Dominuesit e armëve bërthamore janë SHBA-të dhe Rusia, vendet e tjera kanë vetëm 10% të këtyre armatimeve së bashku.
Kështu deklaroi juristi Kreshnik Spahiu për Report Tv ditën e sotme, teksa fliste për konfliktin e ri mes Izraelit dhe Iranit dhe informacioneve për shpërthimin e mundshëm të një luftë nukleare dhe zgjerimit të mëtejshëm të konfliktit.
Kërcënimet publike nga disa liderë për përdorimin e tyre ai e sheh më shumë si një lojë diplomatike.
“Lajmet për bombën bërthamore janë thjesht presione. Rusia dhe Turqia apo Kina nuk duan të përfshihen në këtë konflikt. Madje edhe Arabia, e cila ka rivalitet fetar, nuk do të përfshihet. Ka shtete si Turqia që duan dominancën e vet, Izraeli po ashtu, edhe Azerbajxhani është kundërshtar i iranit. Edhe Pakistani gjithashtu. Pra Irani është i rrethuar nga kundërshtarë të regjimit të tij”, tha ai.
Por që të kërcënosh duhet të kesh në dorë edhe kapacitete reale dhe në këtë rast nukleare.
“Edhe pse flitet për kokat bërthamorë, 90% e tyre janë në posedim të SHBA dhe Rusisë, kurse pjesa tjetër ndahet mes Kinës, Koresë, Pakistanit, Indisë, përfshi edhe Izraelit. Mund të ketë një shtysë të fortë ushtarake për ta rrëzuar Iranin dhe rezistenca ushtarake e Iranit nuk do zgjasë nëse nuk ka mbështetjen e aleatëve si Rusia”, vijoi juristi analizën e tij.
Mbështetjen që Rusia po i jep Iranit, Spahiu e sheh më shumë si diplomaci për interesat e tij, në lidhje me Ukrainën.
“Por po ta shohësh, edhe Rusia vetë më shumë kërkon interesat apo pazaret e saj, vetë fakti që ka dalë Vladimir Putin për t’u bërë ndërmjetës. Do funksionojë gjeopolitika, do kërkojë një pazar për Ukrainën, mbase do i thonin ti mos ndërhy te interesat tona dhe ne nuk ndërhyjmë tek tuajat. Pra e shoh më shumë si një negociatë. Por nuk do doja që Irani të binte si pasojë e një situate kaosi”, u shpreh ai për ‘Studio Live’.
Lajmi kryesor:
Spahiu për Report Tv: Regjimi iranian do rrëzohet si investuesi kyç i Hamasit në Gaza, Hezbollahve në Liban dhe Huthve në Jemen
A.Q/r.k./ReportTv.al
