Analisti Abit Hoxha shprehet optimist që sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës do të dalë “tym i bardhë” dhe deputetët do të arrijnë të zgjedhin nënkryetarin serb, i cili shkaktoi vijimësinë e krizës politike atëherë kur u duk se me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të tjerë iu dha fund kësaj situate.
Në një intervistë për “Shtypi i Ditës dhe ju” në Report TV, Hoxha u pyet edhe për hapat e mëtejshëm nëse sot arrihet t’i jepet fund konstituimit. Analisti tha se LVV si partia fituese mund të negociojë me partitë minoritare ose me Listën Serbe, por si opsion më të besueshëm, ai përmendi zgjedhjet e reja. Kjo, sipas tij, mund të vijë edhe për faktin se dy partitë opozitare më të mëdha. LDK e PDK, janë të kundërta me njëra-tjetrën dhe është e vështirë që të ketë dakordësi mes tyre për t’u mandatuar për qeverinë e re.
“Gjykata Kushtetuese po kthehet në një gjykatë administrative, që shkohet për çdo në mungesë të një konsensusi politik. Sistemi politik i Kosovës është i dizanjuar që qeverisja të jenë koalicione dhe të mos ketë dominim të një partie. Ka dy opsione. I pari është që LVV të vazhdojë me tentimin për krijimin e qeverisë dhe të mos e arrijë me numrat që ka. Ndoshta pak me një negociatë të vogël me grupet minoritare ndoshta dhe me Listën Serbe serbe. Opsioni i dytë është që mandatin për qeverinë ta marrë partia e dytë që ka dalë në listë. Mund të ketë një negociatë më të vështirë se e para për shkak të zgjedhjeve lokale edhe me faktin se opozita ësëhtë shumë e përçarë. Nuk ka një bllok të vetëm opozitar, dy partitë më të mëdha LDK dhe PDK mendojnë kundër njëri-tjetrit. Opsioni më logjik është se do të kemi zgjedhje përsëri.”, u shpreh Hoxha.
Më tej, u ndal edhe te raporti i qeverisë së Kosovës me ndërkombëtarët, me SHBA e cila së fundmi ka pezulluar edhe dialogun strategjik. Sipas analistit, marrëdhëniet me SHBA do të jenë të vështira të rikuperohen.
“Besueshmëria e qytetarëve po venitet por ka edhe një mungesë të madhe ose zhvillime tejet negative në politikat ndërkombëtare. Dihet që BE ka disa sanksione ndaj Kosovës, komunikon vetëm në mënyrë formale apo sipërfaqësore me qeverinë për shkak të këtij zhjvillimi. Kosova po humb shumë edhe në aspektin ndërkombëtar se është pjesë e ingranazhit të politikave ndërkombëtare, por siguria, ekonomia dhe përfaqësimi politik varet shumë prej partnerëve ndërkombëtarë. Prandaj Kosova po humb kohë edhe më shumë për shkak të kësaj, më shumë sesa besimi i qytetarëve. Mendoj se marrëdhëniet me ndërkombëtarët, posaçërisht me SHBA do të jenë të vështira të rikuperohen.”, shtoi analisti.
Kosova ndodhet në një krizë politike që prej muajit prill kur nisi seanca konstituive. Disa javë më parë, kur gjithçka u duk sikur u zgjidh me dakordësinë për kryetarin e Kuvendit, dhe 4 nënkryetarët e tjera, moszgjedhja e nënkryetarit serb, bëri që vendi të mbetej në vorbullën e kësaj situate shumë mujore.
Komente
