Gjykata dënon katër persona me burgim për përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç

28 Qershor, 08:05| Përditesimi: 28 Qershor, 20:59

  • Share

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të premten Nedelko Spasojeviq me katër vjet e gjashtë muaj burgim për pjesëmarrje në një grup kriminal që e organizoi vrasjen e Oliver Ivanoviqit gjashtë vjet më parë.

Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç u dënuan me nga katër vjet burgim, Marko Roshiq me dhjetë vjet burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat.

Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

Dënimet individuale

Nedelko Spasojeviq, ish-polic, u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë prej 4.500 euro për armëmbajtje pa leje.

Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.

Dragisha Markoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burgim për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Zharko Jovanoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe me gjobë prej 1.500 euro.

Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit, u shpall e pafajshëm për akuzën se ishte pjesë e një grupi kriminal.

Të dënuarve do t'iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak. Ata nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur iu shqiptua dënimi.

Javën e kaluar, Rade Basara, i cili po ashtu ka qenë polic në kohën kur është vrarë Ivanoviq, është liruar nga akuzat se ka qenë pjesë e grupit kriminal, që e ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen.

Prokuroria Speciale ka thënë se ndjekja penale e Basarës është ndërprerë, për shkak të mungesës së provave.

Seancat në rastin e vrasjes së Ivanoviqit shpesh janë shtyrë, për shkak se dëshmitarët nuk janë paraqitur, ndërsa disa dëshmitarë - nën mbrojtjen e anonimitetit - kanë refuzuar të japin deklarata, duke thënë se nuk ndihen të sigurt./ REL

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?