Me vetëm 56 vota pro, sërish ka dështuar përpjekja që të formohet një komision zgjedhor për votim të fshehtë për kryeparlamentar të Kuvendit. Si rrjedhojë, pas vetëm 4 minutash seancë, kryesuesi Avni Dehari tha se Kuvendi do të mblidhet sërish pas dy ditësh në përpjekjen e 13-të për konstituim.
Teksa zhvillohej procesi i votimit, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pyesnin se për çfarë po votohej.
Seanca e ardhshme do të mbahet më 9 maj në fillim prej orës 10:00.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti nuk e mbështeti propozimin e LDK për qeveri tranzicioni.
Ndërkohë pas këtij dështimi reagoi edhe komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se është në interes të Kosovës që sa më parë t'i formojë institucionet.
"Është në interesin e Kosovës që t'i formojë sa më parë institucionet e saj për t'i çuar përpara reformat urgjente evropiane,” ka thënë Marta Kos, duke veçuar edhe nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje, i cili, sipas saj, do të duhet të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe Kuvendi i ri.
Sipas Kos, kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të axhendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet.
Komente
