Kreshnik Spahiu e quan fushatën më të ftohtë dhe të akullt që pas pluralizmit.
Madje edhe rezultati është i parashikueshëm, teksa vendosi “bast publik” në emisionin “Studio Live” të Report Tv, se PD dhe Sali Berisha në aleancë me Ilir Metën, do të marrë më pak mandate deputetësh sesa mori Lulzim Basha më 2021.
“Kjo është fushata më e ftohtë, më e akullt, më e qetë, e paorganizuar. Unë i kam ndjekur të gjitha dhe PD-ja ka qenë gjithnjë kampione e tubimeve, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. Sot, ka dhjetëra arsye, përveç sondazheve, se e dinë rezultatin elektorati dhe lideri i saj,e asnjë lloj opozite nuk e nxjerr dot analizën apo të sjellë rotacionin. Nuk ka rotacion më 11 maj. Kemi PS-në përballë 10 subjekteve, kjo është panorama. Made më shumë se aleanca e PD ka 25 parti. Pse PS nuk bëri koalicion? Sepse sipas llogarive të dhënat nuk e nxjerrin apo të bjerë nga rezultati i 2021, pra jo më pak se 74 mandate. Unë vij më 12 maj në këtë studio. Shënoje, Berisha do marrë më pak mandate me Ilir Metën në koalicion, si bast publik, sesa Basha dhe Monika më 2021”, u shpreh juristi.
Gjatë analizës së tij ai nënvizoi se qëllimi i Berishës është të mbajë peng opozitën, kurse i Ramës të marrë edhe mandatin e 2029 dhe pse jo një të gjashtë, duke mbajtur Berishën si patericë.
Spahiu shprehu shqetësimin edhe për situatën e opozitës pas 11 majit.
“Do marrin më pak se Basha që e denigruan për 10 vjet dhe ai do ketë rezultat më pozitiv sesa Berisha dhe PD do marrë më 11 maj. Objektivi i tyre, i Berishës, është të marrë peng opozitën. Shqetësimi është jo se kush fiton 11 majin, por 2029. Nëse pas 11 majit shkrihen partitë e tjera, s’do ketë shpresa më 2029, shuhet shpresa. Kush do jetë prapë më 2029? Përsëri Rama dhe Berisha dhe madje Ramës i intereson të ketë Berishën përballë. Kjo është situata më e frikshme.
Kjo do ndodhi se e gjithë skema politike ishte për të lënë jashtë partitë e tjera dhe për të thënë se opozita e vetme jemi ne. Kompania amerikane i duhet për dy vite për vizionin e tyre se do jetëopozita e vetme. Për të thënë se doni rotacion politik, doni të iki Rama pas 16 vitesh, jemi ne këtu, jemi ne shishja e qumështit, për t’i vendosur faktorit diplomatik një detyrim se janë vetëm ata dhe kjo është më e keqja.Por kjo mund të shkojë në mandatin e 5 dhe të 6 të Ramës dhe kjo shkakton një patericë. Paterica e vërtetë e Ramës është Berisha”, theksoi juristi për ‘Studio Live’.
Ai komentoi edhe listat e deputetëve të të dy partive, duke thënë se PS ka negativitet te lista e mbyllur dhe pozitivitet tek e hapura, kurse PD-në e sheh pa emocion elektoral.
“PS ka dy momente. Listën e hapur dhe të mbyllur. Lista e mbyllur Rama ka mbyllur njerëz që nuk e meritojnë, emra të panjohur, që s’kanë asnjë meritë e kjo është pjesa më negative. Pjesa pozitive është se ujqërit e votave i ka nxjerrë në listë të hapur. Për të mbledhur vota, ish-ministra dhe deputetë me peshë. Kanë hyrë në konkurrencë dhe në fund kjo përkthehet në vota.
Te PD kam parë vetëm 2 kandidatë në Tiranë që bëjnë fushatë në listë të hapur, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, të tjerët nuk duken. Skema elektorale e Shqipërisë është e ndarë, jugu voton PS-në, veriu voton PD-në, e kush është lufta? Sigurisht që Tirana. Kush merr Tiranën, merr edhe pushtetin”, përfundoi juristi analizën e tij.
Lajmi kryesor:
Kontrata e lobimit të PD/ Spahiu për Report Tv: SHBA nuk blihen me miliona dhe s’të falin për lobimet! Berisha e ka trenin e fundit! KQZ duhet të reagonte! Po aleatët e dinin?
A.Q/I.M/ReportTv.al
