Salih Mustafa

I dënuar për krime lufte, Apeli i Hagës ul dënimin në 22 vite burg për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa

14 Dhjetor 2023, 09:40| Përditesimi: 14 Dhjetor 2023, 14:07

  • Share

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, vendimi i Apelit për Salih Mustafën, i dënuar me 26 vite burgim për krime lufte, u shpall sot më 14 dhjetor 2023. Atij i është ulur dënimi duke e dënuar me 22 vite burg nga trupi gjykues i Apelit në Gjykatën Speciale, 4 vjet më pak nga dënimi i shkallës së parë.

“Paneli i Apelit gjykon se një dënim i njësuar me 22 vite burg, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të z. Mustafa në këtë çështje”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Apeli i ka rrëzuar pothuajse të gjitha kundërshtimet e Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë.

Kryetarja e trupit gjykues tha se Mustafa në disa prej pikave të apelit të tij “nuk arriti t’i mbështeste argumentet e tij me jurisprudencën përkatëse”.

Duke folur fillimisht për “mangësi” në apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë nga Mustafa, kryegjykatësja tha se “në raste të tjera paneli i Apelit disa argumente i ka rrëzuar pa e shqyrtuar thelbin e tyre”.

Trupi gjykues i Apelit disa prej kundërshtimeve të Salih Mustafës i hodhi poshtë me arsyetimin se ato “nuk i ka ngritur në gjykim”.

Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë, në aktgjykimin e shkallës së parë të gjykatës më 16 dhjetor 2022.

Kjo është bërë e ditur përmes një vendimi të nxjerrë nga trupi gjykues i Apelit me në krye Michele Picard, më 27 nëntor 2023, për caktimin e datës së shpalljes së vendimit për çështjen gjyqësore ndaj Mustafës.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020.

Mustafa ishte arrestuar dhe u transferuar në Njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020. Më 7 maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021. Më 4 shkurt 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar mbylli paraqitjen e provave të veta. Mbrojtësja e Viktimave paraqiti provat e veta më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja mbylli paraqitjen e provave të veta.

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023. Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207 mijë euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve.

Më 2 shkurt 2023, Mbrojtja dorëzoi njoftimin për apel kundër Aktgjykimit. Në vijim, kryetarja caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë nga gjykatësit Mishele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Seanca e apelit u mbajt më 26 dhe 27 tetor 2023.


Lajmi kryesor:

Lirohet nga burgu në Hagë ish-luftëtari i UÇK-së, Nasim Haradinaj! Apeli i Hagës ul dënimin në 22 vite burg për Salih Mustafën


S.S//ReportTv.al
Komento

Komente

  • e drejta: 14/12/2023 11:44

    CFARE TURPI....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?