Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka shprehur shqetësim për situatën ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahia, vuri në dukje kontrastin me fqinjët tanë në Mal të Zi, si një tregues i qartë i dështimit të kësaj qeverie.
“Shqipërinë dhe Malin e Zi i ndan një distancë prej pak kilometrash, por realiteti që jetojnë qytetarët shqiptarë është më shume se dramatik, kur flitet për ekonominë. Shporta ushqimore në Shqipëri varfërohet çdo ditë, për shkak të çmimeve të kripura dhe abuzimit që ndodh haptas. E njëjta situatë edhe me karburantin, e shumë produkte të tjera bazike”, shprehet Spahia.
Më tej ai nënvizoi se ky realitet i hidhur në Shqipëri është një thirrje e fortë për ndryshim dhe sipas Spahisë vetëm Partia Demokratike dhe programi i saj mund ta sjellë.
“Ky nuk është thjesht një krahasim çmimesh, është një pasqyrë e dështimit ekonomik të një qeverie që prej 12 vitesh ka rritur taksat, ka toleruar abuzimin me çmimet dhe ka përdorur pushtetin për të varfëruar qytetarët. Ky realitet i hidhur është një thirrje e fortë për ndryshim, që vetëm Partia Demokratike dhe programi i saj mund ta sjellë. Prandaj në 11 Maj shkodranët dhe shqiptarët do të votojnë masivisht nr.1”, përfundon ai.
Komente
