Kryetari i PD-së Sali Berisha është deklaruar kundër SPAK-ut, duke deklaruar zhbërjen e reformës në drejtësi, kurse kryeministri Edi Rama mbron reformën si një krijim i Partisë Socialiste dhe që e çon Shqipërinë drejt BE-së.
Por a është ky diskurs politik i dy liderëve të partive të mëdha real, apo fushatë elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Reforma në Drejtësi dhe SPAK ishin një nga temat e diskutimit të fortë në panelin e "Repolitix" mbrëmjen e sotme, në Report Tv, me të ftuarit Arben Meçe, analist, Ekrem Spahia, përfaqësues dhe kandidat i Djathtas për Zhvillim, Endri Hasa, drejtues i Koalicionit Euroatlantik dhe kandidat për deputet dhe avokati përparim Çaça.
“Mendoj se si Rama edhe Berisha janë të dy kundër SPAK-ut. Ata duan ta zhbëjnë reformën në drejtësi të dy, edhe pse Rama nuk e shfaq publikisht, por ajo që shfaqi me sulme frontale pas arrestimit të Erjon Veliajt tregon se është kundër SPAK”, u shpreh avokati Përparim Çaça.
Analisti Arben Meçe u shpreh pro reformës në drejtësi, por që institucionet mos të ishin pa kontroll. Ai këshilloi që SPAK të godasë në mënyrë të barabartë në të dy krahët, pasi edhe opozita kur ishte në pushtet ka abuzuar.
“Jam pro dhe mbështetës i SPAK, po jam kundër mungesës së kontrollit ndaj institucionit. Është pozitive fakti që mazhoranca dhe Rama e mbështesin reformën në drejtësi politikisht. Edhe Berisha nuk ka qenë kundër SPAK e reformës, ai doli kundër kur u mor nën hetim dhe nën akuzë. Opozita ka vjedhur, por nuk po ndëshkohet. Ata po vijnë të pastër dhe kjo është e papranueshme. Thuhet të hetohen vetëm këta dhe jo ata të tjerët. Jo! SPAK i bëj thirrje që me shpatën që i kanë dhënë të godasë majtas dhe djathtas, pa përjashtim. Madje edhe Basha nuk më bind se është pro SPAK, edhe pse deklaratat publike janë ndryshe. Deklaratat e tij nuk i shoh si shumë korrekte”, tha Meçe.
Ekrem Spahia, përfaqësues i ‘Djathtas për Zhvillim’, u shpreh se dy forcat e mëdha politike nuk e duan reformën në drejtësi. Ai theksoi se mbështetja ndaj SPAK duhet të ishte pa kufizime, edhe pse ka gabime dhe nevojë për të vijuar ky reformim.
“LZHK dhe koalicioni Djathtas për Zhvillim e kanë mbështetur pa kufizime SPAK dhe reformën në drejtësi. Këto, dy partitë e mëdha janë kundër SPAK-ut. Edhe Rama publikisht ka qasje tjetër, për shkak të situatës edhe me BE dhe pozicionit që mban, por në fakt është kundër SPAK. Ne mbështesim SPAK, por ne jemi për vijimin e reformës, ka nevojë për përmirësim, ka dhe gabime, por shyqyr që erdhi dita. Tani dy gjëra kanë frikë njerëzit tani, Zotin dhe ligjin. Ata që shkelin ligjin të përballen me drejtësinë. Procesi demokratik ka degraduar. Parlamentet më parë ishin më cilësore, tani patën precedentin e Lezhës, ku e gjithë lista e deputetëve me probleme dhe Parlamenti përfundoi me 139 deputetë, si asnjëherë në histori”, u shpreh ai.
Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Endri Hasa, tha se mbështetja e forcës që përfaqëson ka qenë gjithnjë në mbështetje të drejtësisë së re dhe çuarjes para të saj.
“Mbështetja jonë për SPAK-un dhe drejtësisë është ka ekuivok, mbështetje e plotë. Kur flet drejtësia, politika duhet të heshtë. Ne jemi në mbështetje të drejtësisë edhe nëse SPAK troket në derën tonë, pa asnjë dallim”, theksoi Hasa.
Komente
