TIRANË- Hirësia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Joan Pelushi është nga sot Fortlumturia e Tij, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Sinodi i Shenjtë me votim unanim e caktoi 69-vjeçarin si pasues të Anastas Janullatos.
Besimtarët e pritën me duartrokitje dhe emocion zgjedhjen e kryebariut të tyre.
Kryepeshkopi i ri pranoi detyrën dhe u zotua për mbrojtjen e interesave të Kishës.
“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës. I vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim,” u shpreh Imzot Joani.
Urime për Fortlumturinë e tij Joani pati edhe kreu i Kishës Katolike Imzot Dodaj, ndërsa urimi i veçantë vjen nga Patriarku i Konstandinopojës, Bartolomeu.
Entuziazmi i qindra besimtarëve në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” zgjati mbi 1 orë, ku ortodoksët pritën në radhë për të marrë bekimin e parë nga Fortlumturia e tij, Joani.
Ceremonia zyrtare e fronëzimit do të zhvillohet në këtë katedrale, të shtunën e datës 29 mars.
Kryepeshkopi i ri shënon një moment historik në Kishën Ortodokse Shqiptare, të drejtuar prej 33 vitesh nga një prift grek.
Besimtarët ortodoksë do të vijojnë liturgjitë e zakonta në këtë periudhë Kreshme, për të pritur ceremoninë e Kurorëzimit të Joan Pelushit dhe më pas Pashkën e 20 Prillit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar në rrjetin e saj social Facebook një mesazh urimi për Hirësinë e Tij, Joan Pelushi, me rastin e zgjedhjes si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Ai shkruan se ai është një intelektual, me kontribute jo vetëm klerikale, por edhe në jetën qytetare shqiptare.
'Gëzohemi bashkë me besimtarët ortodoksë shqiptarë për zgjedhjen e Joanit, kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas kryepeshkopit tashmë të ndjerë Anastasit (Janullatos). Fortlumturia e Tij, Joani (Pelushi) ka qenë mitropolit i Korçës për 27 vjet, një teolog e intelektual, me kontribute jo vetëm klerikale, por edhe në jetën qytetare shqiptare. Dëshirojmë që ai të ketë sukses në detyrat e reja, në mbrothësimin e kishës, përparimin e drejtësisë e të paqes mes kombeve dhe bashkëpunimit mes feve. I urojmë bashkëkombasit tonë, Kryepeshkopit Joan një punë të mbarë në këtë pozitë të rëndësishme për ortodoksët, por edhe për mbarë shoqërinë e kombin tonë', shkruan ai.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka publikuar në rrjetin e saj social Facebook një mesazh urimi për Hirësinë e Tij, Joan Pelushi, me rastin e zgjedhjes si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
“Sinodi i Shenjtë zgjodhi sot Hirësinë e Tij, Joan Pelushi, Kryepeshkop të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Urime Hirësisë së Tij, Kryepeshkopit Joan, në udhëheqjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pastë ndriçimin e Perëndisë, kthjelltësinë hyjnore, bekimin dhe urtësinë si bariu i mirë i besimtarëve ortodoksë”, shkruan ajo.
Kisha e Shën Prokopit në kodrat e Liqenit Artificial
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar nga qelia Fortlumturinë e Tij, Joan Pelushin, për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë nga Sinodi i Shenjtë.
Përmes rrjeteve sociale, Veliaj shpreh padurimin e tij për të mbaruar sa më shpejt restaurimin dhe kthimin në gjendjen e mëparshme të Kishës së Shën Prokopit në kodrat e Liqenit Artificial.
“Urime besimtarëve ortodoksë për zgjedhjen e Imzot Joan Pelushit si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë! Uroj që shërbimi i tij të sjellë paqe, harmoni dhe mbarësi për të gjithë.
Mezi pres që ta mbarojmë sa më shpejt restaurimin dhe kthimin në gjendjen e mëparshme të Kishës së Shën Prokopit në kodrat e Liqenit Artificial”,- shprehet Veliaj.
Bartholomeu i Konstandinopojës ka uruar Joan Pelushin i cili është zgjedhur sot Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Ai i ka uruar atij shërbimin më të gjatë.
'Patriarku ekumenik uron kryepiskopin e Shqipërisë. Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, z. Joan. Fortlumturi vëlla i shenjtë. Sapo morëm në Fanar lajmin e zgjedhjes Tuaj të denjë në Fronin Kryepiskopal të Shqipërisë, nxitojmë t'ju përgëzojmë nga zemra dhe në pritje të Letrave Tuaja të Nderuara Paqësore, qëndrojmë me shumë respekt dhe dashuri në Zotin, duke ju uruar një shërbim të gjatë dhe të shkëlqyer Kryepriftëror! I denjë! Vëllazërisht, Bartholomeu i Konstandinopojës', thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar Fortlumturinë e Tij, Joan Pelushin, për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë nga Sinodi i Shenjtë.
“Në këtë moment historik për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë i shpreh urimet më të përzemërta Fortlumturisë së Tij, Joan Pelushit”, shkruan Meta, duke e cilësuar atë një personalitet të jashtëzakonshëm, me të cilin ka bashkëpunuar ngushtë në kohën kur drejtonte Mitropolinë e Shenjtë të Korçës.
“Jam dy herë i lumtur për zgjedhjen në këtë detyrë shumë të rëndësishme të një personaliteti të jashtëzakonshëm, të cilin e njoh nga afër dhe kam patur fatin të bashkëpunoj në detyrat e larta shtetërore kur Ai drejtonte Mitropolinë e Shenjtë Korçë”, thekson Meta.
Ai shprehet besimplotë se Kryepeshkopi i ri do të vijojë me dashuri dhe përkushtim misionin në shërbim të Kishës dhe besimtarëve ortodoksë shqiptarë, si dhe forcimit të harmonisë ndërfetare.
Në mesazhin e tij, Meta shpreh edhe njëherë mirënjohjen për kontributin e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos, duke theksuar se “të gjitha ‘përrallat’ në lidhje me vendimin tim për dhënien e shtetësisë shqiptare për Kryepeshkopin Anastas morën sot përgjigjen e merituar”.
"Jam besimplotë se me bekimet e Zotit Fortlumturia e Tij Joani do të vijojë me shumë dashuri punët dhe veprat e mira në shërbim të Kishës Ortodokse Autoqefale dhe besimtarëve ortodoksë shqiptarë, në përçimin e vlerave shpirtërore dhe mësimeve të shenjta, të paqes dhe të forcimit të harmonisë tonë ndërfetare, shembull frymëzues për mbarë botën.
Edhe njëherë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për kontributin e madh, të paharruar dhe gjithmonë të vlerësuar të Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos për ringritjen e Kishës dhe për edukimin e brezave të rinj të klerikëve ortodoksë. Të gjitha "përrallat" në lidhje me vendimin tim për dhënien e shtetësisë shqiptare për Kryepeshkopin Anastas, morën sot përgjigjen e merituar. Edhe njëherë urime Fortlumturisë së Tij, Joan Pelushit dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë", shkruan Meta.
Imzot Arjan Dodaj kryeipeshkëv i metropolit të Tiranë-Durrësit, ka uruar Imzot Joanin, i sapo zgjedhur Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.
“Urimet më të përzemërta Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e veçanërisht Imzot Joanit, të sapo zgjedhur Kryepiskop i Tiranës, Durrësit e gjithë Shqipërisë. I dashur vëlla në Zotin tonë Jezus Krishti, Joani, lutemi për ju! Theotókos Nëna jonë Shenjtë María të shoqëroftë”, shkruan Dodaj.
Foto: Kryepeshkopi Joan Pelushi dhe presidenti Bajram Begaj
Presidenti, Bajram Begaj uroi Fortlumturinë Joan Pelushi për zgjedhjen e tij si Kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
“Shumë urime për Kryepeshkopin e ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Hirësinë e tij, Imzot Joanin!
Nën drejtimin e tij, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një shtyllë e fortë e besimit, paqes dhe vlerave shpirtërore për besimtarët dhe për gjithë shoqërinë shqiptare”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi, ka lindur në Tiranë në 02.01.1956. Qysh në rininë e tij të hershme, në kohën më të egër të persekutimit fetar, u pagëzua fshehurazi nga prifti hero, më vonë peshkopi i Apollonisë, z. Kozma Qirio, duke u bërë pjesë e një grupi të vogël të kishës së nëndheshme.. Në vitet 1979-1990 punoi në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, në pavionin e reabilitimit nëpërmjet terapisë okupacionale. Në vitin 1990 u largua nga Shqipëria për në USA ku kreu studimet në teologji në Universitetin “Holy Cross Greek Orthodox School of Theology” në Boston, USA, ku u diplomua me “High Distinction” në MTS (Master i Studimeve Teologjike) në vitin 1993. Qysh në vitin 1992, i nxitur nga dëshira për të dhënë një kontribut në rindërtimin e Kishës, ai kontaktoi Kryepeshkopin Anastas dhe i parashtroi vendimin e tij për tu kthyer në Shqipëri, në një kohë kur të gjithë donin të largoheshin nga vendi. Kjo dëshirë dhe ky vendim u prit më gëzim nga Kryepeshkopi, i cili e inkurajojë dhe e përgëzoi. Në Shtator të atij viti u kthye në Shqipëri dhe filloi të punonte si pedagog në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në 27 Shkurt 1994 u dorëzua dhjakon dhe në 4 Dhjetor prift, duke vazhduar të jepte mësim në Akademinë Teologjike. Në 1995 shkon përsëri për të ndjekur studime të mëtejshme në Universitetin “Holy Cross Greek Orthodox School of Theology” në Boston, USA. Për rezultate të larta në sezonin akademik 1995-1996 ishte në Listën Kombëtare të Dekanit (The National Dean’s List), ku shkruhen emrat e studentëve më të mirë të të gjithë universiteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1996 u ngrit në rangun e arkimandritit. Në vitin 1997 u diplomua përsëri me “High Distinction” në MT (Master i Teologjisë, një master i avancuar, ekuivalent me kandidat i shkencave) po në Holy Cross, Boston. U kthye në Shqipëri ku u emërua dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse, detyrë në të cilën qëndroi nga viti 1996 deri në 1998, deri sa u emërua Mitropolit.
Në vitin 1998 u zgjodh dhe u dorëzua peshkop, si mitropolit i Korçës, duke vazhduar të ishte përsëri pedagog në Akademinë Teologjike. Ai ka përgatitur tekstet e Dogmatikës dhe ka përkthyer shumë libra, si edhe ka botuar shumë artikuj në gazeta, revista dhe periodikë studimorë të huaj dhe të vendit. Përveç gjuhës së tij amtare shqipes, zotëron anglishten, frëngjishten italishten, greqishten dhe ka njohuri në latinishten dhe hebraishten.
Ka përkthyer disa libra teologjikë në shqip, përfshirë edhe përkthime të vështira nga etërit e kishës, si “Mbi Shpirtin e Shenjtë” të Vasilit të Madh, një libër i cili është bazë në zhvillimin e doktrinës së krishterë. Kontributi në këto përkthime është në formimin, unifikimin dhe përcaktimin e terminologjisë filozofiko-fetare, sepse ka pasur mangësi në literaturën shqipe në këtë fushë. Kontributi i Imzot Joan Pelushit në fushën e terminologjisë është vlerësuar nga studjues të vendit dhe të huaj. Joan Pelushi ka shkruar tekstin e parë të Dogmatikës në shqip, tekst që përdoret si botimi zyrtar i Kishës Ortodokse në Shqipëri.
Në vitin 2000 ka themeluar dhe vazhdon të drejtojë Revistën periodike “Tempulli”, që është bërë tashmë një nga revistat më serioze në fushën studimore dhe kulturore, ku marrin pjesë intelektualë, studjues dhe albanologë nga më të njohurit, si nga Shqipëria ashtu edhe nga jashtë vendit. Ai është jo vetëm kryetari i redaksisë së revistës, por edhe një nga kontribuesit kryesor në shkrimet e saj. Gama e shkrimeve është e gjërë: në fushën e kulturës, përkthimeve, shkencës, arkeologjisë, filozofisë, teologjisë, historisë, së kritikës së artit, të figurave të shquara të vendit dhe historisë kulturore të vendit tonë, rajonit dhe më gjerë.
Ka përfaqësuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në shumë takime ndërkombëtare, si referues dhe si pjesëmarrës në grupet e hartimit të teksteve, deklaratave dhe mesazheve të ndryshëm. Ka përfaqësuar në nivel të lartë Kishën Ortodokse Botërore në shumë grupe pune të Këshillit Botëror të Kishave dhe ishte një nga anëtarët e grupit të rëndësishëm të punës (Joint Working Group) me një mandat pesëvjeçar për hartimin e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Botëror të Kishave dhe Kishës Romano-Katolike. Ka përfaqësuar, po në nivel të lartë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në konferenca dhe takime të rëndësishme ndërkombëtare, si referues dhe si përfaqësues. Përfaqësoi, gjithashtu, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, gjatë pothuajse një dekade, në hartimin e dokumenteve shumë të rëndësishëm për përgatitjen e Sinodit të Madh dhe të Shenjtë, që u mbajt në qershor të vitit 2016, në Kretë.
Vazhdon të përfaqësojë me dinjitet Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në dialogun shumë të rëndësishëm ndërmjet Kishave Orthodhokse dhe asaj Romano-Katolike, si edhe ndërmjet Kishave Orthodokse dhe Kishave Orientale.
Është ftuar si lektor në dhjetra konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhënë një kontribut të madh sidomos në fushën e teologjisë, historisë dhe filozofisë. Ftohet në shumë vende, përfshirë universitete, shkolla teologjike, seminare, takime ndërkombëtare, si të krishtera ashtu edhe ndërfetare, për leksione të ndryshme. Është nderuar me medalje dhe urdhra të ndryshëm nga nga shumë Kisha Ortodokse në botë.
Jep një kontribut të madh në jetën shoqërore dhe humanitare të qytetit të Korçës, si në fushën studimore dhe kulturore, ashtu edhe në atë humane. Ftohet shpesh për referime dhe biseda në Universitetin e Korçës dhe në shkolla të tjera të rëndësishme të qarkut. Me inisiativën e tij është hapur një mencë për të ndihmuar çdo ditë njerëzit në nevojë, e cila funksionon prej tashmw 27 vjetësh. Kontributi i tij nuk është vetëm në fushën kulturore, shkencore dhe humanitare të qarkut të Korçës, por edhe në atë të forcimin të bashkëjetesës, të dialogut ndërfetar dhe të formimit atdhedashës.
Për këto kontribute të shquara është nderuar duke u shpallur në 23.07.2003 “Qytetar Nderi i Qarkut Korçë” me motivacionin “Për kontribut të shquar në kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit fetar. Shkencëtar, botues, përkthyes i librave teologjikë në gjuhën shqipe. Ndihmues në emancipimin dhe vëllazërimin qytetar për Qarkun e Korçës dhe më gjërë.” Në 18.08.2008 është shpallur nga Këshilli bashkiak i qytetit të Korçës “Qytetar Nderi” me motivacionin “Për merita të shquara për ringjalljen e besimit si dhe për veprat e shumta në fushën humane dhe sociale”.
Në 23.07.2018 Universiteti “Fan S. Noli” Korçë i jep titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin: “Personalitet i shquar i botës shpirtërore dhe fetare, humanist i madh, përkthyes, themelues i revistës periodike “Tempulli”, duke dhënë ndihmesa të shquara në fushën e kulturës, arkeologjisë, filozofisë, teologjisë, historisë, albanologjisë etj.; bashkëpuntor i ngushtë dhe mik i Universitetit “Fan S. Noli”, me rastin e 20-vjetorit të fronëzimit të tij si Mitropolit i Korçës”.
Në 29.05.2019, Bashkia Tiranë i jep Çertifikatë Mirënjohje me motivacion: Si një vlerë me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, si shembulli më model i promovimit të paqes, harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. Respekt dhe mirënjohje pafund për tërë kontributin e tij të shquar në shërbim të komunitetit dhe njerëzve në nevojë.
Më 16 Mars 2025, Fortlumturia e Tij, Mitropoliti i Korçës, z. Joan, u zgjodh me votë unanime Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, duke pasuar të ndjerin Kryepiskop Anastas.
Komente

Urime!
Përgjigju...Kemi të drejtë të gëzohemi për volosjen e emrit të Kreut të Kishës Tonë Autoqefale Orthodhokse Shqiptare. Imzot Joani që sot është mëkëmbës i Jezu Krishtit në tokën e Arbërit...! E duam dhe e respektojmë...! Axios. I Denjë...!
Përgjigju