TIRANË- Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në Report Tv thotë se është luks që të garosh në politikë, kur të arrestohen kundërshtarët poltikë. Duke komentuar arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, Spahiu thotë se në këto 34 vite, kur ka ndodhur që në vitin elektoral të ketë kaq shumë arrestime dhe sekuestrime për një parti politike.
Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço, Spahiu shprehet se është luks që të futesh në zgjedhje dhe SPAK të të arrestojë të gjithë kundërshtarët politikë.
“Në 34 vite në cilat zgjedhje ka ndodhur që në vitin elektoral të ketë kaq shumë arrestime dhe sekuestrime për një parti politike. Sot të jesh në politikë është një luks i madh, kur ka ndodhur ndonjëherë në 100 vite, të hysh në zgjedhje të kesh SPAK dhe të të arrestojë të gjithë kundërshtarët. Kësaj i thonë të kesh një dhuratë të madhe elektorale. Fakti është që në harkun kohor që pas 2 muajsh e gjysmë shqiptarët do të votojnë”, shprehet Spahiu.
Sa i takon rastit të kryebashkiakut Veliaj, Spahiu thotë se reagimi i kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste është i vonuar.
“Rama dhe çdokush tjetër, të paktën gjithë ne e kemi paraprirë që do të ndodhë masë sigurie ndaj Veliajt. Mendoj se reagimi i Ramës dhe PS është i vonuar. Vetëm Rama e kupton dhe prandaj stonon, se ky reagim ndaj SPAK duhej ti kishte paraprirë, jam disi i habitur se pasi ishin kryer disa veprime, pasi ishin marrë disa faza procedurale, pasi kryhet arresti të bëhet ky reagim”, vijoi Spahiu.
Në asnjë rast, Veliajn nuk e sheh si një faktor që mund t’i japë goditje Ramës.
“Rama do të ndëshkohej nga Veliaj vetëm në një rast, nëse Veliaj në kohën dhe vendin e duhur do kishte krijuar një parti të re politike, një grupim të ri politik, ti kish paraprirë një lloj braktisje nga partia e vet dhe të ishte formatuar për të mbajtur qëndrim ndryshe. Është vonë që Veliaj ti japë një goditje Ramës”, vijoi Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në Report Tv flet për zgjedhjet e 11 majit dhe strategjinë e Partisë Socialiste. Spahiu në emisionin ‘Frontline’ thotë se Rama nuk e rrezikon pushtetin, pasi ka ngritur të gjitha antenat dhe mekanizimin elektoral.
Spahiu thotë se arrestimet e SPAK zgjuan ‘ariun’ elektoral dhe gara e 11 majit do jetë shumë agresive.
“Të gjithë jemi bashkëudhëtarë të këtij kalvari të karrierës politike të socialistëve dhe Rilndjes. Rama kishte një ekip në 2013, që e konsideronte ekipin e rilindësve, , që ishin pinjollët e familjeve patriotike apo figurave të mëdha që krijuan shtetin shqiptar. E rreshtonte ekipin e tij në fushatën elektorale të 2013, por sot ky ekipi është në burg, duke nis nga Tahiri nga Arben Ahmetaj, Beqaj dhe gjithë ekipi i tij sot kanë përfunduar në rrjetën e drejtësisë, kjo s’ka ndodhur ndonjëherë që kur është krijuar shteti shqiptar.
Rama mund të rrezikonte pushtetin nëse do ishte në atë gjumin letargjik që i kemi të fituara zgjedhjet, çdo gjë e kemi në kontroll, e mundim atë bufin . Rama ka një javë që ka ngritur të gjitha antenat, ka futur mekanizmin elektoral dhe kur PS dhe Rama zgjohen dhe ndihen në rrezik për zgjedhjet, janë një rrezik potencial për rezultatin e zgjedhjeve sepse kanë një makineri të frikshme elektorale. Nëse do përdorin të gjitha mënyrat dhe mjete në panikun e rezultatit të zgjedhjeve këtu kemi do kemi zgjedhje problematike dhe i përket një analize aq të gjatë se tashmë infrastruktura dhe sofistikimi i mënyrës si paracaktohet rezultati i zgjedhjeve është shumë më i sofistikuar se vite më parë”, tha Spahiu në Report Tv.
Për juristin Kreshnik Spahiu, Tirana është pikëpyetja më e madhe zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. I ftuar në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, Spahiu komenton takimin e Ramës me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, duke thënë se ai dhe Berisha e dinë shumë mirë që fati i zgjedhjeve të 11 majit varet nga Tirana, që prodhon numrin më të madh të deputetëve, 37.
E për këtë arsye, Spahiu thotë se edhe partitë e vogla kanë përqendruar forcat e tyre në kryeqytet duke mbajtur protesta.
“Sipas të gjitha sondazheve dhe studimeve. Sot Tirana është pikëpyetja më e madhe e 11 majit, e fatit elektoral, e fatit të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit. Pavarësisht formatit, orarit, pjesëmarrjet, një gjë është shumë ë qartë, që Rama dhe Berisha e dinë më mirë se çdokush tjetër që fati i rezultatit të zgjedhjeve është kryeqytetit. Kryeqyteti ka pikëpyetjet dhe dilemat më të mëdha sa i përket rezultatit të zgjedhjeve për shkak të numrit të deputetëve. Rezultati i zgjedhjeve të Tiranës do paraprijë rezultatin e zgjedhjeve të gjithë Shqipërisë.
Të gjitha partitë politike, duke nisur nga PS që është partia në pushtet që përpiqet me administratën e strukturat e saj të mbushë sheshin deri te PD që mbush autobusët e fugonët që të vijnë nga gjithë Shqipëria në Tiranë, deri te partitë e reja. Kemi pasur 3 protesta të partive të reja, Mundësia, Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja bashkë. Të gjitha përpjekjet fshehin një dilemë të madhe dhe një informacion që lidhet me Tiranën, sipas burimeve dhe informacioneve ka një numër që afro 40% e Tiranës janë elektorat i pavendosur, që si pasojë e ngjarjeve mund të vendosin në minutën e fundit. Në këtë kontekst retorika apo orientimi i fjalimit të kryeministrit do përqendrohet në çështjen Veliaj”, tha Spahiu në Report Tv.
Komente
