Politikë

Spahiu për 21 Janarin: Jam pesimist, mendoj se urdhëruesit e vrasjeve nuk do dënohen kurrë! Disa nga veprat rrezikojnë të parashkruhen

21 Janar, 21:20| Përditesimi: 22 Janar, 07:00

  • Share

Pse nuk ka drejtësi 14 vite pas 21 Janarit, ku u vranë nga Garda 4 protestues të opozitës së atëhershme para Kryeministrisë dhe a po e heton SPAK siç duhet dosjen e nxehtë.

Hetimet që po bëhen dhe deklarata e Altin Dumanit se “pas provave vjen ballafaqimi me dëshmitarët” dhe pyetja nëse ndryshimet në SHBA do ndikojnë te puna e SPAK në të ardhmen.

Këto çështje u trajtuan mbrëmjen e sotme (21 Janar) në studion e “Repolitix” të gazetarit Denis Minga, në Report TV. Të ftuar ishin ish-deputeti dhe analisti Arben Meçaj, ish-kreu i PD në Kukës, Ibsen Elezi dhe avokatët Besart Logu dhe Leonard Karaj. 

Kurse në lidhje Skype edhe juristi Kreshnik Spahiu, i cili u shpreh pesimist për hetimet e dosjes dhe përfundimin e çështjes me dënimin e personave përgjegjës që morën pjesë në krim dhe urdhëruan vrasjet. Madje ai ngre edhe shqetësimin për parashkrimin e shumë veprave penale, si në këtë dosje, por edhe në çështje të tjera.

“Për dhjetëra arsye nuk mendoj se jo vetëm 21 Janari, por edhe dosje të tjera humbasin besueshmërinë provat, të dhënat, dëshmitë, etj., çdo ditë e vonuar është e rëndë për Prokurorinë dhe Gjykatën, pasi humbasin dhe rrezikon që vepra penale të parashkruhet. Ka shumë vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës, moskryerjen e saj, dëshmisë etj., janë vepra që janë parashkruar, që nuk mund të nisësh hetimet. Mjafton edhe 5 vite, të shkojë 20 vjet që të parashkruhen shumë vepra”, shprehet juristi për Report TV.

Por çfarë mendon Spahiu për vijimin e hetimeve të nisura dhe fatin e dosjes penale të SPAK?

“Hyj te kategoria pesimiste që them se ngjarja e 21 janarit nuk do zbardhet kurrë. Që nuk do ketë në bankën e të akuzuarve personat përgjegjës që çuan në vrasjen e 4 protestuesve dhe të personave që urdhëruan vrasjet. Nuk mendoj se janë vrasje spontane, nuk mund të ketë ngjarje spontane në 60 sekonda 4 vrasje”, shprehet ndër të tjera ai. 

Por çfarë ka ndikuar në zvarritjen e çështjes për 14 vite.

“Ka shumë faktorë, të gjitha së bashku. Por mendoj se frika dhe mungesa e vullnetit politik kanë ndikuar në zvarritjen e saj në vite. Kurse nga muaji korrik, në fakt SPAK është shprehur edhe më parë për këtë, por ka dhjetëra faktorë që çojnë në konkluzionin se vrasja e 21 Janarit nuk do zbardhet. Unë konsideroj zbardhje vendimin gjyqësor të formës së prerë, ku të përshkruhet ngjarja siç e kërkon Gjykata e Strasburgut apo dhe Gjykata e Lartë. Unë hyj tek ata që mendoj se përderisa s’ka pasur vullnet politik, dhe është rasti më i mirë kur s’ka vullnet, sepse faktori i dytë është edhe më i keq, presioni dhe frika, pra që është edhe rasti më i keq”, nënvizon Spahiu.

Ora 22:35
Spahiu: Altin Dumani dhe Shkëlqim Hajdari kërkuan që 21 Janari të kualifikohet 'vrasje cilësuar'

Deklaratat e kreut të SPAK, Altin Dumani, se pas mbledhjes së provave për 21 Janarin do ballafaqohen dëshmitarët, ka qenë një nga temat e diskutuara në panelin e sotëm të REPOLITIX, në Report TV.

Juristi Kreshnik Spahiu në retrospektivë të çështjes kujtoi se Dumani dhe prokurori tjetër Shkëlqim Hajdari kishin qenë të vetmit që kishin kërkuar rëndimin e akuzës në vrasje të cilësuar për atë ngjarje, duke kërkuar përgjegjësit e krimit, por u rrëzuan nga Apeli.

“Nuk dua ta paragjykoj Dumanin, por është e provuar se ndryshe nga gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë, bashkë me Shkëlqim Hajdarin, që kanë mbrojtur çështjen në Apel dhe kanë kërkuar rëndimin e akuzës, vrasje të cilësuar, janë të vetmit që kërkuan thellim të hetimit. Nuk dua ta paragjykoj, sepse pas deklaratës mund të ketë veprime konkrete. Unë jam kritik ndaj Berishës, por nuk guxoj të them profesionalisht se Berisha është urdhëruesi i vrasjeve. Përderisa nuk ke prova direkte për autorësi, vetëm Gjykata e thotë atë”, tha juristi.

Por ai ritheksoi se dëshmia në Report TV e ish-prokurorit të 21 Janarit, Ervin Karanxha, ishte e mjaftueshme për ta rinisur aty hetimin, me faktet që ai ekspozoi për herë të parë.

“Nëse i referohemi dëshmisë së prokurorit Ervin Karanxha, një gjë është e sigurte, se drejtuesit e asaj kohe, përfshi Berishën, kanë penguar hetimet dhe grupin hetimor. Ishte Berisha që ndërtoi një ngjarje të paqenë, si vrasje me thika me helm, çadra pistoletë etj. S’u mjaftua me atë pastaj tha se u vranë me armë të kalibrit të lehtë, hipotezë tjetër. Karanxha hedh prova e fakte konkrete se si kryeministria dhe të tjerët janë përfshirë për të fshirë provat. Është e provuar se natën e 21 Janarit është hequr gardhi i kryeministrisë, që sipas prokurorit është hequr për të zhdukur gjurmët e fishekëve që kishin prekur gardhin dhe që hedhin poshtë hipotezën se është qëlluar në ajër. Të nesërmen u gjetën 500 gëzhoja. E thashë dhe më herët se Ervin Karanxha nuk është marrë në pyetje nga SPAK-u”, thotë Spahiu.

Gjithsesi për Spahiun mjafton edhe fakti se është penguar ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të Prokurorisë për ta provuar se ka pasur ndërhyrje shtetërore.

“E zëmë se as kamerat si fshiu Kryeministria, as gardhin dhe as fishekët, po vendimet e Prokurores së Përgjithshme për mosekzekutimin e urdhrave të ndalimit? Edhe sikur të provohet pengimi i hetimit, është vepër penale. Por ajo është parashkruar tashmë. Ndaj mendoj dhe kam të gjitha arsyet se vullneti politik ekziston që vrasësit e 21 Janarit të mos shkojnë në dënim apo gjykatë. Nuk kanë asnjë interes dhe kanë pakt të heshtur sepse po u hap loja, pastaj kalojnë te të tjerat. Unë isha në konflikt të drejtpërdrejtë me ta në atë kohë, sepse isha në opozitë dhe bëja protesta në atë kohë dhe Rama zgjodhi Ilir Metën për koalicion dhe bëri marrëveshje. Por kjo është temë tjetër”, nënvizon Spahiu.

Ora 22:07
Spahiu: Hetimi për 21 Janarin duhet fillonte nga dëshmia e Berishës, Bashës dhe Ramës

A janë kryer hetimet në mënyrën e duhur për ngjarjen e ndodhur 14 vite më parë dhe pse Prokuroria nuk guxoi të shkonte deri tek urdhëruesit apo në krye të zinxhirit komandues.

Por çfarë duhet të bëjë SPAK aktualisht? 

Sipas juristit Kreshnik Spahiu, i ftuar sot në emisionin REPOLITIX për këtë temë, duhet të gjenden provat, mes tyre tabulatet apo telefonat e vitit 2011 të Berishës, Bashës dhe Ramës.

“Nëse SPAK do shkojë te zbardhja e çështjes, një pjesë e tyre e kolegëve, jo se s’kanë dashur, por s’kanë guxuar. Do them një mjet prove që dikur nuk përdorej, por tani mund të përdoret. Sot psh. janë sekuestruar celularët e Fatime Kryemadhit, nënës së Monikës dhe Ajola Xoxës, gruas së kryebashkiakut të Tiranës. Sa celularë janë sekuestruar për ngjarjen e 21 Janarit? Unë mendoj se ka vlerë. Pse ka vlerë tani? Në kontrollin e Kryemadhit është gjetur celular i vitit 2012, jo i tanishëm. SPAK ka të drejtë t’ia kërkojë telefonin e vitit 2011 Sali Berishës, Edi Ramës, Lulzim Bashës. Prokuroria ka detyrë të kërkojë provën dhe të shkojë për sekuestrim, le ta marrë përgjigjen nëse nuk e kanë. Sepse nëse nisemi se s’e kanë, atëherë mbetet këtu. Po tabulatet ua kanë marrë? Jo, këtyre treve jo, nuk u është marrë. 

Po i drejtoj pyetje gjithë publikut, janë marrë dhjetëra e qindra dëshmi, s’ka ngel polic e protestues pa u marr në pyetje, deri te Saimir Tahiri dhe dihet se e kam kundërshtar politik Tahirin”, thotë ai.

Spahiu beson se të tre këta persona kanë shumë dijeni për ngjarjen dhe duhet të ishin pyetur të parët, teksa aktualisht askush nuk guxon t’i thërrasë.

“Shumë mirë që janë pyetur kaq shumë persona për 21 Janarin, po Berisha, Rama dhe Basha a kanë dijeni për 21 Janarin? E para për shkak pozicioni, e dyta për deklarim, e treta se njëri është organizator i protestës, tjetri drejtonte Gardën dhe policinë dhe i treti se është kryeministri, institucioni ku ndodhi ngjarja dhe që ka marrë përsipër ngjarjen. Prokuroria e djeshme dhe SPAK i sotëm nga e nis hetimin, nga ata që kanë më shumë dëshmi e dijeni apo nga ata që kanë më pak. Kjo nuk është sqaruar. Çfarë rëndësie ka kur mbledh 2 mijë dëshmi nga ata që dinë më pak dhe nuk pyet ata që janë persona kyç për dijeninë e saj. Pra që konsiderohen dëshmia bazë, që janë personat drejtpërdrejt. Kush është arsyeja përse nuk guxojnë që t’i pyesin, këtë nuk e kuptoj”, përfundon juristi.

Ora 22:02
Spahiu thirrje: Lexoni dëshminë e ish prokurorit Ervin Karanxha, 100% e vërteta e 21 Janarit! Dumani në atë kohë kërkoi përgjegjësit, por e rrëzuan

Dëshmia e dhënë sot nga ish-prokurori Ervin Karanxha i dosjes “21 Janari”, si pjesë e grupit hetimor më 2011, ku dha detaje në një rrëfim ekskluziv për REPORT TV, duhet të jetë edhe baza e rihetimit që po bën SPAK aktualisht.

Kështu mendon juristi Kreshnik Spahiu, i cili konstatoi gjithashtu se nuk guxohet që t’i hyet me thellësi këtij hetimi dhe të thirren apo kërkohen prova për Sali Berishën, Lulzim Bashën apo dhe Edi Ramën për atë ngjarje. I pari si kryeministër në atë kohë ku ndodhi krimi i cilësuar shtetëror, i dyti si ministër i Brendshëm dhe i treti si organizator i protestës.

“Do përpiqem të them ca gjëra, që ndoshta në 14 vite nuk janë thënë. Unë do ftoja të gjitha mediat dhe publikun, që sot të lexojnë dëshminë e ish-prokurorit të çështjes Ervin Karanxha. Nuk kam dëgjuar kurrë një person dhe individ të lidhur drejtpërdrejtë me çështjen, që të zbardhë kaq shumë, të paktën kronologjinë e çështjes. Në dëshminë e tij do gjeni të paktën përgjegjësinë e disa institucioneve dhe personave për moshetimin e ngjarjes. Tek kjo dëshmi Prokuroria, pra SPAK, mund të bazohet për rihetimin e çështjes. Prokurorët e sotëm të dosjes mjafton të pyesin prokurorët e asaj kohe, të hetimit për çështjen, për ta hetuar rastin tani dhe për të mbledhur informacionin e nevojshëm”, shprehet Spahiu në emisionin “REPOLITIX”. 

Në panel u vu në dukje se edhe Altin Dumani, kreu i SPAK ka qenë pjesë e Prokurorisë së Apelit në atë kohë. Spahiu sqaron për publikun se magjistrati e kishte kryer detyrën e tij.

“Altin Dumani në çështjen që ka mbrojtur në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë ka kërkuar akuzë më të rëndë, vrasje të cilësuar, që u rrëzua nga Apeli dhe s’u pranua nga Gjykata e Lartë. Dumani ka qenë në rregull me atë që ka kërkuar edhe publiku, që kërkon edhe përgjegjësit për vrasjet”, nënvizon juristi.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?