se sanksionet dytësore kundër atyre që blejnë naftë ruse (tashmë të aplikuara ndaj Indisë dhe të kërcënuara për Kinën) kanë ndikuar në vendimin e Putinit për ta takuar. “Sigurisht, kur humbet klientin tënd të dytë më të madh dhe e di se ka shumë mundësi të humbasësh edhe të parin… mendoj se kjo ka peshë. Mendoj se tani e respekton vendin tonë, nuk e respektonte me Bidenin”.
Trump mendon gjithashtu se stimujt ekonomikë mund ta bindin Rusinë, edhe pse nuk konfirmoi dhe as mohoi lajmin e Telegraph se do t’i ofronte Putinit mundësinë për të shfrytëzuar minerale kritike në Alaska ose në Ukrainë në këmbim të armëpushimit (“Mineralet e rralla janë një çështje relativisht jo e rëndësishme, po përpiqemi të shpëtojmë jetë”).
Mbi të gjitha, Trump beson se ka një marrëdhënie të veçantë me Putinin. Presidenti amerikan kritikon mediat që thonë “oh, Trump punon për Putinin” dhe përsërit se “Putin e di që jam më i ashpri me të cilin është përballur ndonjëherë” (sepse ka bllokuar gazsjellësin Nord Stream 2 dhe i ka dhënë Kievit raketat Javelin). Por kohët e fundit, edhe vetë Donald është pyetur nëse marrëdhënia me Vladimirin është ashtu siç e mendonte, pasi pas disa telefonatave në dukje miqësore dhe konstruktive, Putini ka vazhduar të godasë Ukrainën. “I kam dhënë fund gjashtë luftërave për gjashtë muaj dhe jam krenar për këtë. Mendoja se kjo do të ishte më e lehta, por është më e vështira”, tha dje. Trump ka filluar të marrë në konsideratë mundësinë që Putini të dojë të vazhdojë pa u ndalur, por besimi në aftësitë e tij negociuese mbetet më i fortë. “Mendoj se po të mos isha president, ai do ta merrte gjithë Ukrainën, por unë jam president dhe nuk do të më mashtrojë”.
Trump e sheh veten si “një president paqeje” (dhe gjithmonë kërkon Nobelin), por deri tani paqja i ka shpëtuar në konfliktet më të mëdha, në Ukrainë dhe Gaza. Nëse del pa rezultat nga takimi me Putinin, do të jetë e vështirë të quhet fitues. Ekziston mundësia që rusët ta “shpërqendrojnë”, për shembull me një rinovim të traktatit për armët bërthamore që skadon në shkurt. Shpesh shkon në këto takime pa shumë përgatitje, i bindur në aftësinë e tij për ta përdorur forcën e personalitetit si armën fituese./Corriere della sera
Komente
