Juristi Kreshnik Spahiu mendon se ky sistem elektoral ku do votohet më 11 maj është më i keqi ndër tre dekada pluralizëm në Shqipëri dhe që i disavantazhon së tepërmi forcat e reja politike.
Por zgjedhjet janë shansi më i mirë i partive të reja për të larguar xhaketat e vjetra, teksa një tjetër faktor historik sipas tij, është edhe Prokuroria Speciale, ku mbi 1 mijë ish-zyrtarë dhe zyrtarë të të gjitha kategorive, janë nën akuzë, të dënuar apo nën hetim.
I ftuar në ‘5 Pyetjet nga Babaramo” mbrëmjen e sotme në Report Tv, ai bëri analizën e situatës më të fundit politike, duke parë të favorizuar në prizmin elektoral forcat e mëdha, që i ndihmon edhe Kodi Elektoral.
“Risitë e reja janë partitë e reja politika. Unë që kam përjetuar Dhjetorin 90 ndjej atmosferën edhe pse në rrethana e premisa të reja. Me parti të reja politike, situatës, jo për shkak të krizës ekonomike, por për faktorë të tjerë, ku kryesori është Prokuroria Speciale. Shqiptarët pas tre dekadash u përballën me realitet të ri, ku mbi 1 mijë zyrtarë janë nën akuzë, nën hetim, ku përfshihen ish-presidentë, ministra, zv/kryeministra, deputetë. Shqiptarët panë në atë që ishte përtej mediave se si po dalin xhaketat e vjetra të politikës. Partitë e reja nuk gjejnë mundësi më të mirë se kjo, për më tepër duke përfshirë edhe Diasporën, çerekmilioni shqiptarë që janë jashtë influencës politike, ndikimit të votës, që duke e përkthyer në mandate nëse do votonin të gjithë, do prodhoheshin 25 deputetë. Janë të shpërndara në fakt dhe nuk përkthehen automatikisht. Jo vetëm diaspora, por edhe rrjetet sociale, ku të vegjlit janë bllokuar nga mediat, por kanë rrjetet sociale për të bërë fushatën e tyre”, u shpreh ai.
Më tej theksoi edhe disavantazhin, ku tashmë listat e mbyllura nxjerrin pjesën më të madhe të deputetëve të ardhshëm. Sipas Spahiut, parlamenti pas 30 vitesh do jetë për herë të parë “i emëruar”.
“Kanë një disavantazh të madh zgjedhjet e vitit 2025 në 11 maj. Për herë të parë shqiptarët votojnë me sistemin më të keq e negativ. Në tre dekada nuk ka pasur sistem më negativ, pavarësisht fshehtësisë së votës. 70% e listës së mbyllur dhe 30% e hapur bën që populli të mos ketë mundësinë të zgjedhë, devijon votën, populli nuk përfaqësohet. Do kemi Parlament të emëruar, nuk është vota e popullit. Ky është disavantazhi më i madh që do penalizojë edhe partitë e reja. Sepse nëse sistemi i drejtësisë do të vepronte do i kishte hequr këto parti të mëdha që kanë kapur këtë sistem. Populli do të votojë i diktuar në këto zgjedhje, ndaj janë edhe më negativet”, shprehet juristi për Report Tv.
Juristi Kreshnik Spahiu shpjegoi deklaratën e tij në lidhje me një prej faktorëve pse Shqipëria do anëtarësohej në BE dhe theksoi se shkaku kryesor ishte gjeopolitik, pasi ushtarë vendi edhe aktualisht dërgon si pjesë e qenies anëtar i NATO-s.
“Thelbi i konceptit është se nevojat që ka BE-ja sot, kërkojnë futjen e Ballkanit Perëndimor si anëtarë të unionit europian. Po përballen me një realitet të ri dhe ata kanë nevojë më shumë për ne, se çfarë kemi nevojë ne për ta. Batuta për ushtarët ishte edhe në këtë kuadër, pasi aktualisht Shqipëria është anëtare e NATO dhe çon ushtarë me misione të ndryshme, por batuta ishte edhe në aspektin gjeopolitik”, tha Spahiu në lidhje me deklaratën e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Kurse në lidhje me kauzën që ai përfaqësoi kur kandidoi me lëvizjen e tij në vitin 2013, Spahiu u shpreh se ishte pjesë e një kauze të madhe që rrëzoi atë pushtet të dyshes PD-Berisha, që e kishin bërë Shqipërinë të vogël.
“Unë kam garuar vetëm një herë për Parlament, por isha pjesë e një kauze të madhe, që rrëzoi pushtetin e asaj qeverie që e bëri Shqipërinë të vogël. Berisha dhe partia e tij nuk vjen në pushtet sepse përfaqësuan një kauzë të vogël e të gabuar, kurse unë do mbahem mend si avokat që përfaqësoi një kauzë të madhe”, shpjegoi ai.
Në fund ai analizoi edhe çështjen e votës dhe numërimit të saj, si një tjetër paradoks politik i dyshes PD-PS, të cilat do kenë në dorë numërimin me dorë të votës së partive të vogla, pasi rrëzuan numërimin elektronik.
“Kemi 9 subjekte politike dhe 2 koalicione. Kemi 6 parti të reja, që votat e të cilëve mund të numërohen nga 4 partitë e reja. Pra populli mund të votojë partitë e reja, por votat do ia numërojnë 4 partitë e vjetra. Një nga projektet e OSBE ishte votimi elektronik, si dhe i Diasporës. Dy javë pas ndryshimeve në Kod u ra dakord Rama-Berisha që të numërohen me dorë dhe të hiqet votimi elektronik. A ka shqiptarë që beson që kjo marrëveshje u bë që vota e shqiptarëve të numërohet sa më mirë, përfshi edhe të Diasporës? PD le t’i thotë shqiptarëve përse zgjodhi dhe vendosi për t’i numëruar votat me komisionerë”, përfundoi juristi për Report Tv.
Spahiu dha edhe një mendim në lidhje me drejtësinë dhe interferencat apo dëshirën e estabilishmentit politik PD-PS për ta shkrirë apo riformatuar.
“Unë mendoj se nuk do ketë asnjë ndryshim të Prokurorisë Speciale apo Gjykatës Speciale, kjo edhe për faktin se mazhoranca parlamentare ka votuar disa ndryshime kushtetuese me mbi 93 vota funksionimin dhe organizimin e SPAK-ut. Pra duhet një tjetër numër i madh votash për të ndërhyrë dhe për të bërë ndryshimet. Pra vetëm nëse një nga forcat në zgjedhje merr gati 100 deputetë. Unë mendoj se PD dhe PS nuk e ndryshojnë dot Kushtetutën, nuk i bëjnë dot aq vota, mund të ndërhyjnë për gjëra të vogla, për të vendosur filtra. Ka një ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar që drejtësia të vazhdojë, por PD dhe PS do përpiqen ta pengojnë. Faktori ndërkombëtar duket se ka rënë dakord që të vendosen disa filtra për drejtësinë e re, SPAK e GJKKO, që të ketë edhe kufizime”, tha ai.
Kurse në lidhje me të ardhmen politike të Shqipërisë, ai u shpreh:
“Në lidhje me atë që do të ndodhë në të ardhmen politike për zgjedhjet e 2029, do e përcaktojë 11 maji, në lidhje me estabilishmentin politik. Këto zgjedhje do përcaktojnë këtë dhe në varësi të estabilishmentit, nëse do vazhdojë apo ndryshojë, ato të 2029 do jenë të paparashikueshme”.
Sali Berisha e ka bërë Shqipërinë të vogël ndër vite që ka qenë në pushtet apo dhe në opozitë dhe jo madhështore.
Kjo për shkak të aleancës së tij të shpallur me faktorin grek, njëherë duke i dhënë 6 milje det vendit fqinj dhe herë tjetër duke i dhënë Himarën (me Belerin), sikurse së fundmi aleanca politike në zgjedhjet e 11 majit me kandidatë në partitë minoritare greke.
Kështu shprehet juristi Kreshnik Spahiu për Report Tv në lidhje me programin që përfaqëson Sali Berisha dhe PD për fushatën elektorale të ardhshme. Ai vuri në dukje se me Berishën nëse i fiton zgjedhjet, Shqipëria rrezikon të izolohet nga pjesa më e madhe e planetit, për shkak se është “non grata” nga Britania e Madhe dhe SHBA-të.
Spahiu bën edhe tre konstatime të rëndësishme të situatës politike dhe dyshes Rama-Berisha:
“Duhet të jemi realist, të bëj 3 konstatime. E para nuk duhet të kemi pritshmëri të mëdha për 11 majin. Pritshmëri do kishim nëse kishte alternativa kryeministrore. Tani kemi vetëm 2, Rama dhe Berisha, njëri mbi 20 vjet dhe tjetri mbi 30 vjet në politikë dhe pushtet. Kandidatët zyrtarë për kryeministër që kanë deklaruar veten apo koalicionet, janë dy. Nuk ka as nga partitë e reja dhe as të tjera. S’po flasim për numër kandidatësh për deputetë apo parti. Të dy janë të provuar dhe stërprovuar, nuk kanë çfarë të sjellin më. A do i mbajnë premtimet e reja që nuk i kanë mbajtur kaq vite deri tani, nuk e di”.
Kurse për hyrjen e Shqipërisë në BE ai tha se do ndodhë për shkak të faktorëve gjeopolitikë brenda 5 viteve dhe sepse Europa ka plane.
“Përsa i përket asaj që tha zoti Qori (kreu i lëvizjes Bashkë), edhe për pasaportën europiane dhe BE, t’ia themi shqiptarëve siç duhet, Shqipëria do hyjë më shpejt në BE sepse BE po përgatitet për luftë. Mundësisht brenda 5 viteve llogaritet të ketë një konfrontim dhe luftë dhe do i duhen ushtarë. Ku do i gjejë BE këto ushtarë? Kryesisht nëpërmjet anëtarësimit të vendeve të Ballkanit, pra do i gjejë kryesisht në Ballkan. Ndaj po bëhet edhe ky anëtarësim i shpejtë i Shqipërisë në BE”, u shpreh juristi për Report Tv.
Ai i bëri edhe një radiografi kulisash e kalendash politike Sali Berishës, duke e sjellë në kohët aktuale, në lidhje me aleancat dhe qasjen me faktorin grek, në kuadrin e sloganit elektoral për ta bërë “Shqipërinë Madhështore”.
“Presidentit Trump flet për përcaktimin e kufijve të rinj me Groenlandën apo Panamanë, flet për zgjerim të SHBA-ve. Kurse PD-ja në Shqipëri dhe Berisha thonë se do bëjë Shqipërinë e Madhe, por vetëm të vogël po e bën. Dha 6 milje te Greqia, PD kërkon Shqipëri të vogël se do të zgjedhë kryeministër një njeri të izoluar nga Britania e Madhe e SHBA, që e ka shpallur non grata. Rrezik që gjysma e planetit të mos na njohë dhe të hyjmë në izolim. Berisha ka bërë aleancë me parti greke. Pra ata ofrojnë një Shqipëri të vogël dhe jo të madhe, sepse premtojnë aleancë me forcat greke. Njëlloj si me Albin Kurtin në Kosovë, nëse do bëjë aleancë me Radioçiçin atje me listën serbe, do bëjë Kosovën e Madhe? Do ishte qesharake, përveçse do deklarohej tradhtar.
A do Shqipëri të Madhe, atëherë çfarë kërkon me partitë greke, nacionalitetin apo elementë grekë që duan Vorio-Epirin. Ke në Vlorë Ardit Bidon në Vlorë si kandidat të PS, kundër elementëve grekë atje që ka marrë PD si aleatë”, përfundoi juristi.
Komente
