Presidentët Vladimir Putin dhe Donald Trump

Bota

Donald Trump drejt Alaskës për t’u takuar me Vladimir Putinin, në orën 21:00 samiti i shumëpritur

15 Gusht, 12:45| Përditesimi: 15 Gusht, 15:28

  • Share

Presidenti amerikan Donald Trump është nisur drejt Alaskës për t’u takuar me Presidentin rus Vladimir Putin, në takimin e shumëpritur mes të dyve në orën 21:00 (sipas kohës tonë).

Në bordin e avionit presidencial Air Force One së bashku me gazetarët gjatë fluturimit për në Alaskë, Trump komentoi marrëdhëniet me presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se ai po sjell “një numër të madh biznesmenësh” nga Rusia.

“Më pëlqen kjo sepse ata duan të bëjnë biznes”, tha Trump, duke shtuar se nuk do të ketë marrëdhënie biznesi derisa të përfundojë lufta.

Ai e cilësoi Putinin si një “njeri të mençur” dhe shtoi se ka një “respekt të ndërsjellë” midis të dyja palëve.

Në pyetjen e gazetarëve për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, Trump tha: “Kjo do të diskutohet, por unë duhet të lejoj Ukrainën të marrë këtë vendim dhe mendoj se ata do të marrin një vendim të drejtë”.

Në lidhje me mundësinë që Shtetet e Bashkuara të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën, Trump shtoi: “Ndoshta. Ka një mundësi për këtë, bashkë me Evropën dhe shtete të tjera”.

Më herët gjatë ditës, Presidenti amerikan Donald Trump foli për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë duke thënë se Presidenti rus nuk do të “luajë lojëra” në takimin e tyre në Alaskë.

Trump theksoi se nëse nuk ka mirëkuptim në diskutim, atëherë takimi do të përfundojë brenda pak minutave.

Do ta kuptojmë menjëherë pozicionin e secilit. Dhe unë do ta di brenda dy, tre, katër apo pesë minutave nëse do të kemi një takim të mirë apo jo,” u tha Trump gazetarëve nga Shtëpia e Bardhë të enjten.

“Nëse është një takim i keq, do të përfundojë shumë shpejt. Por nëse është i mirë, atëherë do të arrijmë paqen në një të ardhme shumë të afërt,” theksoi ai.

Në takimin që do të flitet për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk do të jetë i pranishëm. 

Trump-Putin do të takohen ‘kokë më kokë’ fillimisht, më pas do të pasohet nga një takim i delegacioneve dhe drekë pune.

Dy presidentët pritet të diskutojnë edhe tema të tjera përveç Ukrainës, kryesisht për marrëdhëniet tregtare mes dy shteteve.

Ndërkohë nuk është ende e qartë nëse pas takimit mes tyre do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp Trump-Putin. Një ide e tillë ka qarkulluar në shtypin ndërkombëtar, por asgjë zyrtare ende.

Ora 15:13
Trump: Nuk ka biznes me Rusinë derisa të përfundojë lufta

1755263631_0b082548a34b4057935f40c0c48e164b.jpg.webp

Presidenti amerikan Donald Trump i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve që ndodhen me të për në Alaska në bordin e Air Force One. Ai tha se presidenti rus po merr me vete shumë njerëz të biznesit nga Rusia, duke shtuar se “Më pëlqen kjo sepse ata duan të bëjnë biznes”.

Por nuk do të bëjë biznes pa zgjidhur luftën, tha Trump.

“Por ne nuk do të bëjmë biznes derisa të zgjidhet lufta. Lufta duhet të ndalet dhe vrasjet duhet të ndalen”.

Sipas Trump, SHBA-të janë vendi më i nxehtë në botë dhe Putini "dëshiron një pjesë të saj" sepse Rusia "nuk është e nxehtë ekonomikisht". Më tej e cilëson Putin si një njeri të zgjuar, dhe se ekziston një “nivel i mirë respekti nga të dyja palët”.

I pyetur në lidhje me sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës, Trump tha se Putin mendon se kjo “e ndihmon atë të bëjë një marrëveshje më të mirë”, por në realitet “kjo në fakt e dëmton atë”.

Ora 11:35
Lavrov provokon para takimit Trump-Putin, zbulohet mesazhi në bluzën që mbante veshur kur mbërriti në Alaskë

1755250698_LavrovmebluznkushkruhensimboleteBashkimitSovjetik.jpg

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, mbërriti në një hotel në Anchorage të Alaskës, përpara takimit Trump-Putin i veshur me një bluzë me mbishkrimin “СССР”, versioni rus i akronimit për Bashkimin Sovjetik (USSR).

Në pamje, Lavrov shihet duke dalë nga makina, i veshur me një bluzë T-Shirt ngjyrë të bardhë dhe xhaketë, ndërsa në pjesën e përparme të bluzës duket qartë shkrimi “СССР” (Bashkimi Sovjetik)

Më herët, shefi i diplomacisë ruse kishte kërkuar që të mos bëhen parashikime për samitin në Alaska mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump, i planifikuar për ditën e premte.

Ai theksoi se Rusia ka një qëndrim të qartë, i cili do të prezantohet gjatë takimit.

Gjithashtu, Lavrov shtoi se nuk ka shqetësim përpara këtij eventi.

Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, i njohur edhe shkurt si Bashkimi Sovjetik, ishte shtet socialist që shtrihej në Euroazi nga 1922 deri në vitin 1991 kur dhe u shpërbë.

Bashkimi Sovjetik ishte de facto diktaturë proletariati, me pushtet të përqëndruar rreth Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, që u bë parakusht për udhëheqje të vendit.

Kufijtë e ish-Bashkimit Sovjetik patën ndryshuar përgjatë viteve.

Ora 09:59
Takimi Trump-Putin, ministri Lavrov: Rusia e ka të qartë qëndrimin që do të mbajë

1755244833_sergeylavrov.jpg

Moska është e gatshme të paraqesë një qëndrim të qartë dhe të mirëpërcaktuar në samitin e ardhshëm mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Trump, i cili pritet të fokusohet kryesisht në konfliktin në Ukrainë. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Në një intervistë për “Russia 24”, Lavrov u shpreh se nuk dëshiron të parashikojë rezultatet e mundshme të samitit.

“Ne nuk bëjmë parashikime paraprake. E dimë se kemi argumente të qarta dhe një qëndrim të përcaktuar. Do t’i paraqesim ato,” tha ai.

Lavrov shtoi se Moska dhe Uashingtoni kanë realizuar tashmë përparime të rëndësishme përmes vizitave të të dërguarit amerikan, Steve Witkoff, në Rusi. Ky i fundit ka udhëtuar pesë herë në Rusi që nga inaugurimi i Trump, ndërsa bisedimet e fundit, që zgjatën tre orë dhe u përqendruan kryesisht në konfliktin në Ukrainë, janë zhvilluar javën e kaluar.

“Witkoff veproi në emër të Presidentit Trump. Shpresojmë që nesër ta vazhdojmë këtë dialog shumë të vlefshëm,” theksoi ministri i Jashtëm rus.

Sipas Moskës, një zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin në Ukrainë mund të arrihet vetëm nëse Kievi pranon të mos anëtarësohet kurrë në NATO, të çmilitarizohet dhe të njohë realitetin e ri në terren.

Kjo përfshin njohjen e Krimesë, Donetskut, Luganskut, Hersonit dhe Zaporizhias si pjesë të Federatës Ruse, rajone që sipas autoriteteve ruse, votuan për bashkim me Rusinë në referendume publike në vitet 2014 dhe 2022.

Presidenti Trump më herët ka sugjeruar mundësinë e një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh mes Rusisë dhe Ukrainës, por Moska ka refuzuar çdo ide për dorëzimin e territoreve të aneksuara përmes referendumeve.

Ora 07:17
Sot samiti Trump-Putin në Alaskë, diskutohet e ardhmja e Ukrainës! Presidenti amerikan: Do flasim për kufijtë, por marrëveshja do bëhet me Zelenskyn

1755235550_trumpputin.jpeg

“Është si një lojë shahu”, tha Trump para takimit të tij të 15 gushtit me Putinin, në një intervistë për Brian Kilmeade, gazetar radiofonik i Fox News. “Ky takim përgatit takimin e dytë, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm sepse aty do të bëhet marrëveshja. Dhe nuk dua të përdor fjalën ‘ndarje e gjërave’, por në njëfarë kuptimi nuk është një term negativ: do të ketë një negociatë për kufijtë, për tokat, etj.”

24 orë para udhëtimit të tij në Alaska, presidenti amerikan shpjegoi se objektivi kryesor i takimit me Putinin është hapja e rrugës për një samit trepalësh me Zelenskyn, ku “ndoshta do të sjellim disa nga liderët evropianë, ose ndoshta jo”, siç shtoi ai duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale. Ai imagjinon që në këtë takim trepalësh do të negociohet marrëveshja e paqes: “Do t’i lë ata të negociojnë, unë nuk do ta negocioj marrëveshjen”.

Ndërkohë, Trump shprehet i bindur se mund të kuptojë për 2-5 minuta nëse takimi ballë për ballë me Putinin do të shkojë mirë apo keq. Ai vlerëson se ka “25%” mundësi që të shkojë keq, por mbetet mjaft optimist: “Për shkak të njëfarë marrëdhënieje që ka me mua, besoj se tani është bindur të bëjë një marrëveshje. Do të bëjë një marrëveshje”, i tha ai Kilmeade, përpara se të shtonte megjithatë: “Do ta zbulojmë, do ta di shumë shpejt”. Trump sugjeroi gjithashtu që takimi i dytë, ai me Zelenskyn, mund të zhvillohet madje në Alaska gjatë fundjavës: “Nuk e di nëse do të arrijmë një armëpushim të menjëhershëm, por mendoj se do të ndodhë. Dëgjo, unë jam më i interesuar për një marrëveshje paqeje të menjëhershme, ta arrij sa më shpejt. Dhe, në varësi të asaj që do të ndodhë në takimin tim, do të telefonoj presidentin Zelensky… dhe ta bëjmë të vijë aty ku do të takohemi. Nuk e di ku do të zhvillohet takimi i dytë, por kemi në mendje tre vende të mundshme. Dhe gjëja më e thjeshtë do të ishte të qëndronim në Alaska”. “Wow”, iu përgjigj gazetari, duke e pyetur presidentin nëse i kishte thënë liderit ukrainas të ishte gati për t’u nisur. Por Trump u tërhoq: “Nuk dua të flas për takimin e dytë as me të, nuk dua as të tregoj që mund të ketë një të tillë”.

Trump beson se sanksionet dytësore kundër atyre që blejnë naftë ruse (tashmë të aplikuara ndaj Indisë dhe të kërcënuara për Kinën) kanë ndikuar në vendimin e Putinit për ta takuar. “Sigurisht, kur humbet klientin tënd të dytë më të madh dhe e di se ka shumë mundësi të humbasësh edhe të parin… mendoj se kjo ka peshë. Mendoj se tani e respekton vendin tonë, nuk e respektonte me Bidenin”.

Trump mendon gjithashtu se stimujt ekonomikë mund ta bindin Rusinë, edhe pse nuk konfirmoi dhe as mohoi lajmin e Telegraph se do t’i ofronte Putinit mundësinë për të shfrytëzuar minerale kritike në Alaska ose në Ukrainë në këmbim të armëpushimit (“Mineralet e rralla janë një çështje relativisht jo e rëndësishme, po përpiqemi të shpëtojmë jetë”).

Mbi të gjitha, Trump beson se ka një marrëdhënie të veçantë me Putinin. Presidenti amerikan kritikon mediat që thonë “oh, Trump punon për Putinin” dhe përsërit se “Putin e di që jam më i ashpri me të cilin është përballur ndonjëherë” (sepse ka bllokuar gazsjellësin Nord Stream 2 dhe i ka dhënë Kievit raketat Javelin). Por kohët e fundit, edhe vetë Donald është pyetur nëse marrëdhënia me Vladimirin është ashtu siç e mendonte, pasi pas disa telefonatave në dukje miqësore dhe konstruktive, Putini ka vazhduar të godasë Ukrainën. “I kam dhënë fund gjashtë luftërave për gjashtë muaj dhe jam krenar për këtë. Mendoja se kjo do të ishte më e lehta, por është më e vështira”, tha dje. Trump ka filluar të marrë në konsideratë mundësinë që Putini të dojë të vazhdojë pa u ndalur, por besimi në aftësitë e tij negociuese mbetet më i fortë. “Mendoj se po të mos isha president, ai do ta merrte gjithë Ukrainën, por unë jam president dhe nuk do të më mashtrojë”.

Trump e sheh veten si “një president paqeje” (dhe gjithmonë kërkon Nobelin), por deri tani paqja i ka shpëtuar në konfliktet më të mëdha, në Ukrainë dhe Gaza. Nëse del pa rezultat nga takimi me Putinin, do të jetë e vështirë të quhet fitues. Ekziston mundësia që rusët ta “shpërqendrojnë”, për shembull me një rinovim të traktatit për armët bërthamore që skadon në shkurt. Shpesh shkon në këto takime pa shumë përgatitje, i bindur në aftësinë e tij për ta përdorur forcën e personalitetit si armën fituese./Corriere della sera

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?