Juristi Kreshnik Spahiu tha këtë të premte se vizita e kreut të SPAK, Altin Dumani, në Uashington, ku u prit në Departamentin Amerikan të Shtetit, nuk kishte të bënte me dosjet penale apo hetimet lidhur me politikanë të caktuar.
Në një intervistë për Nertil Agalliun në Report Tv, Spahiu tha se mes zyrtarëve të DASH dhe Dumanit është diskutuar mbi zgjedhjen e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe mandatin e limituar të prokurorëve të SPAK, i cili zgjat 9 vite.
Gjithashtu, juristi tha pritja e Dumanit në Departamentin Amerikan të Shtetit konfirmon mbështetjen e Administratës Trump për SPAK, duhet hedhur poshtë hamendësmet që trazuan rrjetin pak kohë me parë, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr dorë nga Prokuroria Speciale, pas urdhrit të presidentit Donald Trump për bllokimin e fondeve që Uashingtoni dhuronte për kauza e sektorë të ndryshëm në shumë vende të botës, ku përfshihej dhe mbështetja për “krijesën” më të madhe të reformës në drejtësi në vendin tonë.
“Në këto ditë kam lexuar shumë përralla në mediat shqiptare duke thënë se Dumani është thirrur për dosjen Berisha, “dosjen” Rama, etj. Do të them me pak fjalë, në takimin e kreut të SPAK me zyrtarë të DASH nuk ka qenë objektiv diskutimi për Sali Berishën dhe Edi Ramën. Ka qenë një vizitë rutinë dhe jo vizitë specifike, ka qenë një vizitë e një partneri në vazhdim, që padyshim provon që Departamenti i Shtetit dhe administrata amerikane nuk ka hequr dorë nga projekti për SPAK-un. Është diskutuar për dy probleme thelbësore: AI që sot ka SPAK-u: për emërimin e kreut të BKH-së, që është partneri kryesor që mbështet punën e SPAK-ut, dhe e dyta që është mandati i limituar i prokurorisë speciale, do duhet që në 2027 këta prokurorë përfundojnë mandatin e tyre. Nuk ka asnjë shenjë politike që PS dhe PD do të votonjnë zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK. Nëse do të ketë ndonjë ndryshim, e shoh të vështirë”,- tha Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu tha sot se Shqipëria e ka të nevojshëm një Kod të ri Penal, pasi ai aktuali është i vjetër dhe jashtë kohës, nëse marrim parasysh që hartuar dhe miratuar në vitin 1995.
Po ashtu, ai shtoi se Kodi i ri Penal duhet të jetë i përshtatshëm për ndëshkimin e krimeve që janë të pranishme në Shqipëri, edhe nëse kodet e vendeve të Bashkimit Europian nuk i kanë të përfshira ato lloj veprash.
“Mendoj që Shqipëria parimisht është në kohën e duhur për ndryshime thelbësore në Kodin Penal pse ndoshta për të përgatitur një Kod të ri Penal. Fakti që Shqipëria ka 30 vite që ka miratuar këtë kod, mjafton kaq për të kuptuar që 30 vitet e fundit përbëjnë ndryshime në marrëdhëniet shoqërore afro 1 shekull. Që do të thotë se Kodi Penal i miratuar në vitin 1995, nuk mund t’i përshtatet më realitetit shqiptar. Jo vetëm që jam pro ndryshimeve, por do isha pro edhe miratimit të një Kodi të ri Penal. Pastaj çështja në lidhje me detajet apo dispozitat të cilat propozohen amendimet, sigurisht që është pjesë e debatit dhe është krejt normale që të jetë e debatueshme. Kam dëgjuar me vëmendje kur thuhet që do të marrë vulën e Bashkimit Europian. E para, a kanë qenë ekspertët e BE-së pjesë e këtij që serviret pothuajse në 500 apo 600 dispozitat e saj? Është një nen me shumë shumë dispozita. Dhe cila është arsyeja që BE e kontestoi? Ne nuk mund të lidhimin thjeshtë dhe vetëm miratimin e një kodi të ri penal me domosdoshmërinë që është apo jo dakord BE-ja. Shqipëria mund të ketë një Kod Penal me standarde europiane, por fatmirësisht ka krime dhe vepra penale afrikane. Që do të thotë sa vepra penale në Shqipëri, nuk janë sjellja që kanë europianët. Janë krime që i gjen në shoqëri të pazhvilluara. Kjo nuk do të thotë që duhet të kemi një kod penal gjerman apo italian dhe të mendojmë se kjo do t’i zgjidhë të gjitha problemet e parandalimit të luftës kundër krimit në Shqipëi”,- tha Spahiu në një intervistë për Nertil Agalliun në Report Tv.
Juristi Kreshnik Spahiu tha sot në një intervistë me Nertil Agalliun, në Report Tv, se debati mbi Kodin e ri Penal duhet të fokusohet te përfshirja e mashtrimit me produktet ushqimore si vepër penale.
“Unë do t’i thoja publikut që në optikën time sot një nga veprat penale që nuk ndëshkohet dhe nuk sanksionohet me heqje lirie dhe me burg është mashtrimi me produktet ushqimore, që është vepra më e përhapur në Shqipëri. Shqipëria është viktimë e mashtrimit me cilësinë, me sasinë, me origjinën e produktit. Marrëdhënia e cila është më e pandëshkuar, krim më i legalizuar në Shqipëri, është mashtrimi dhe abuzimi me produktet ushqimore që hanë sot konsumatorët shqiptarë. Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë. Për çdo familje kjo përbën një rrezik. Sot në Shqipëri sundon një lloj perceptimi që hahen ushqimet më bio, është një mashtrim”,- tha Spahiu ndër të tjera.
Juristi Kreshnik Spahiu beson se lufta në Ukrainë do të përshpejtojë futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Mos harro ngjarjen që ndodhi në Kinë me një solidarizim të aleancës së BRICS, që janë Kina, Rusia, India, Brazili, Afrika e Jugut. Këto vende që po konsolidojnë rivalitetin e tyre dhe po marrin peshë për një rend të ri botëror, e vendosin BE-në në pozitë për t’u shtuar aleancat e reja. E vetmja paradhomë për t’u zgjeruar është Ballkani, dhe stabiliteti në Ballkan vjen duke u anëtarësuar në BE. Mendoj që Rama në BE ka marrë disa garanci nga liderë të BE-së që anëtarësimi do të vijë shumë shpejt”,- tha Spahiu ndër të tjera për Nertil Agalliun në Report Tv.
Komente
