Kosovë- Edhe seanca e pestë ka dështuar sot. Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur të konstituohet plotësisht, duke mos e zgjedhur edhe në përpjekjen e tretë kryetarin e ri.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka dështuar të zgjidhet, duke marrë të njëjtin numër votash si në dy përpjekjet e kaluara, 57 pro nga 61 të domosdoshme, ndërsa kundër saj votuan 46 deputetët dhe abstenuan 3 deputetët e Nisma të Fatmir Limajt.
Kështu Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit sërish ka marrë vetëm vota nga komunitetit, ndërsa kundër kanë qëndruar PDK, LDK dhe AAK. Deputetët nga Lista Serbe nuk morën pjesë në votim fare.
Seanca që zgjati vetëm 5 minuta, u parapri nga një takim konsultativ i thirrur nga drejtuesi i saj Avni Dehari, ku morën pjesë të gjitha partitë përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës. Forcat opozitare e cilësuan të pakuptimtë takimin kur Vetëvendosja sërish sjell emrin e njëjtë – atë të Albulena Haxhiut.
“Po rrëshqasim në një fazë që asnjëherë s’i ka ndodhur Republikës së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, së cilës i takon ta propozojë kryetarin e Kuvendit... ka vendosur ta mbajë peng shtetin, për shkak të tekeve të tyre, për një emër të përveçëm”, tha Memli Krasniqi, kryetari i PDK.
“Më vjen keq që Lëvizja Vetëvendosje s’po ka mirëkuptim për kalimin e kësaj situate. Do të ishte në interesin e tyre ta prezantojnë një kandidaturë unifikuese, të kalojë ky bllokim”, nënviozoi Ramush Haradinaj, kryetari i AAK.
“Nuk jemi të gatshëm që të kemi marrëveshje politike. Për LDK nuk ka asnjë kandidat, të cilin do ta votonim”, shtoi Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së.
Për Lëvizjen Vetvendosje Albulena Haxhiu nuk mund të kontestohet.
“Për të gjithë ata që e kritikojnë Albulena Haxhiun, ju them se ajo është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit me 125 mijë vota. Pesha politike dhe legjitimiteti i zonjës Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është e pakontestueshme", tha deputetja e VV Mimoza Kusari.
Përpjekja e gjashtë për t’i dhënë Kosovës një Kuvend funksional do të jetë të premten 25 prill në orën 11:00.
Komente
