Politikë

Spahiu: Do dëshiroja që partitë e reja të ishin më radikale për largimin e dyshes Rama-Berisha

21 Prill, 22:55| Përditesimi: 21 Prill, 23:02

  • Share

 

Partitë e reja kanë bërë një fushatë pozitive deri tani dhe me programe elektorale të moderuara, por për të thyer binomin PD-PS u duhet që të jenë më radikalë, pasi në të kundërt ndryshimi nuk vjen.

Juristi Kreshnik Spahiu mendon se pikërisht radikalizmi rrëzon forcat e mëdha që kanë dekada të vendosura si estabilishment, duke sjellë në analogji politike precedentët në Europë.

“Partitë e reja deri më sot kanë bërë performancë të mirë dhe pozitive, përfituar edhe nga rrethanat e krijuara, si konsumi i Ramës e Berishës, goditjet e SPAK. Këto rrethanat nuk kanë qenë as 4 vite më parë dhe Shabani e di pasi ka kandiduar katër vite më parë dhe situatat ishin të komplikuar politikisht. Partitë e reja kanë një frymë liberale dhe që duhet ta prezantojë Shqipëria, për të treguar arrogancën e liderëve të vjetër dhe forcave të vjetra politike. Nuk e di sa efekt do ketë, por edhe në vendet europiane, partitë liberale nuk kanë qenë të suksesshme, në krahasim me ato radikale, të ekstremit, që kanë pasur më shumë rezultat me strategjitë dhe radikalizmin e tyre. Radikalizmi do bënte të mundur rrëzimin e arrogancës së frikshme dhe estabilishmentit të frikshëm të dy partive të mëdha dhe kjo do varet nga 11 maji, pasi më 12 maj do e shohim nëse ky estabilishment do rrëzohet. Këto forca të reja kanë program të moderuar në krahasim me partitë e mëdha”, shpjegoi juristi për Report Tv.

Ai e ilustroi këtë me shifrat elektorale të sondazheve dhe faktin se partitë e reja si koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, po merr elektorat më shumë në krahun djathtas ose atë gri, pasi PS nuk ka lëvizur nga pozitat e saj.

Juristi ngre pyetjen se si do veprojnë këto parti pasi nuk do arrijnë dot pragun 51% për të bërë qeveri, a janë gati të bëhen faktor në opozitë?

“Rama nuk po lëviz nga shtrati i vetë në sondazhe me përqindje, ajo që ka lëvizur janë partitë e reja, që po marrin elektorat të djathtë, opozite, dhe elektorat gri. Edhe Berisha vetë është opozitë e opozitës, e Shehajt, e Bashës, e Alibeajt etj. Berisha ashtu do thotë. Por që të jesh në qeveri të duhen 71 deputetë dhe 51% e votave, ose të hysh në koalicion qeveritar. Tani këto janë të përgatitura për të qëndruar në opozitë apo për të bërë koalicion qeveritar nëse do bëhen faktor?”, u shpreh Spahiu.

Por juristi shpjegoi dhe frymën pesimiste që po shpërndahet qëllimisht se partitë e reja nuk do kenë sukses apo se do kenë fatin e partive të vogla në zgjedhjet e kaluara. Ai ndau mendim ndryshe dhe shprehu optimizëm, pasi këto parti të reja ndihmohen nga 4 faktorë.

“Kam sqarim për auditorin për një frymë pesimiste që është krijuar në opinion dhe që po shpërndahet, se partitë e reja nuk do kenë sukses, apo se do kenë fatin e atyre në të shkuarën.

Unë them se partitë e reja do kenë më shumë sukses së ato më parë. Kjo për katër faktorë:

Shqipëria nuk është më si më parë, si dikur, kanë ndryshuar shumë gjëra dhe situata politike është krejt tjetër. Kemi SPAK dhe hetimet për korrupsion, reforma në drejtësi.

Fjala e lirë depërton edhe më mirë, pa pengesa, pasi janë rrjetet sociale, nëse u mbyllen ekranet partive të reja, e gjejnë mundësinë e shprehjes te to.

Partitë dhe liderët e vjetër kanë halle të tjera jo me partitë e reja. Pra Berisha i ka energjitë të ndara, e ka hallin me Dumanin jo me Shabanin dhe të tjerët.

Vota e diasporës është faktor determinant mendoj, pasi mund të mendojnë ndryshe dhe të japin mbështetjen e votën për partitë e reja, votojnë për herë të parë. Unë mendoj se do jetë një rezultat më pozitivë, kanë shanse dhe të mos dorëzohen deri më 11 maj”, analizoi Spahiu situatën politike të partive të reja në këto zgjedhje dhe projeksionin e 11 majit.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet/ Spahiu për Report Tv: Kjo fushatë e ftohtë dhe pa entuziazëm! Në sheshe ulen në karrige si në kinema


A.Q/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?