Rikthehen takimet e liderëve te Ballkanit Perëndimor, si një mundësi për koordinimin e veprimeve në kuadër të “Plani i Rritjes”. Takimi i radhës do të mbahet nesër më 1 korrik në Maqedoninë e Veriut, ndërsa sot kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski do të zhvillojë një darkë informale me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionaren për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos. Në fokus të darkës do të jetë përshpejtimi i zbatimit të Planit evropian të Rritjes për këtë rajon.
“Udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe komisionarja Kos do të përqendrohen në reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes dhe të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në bllok”, tha në një njoftim Komisioni Europian.
Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, kanë marrë fondet e para të parafinancimit.
Mediat maqedonase kanë konfirmuar edhe praninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili do t’i bashkohet punimeve të samitit. Kurti nuk ka marrë pjesë në asnjë samit të Tiranës ku kanë qenë jo vetëm krerët e Ballkanit por edhe të Europës dhe NATO-s. Në këto takime ka marrë pjesë Presidentja Vjosa Osmani.
Takimi në Shkup po ashtu do të jetë mundësi për të diskutuar për fusha të reja të bashkëpunimit: mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët që do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së. Për këto çështje, Kurti do të jetë një ndër folësit kryesor, në të njëjtin panel me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, si edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit, siç bëjnë me dije burime për Report Tv, është nisur drejt Shkupit që ditën e sotme ku do të marrë pjesë edhe në darkën informale të liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit dyditor, Komisioni Evropian do të propozojë një paketë të investimeve në vlerë prej 87.7 milionë eurosh nën Kornizën ekzistuese të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), e cila pritet të tërheqë pothuajse gjysmë miliardi euro në investime private për projekte të energjisë së pastër në mbarë rajonin, u tha në njoftim.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron përfitime për shtetet e rajonit që po përgatiten për anëtarësim në BE dhe gjatë takimit, pjesëmarrësit do të rishikojnë përparimin dhe do të diskutojnë për hapat e mëtejmë.
KE-ja tha se qëllimi i Planit të Rritjes është të stimulojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor dhe të ndihmojë shtetet e rajonit që t’i bashkohen bllokut.
Plani i Rritjes parasheh mbështetje financiare prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë janë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha sikurse energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.
Komente

Shqiperise nuk ju hapen grupkapitulli “cluster 4” sic paten thene shume media
Përgjigju