Politikë

Spahiu: Partitë e reja janë e vetmja gjë interesante në zgjedhjet e 11 Majit! Ja çfarë do u këshilloja

29 Prill, 18:47| Përditesimi: 29 Prill, 19:13

  • Share

 

Juristi Kreshnik Spahiu thotë se partitë e reja janë gjëja më interesante që po i ndodh fushatës elektorale të 11 majit. Por ato kanë një armik të rrezikshëm, siç është sistemi elektoral rajonal në bazë qarqesh dhe jo kombëtar.

Dhe po t’i shtosh kësaj mungesën e strukturave dhe shpërndarjen e fushatës në qarqe ku nuk marrin dot deputetë, kjo e bën akoma edhe më të vështirë panoramën elektorale.

“Gjëja më tërheqëse, pozitive, atraktive, të kësaj fushate janë partitë e reja. Jo vetëm se i kam miq, por kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe simpatinë e tij. Por jo vetëm, sepse është edhe momenti politik, kanë pasur mbështetjen edhe të SPAK. Siç ndodhi edhe me Albin Kurtit, kur u arrestuan të gjithë liderët e tjerë dhe mbeti me fushë të hapur. A do e kenë këtë fat? Unë them se jo, do e kenë të vështirë, pasi sistemi zgjedhor nuk e lejon. Po marrë të mirëqena edhe sondazhet, që i nxjerrin me 6%. Por në qarqe kjo përqindje është e pamundur për deputetë, për të gjitha. I vetmi qark mbetet Tirana për të marrë deputetë, sepse sistemi elektoral nuk ua lejon. Nëse do ishte një sistem kombëtar, do kishte kuptim, ku merr 6% dhe ajo të përkthehet në deputetë. Kurse këtu e kemi me qarqe, pra nëse merr 7 mijë vota merr zero deputetë dhe nëse merr në gjithë vendin 100 mijë vota total, ti merr zero deputetë. Është skemë elektorale e mirëmenduar. Ndaj partitë e vogla duhet të ishin bashkuar pë të marrë deputetë e të mos humbiste vota, pasi të mbaronin zgjedhjet, le të ndaheshin pastaj”, shprehet Spahiu.

Por ai nënvizon edhe defektin që këto parti të reja opozitare kanë shfaqur së fundmi.

“Një tjetër defekt i tyre është deklarimi se nuk do hyjnë në qeveri, s’do bëjnë koalicion as me Berishën dhe as me Ramën. Nga njëra anë mirë bëjnë, por nga ana tjetër si do e realizojnë programin e tyre për rroga dhe pensione, pra duke mos qenë me asnjërin, ti rri në opozitë dhe programi yt bëhet zero, se nuk e realizon dot. Përfaqësimi i programit bëhet vetëm duke qenë aktiv, edhe në qeveri, ku ti e detyron atë të zbatojë programin tënd”, shpjegon ai.

Teksa uron që partitë e reja të marrin sa më shumë vota dhe t’i përkthejnë në mandate, ai këshillon që mirë do të ishte që fushata në qarqet e tjera të braktisej dhe të fokusohej në kryeqytet. Ai e sheh vështirësinë tek sistemi elektoral.

“Unë uroj që elektorati gri të votojë partitë e reja. Por ky sistem është i tillë, pasi populli voton të rejat, votat i numërojnë partitë e vjetra. Është sakrificë e madhe të jesh aktivist i një partie të re, unë i kam vuajtur edhe vetë, ndaj edhe i mbështes partitë e reja sepse i kuptoj. Madje partitë e mëdha edhe të baltosin me makinerinë e tyre, të sulmojnë etj. Kurse këta thonë nuk bëjmë koalicion ne me ta. Ja edhe Albin Kurti ashtu u soll dhe tani ndodhet në pozitë të vështirë. Unë vlerësoj më shumë partitë e reja se fraksionet e PD-së, sepse partia e re është më e vështirë. Por partitë e reja kanë defekte të struktura, atë që kanë më të lehtë fraksionet që vijnë nga PD-ja. Kur je parti e re, e para të vjedhin, partitë e mëdha ndajnë votat e tyre 50 me 50. Votat nuk vijnë nga media, por nga strukturat njerëzit, se ata nuk të tradhtojnë. Pëlqyeshmëria nga media është e tillë, por nuk të jep votë”, vijon juristi.

Dhe cila do ishte zgjidhja më e mirë për to, që të merrnin maksimumin nga ky rezultat?

“Lufta kryesore bëhet në Tiranë, hambari i votave është në kryeqytet. Dhe duke qenë të veçuara, partitë e reja dhe fraksionet do e kenë të vështirë. Madje do i këshilloja të vinin kyçin për fushatën në qarqe, e të punonin vetëm në Tiranë si një tren”, përfundoi Spahiu.


Lajmi kryesor:

Kontrata e lobimit të PD/ Spahiu për Report Tv: SHBA nuk blihen me miliona dhe s’të falin për lobimet! Berisha e ka trenin e fundit! KQZ duhet të reagonte! Po aleatët e dinin?


A.Q/I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?