Politikë

Spahiu për Report Tv, ironizon opozitën: PD do pranojë të hyjë në Kuvend dhe të marrë 3300 euro rrogë nga Edi Rama!

22 Gusht, 18:40| Përditesimi: 22 Gusht, 19:47

  • Share

Sesioni parlamentar i Kuvendit të zgjedhur më 11 maj nis punimet në muajin shtator, por opozita përveçse është në krizë, ka shfaqur edhe një bipolaritet politik të theksuar në diskursin e saj dhe planet se çfarë do të bëjë me mandatet.

Juristi Kreshnik Spahiu, teksa analizonte për Report Tv sjelljen e PD-së tre muajt e fundit dhe pritshmëritë prej saj për Kuvendin dhe sezonin e vjeshtës, ironizoi se deputetët demokratë me Berishën në krye, do pranojnë të hyjnë në Parlament dhe të marrin rrogën 3300 euro nga Edi Rama. Për sjelljen politike të PD-së dhe dhënien ‘borxh’ të deputetëve te LSI për të bërë grup parlamentar, ai nënvizoi:

“E para nuk është ligjore, e dyta as morale dhe e treta as logjike. E katërta, është antagoniste me diskursin e PD-së aktualisht. Në një anë thotë s’i njohim zgjedhjet, në anën tjetër bën grupet parlamentare për të marrë lekët. Nga një anë thotë do bëjmë protesta popullore në rrugë jashtë Parlamentit, nga ana tjetër i jep borxh deputetë partive të tjera. Një grup parlamentar merr 100 mijë euro më shumë, 6 grupe marrin 600 mijë euro, duke përfshirë të gjitha strukturat”.

Dhe pozitat parodike të opozitës kulmojnë nga pretendimet për farsë elektorale, tek moszhvillimi i asnjë proteste në rrugë për tre muajtë e verës, një antagonizëm që tani shoqërohet me deklaratat për protesta masive në vjeshtë, por edhe me hyrjen në Parlament, me qëllim për të marrë rrogën.

“Ka tre muaj nga zgjedhjet nuk ka bërë asnjë protestë, edhe pse flet për farsë elektorale. Kam një pyetje? A do shkojnë këta deputetë në Parlament të marrin rrogën 3,3 mln euro që u ka vendosur qeveria e Edi Ramës?! Këta deputetë duan që demokratët të rrinë rrugëve, të protestojnë te shtëpia e Berishës dhe të mos e humbasin rrogën e tyre. Morali i tyre duhet të ndahet nga këto interesa dhe të mbushin sheshet. Dy gjëra janë të sigurta në jetë, vdekja dhe xhaketat që deputetët e PD varin prej 35 vitesh te PD. Më aktiv ka qenë Pëllumb Pilinci, sesa PD-ja”, ironizoi Spahiu.

Dhe për t’i vënë ‘kapakun’, ai argumentoi se sipas gjasave, protestat e vjeshtës së PD-së do shtyheshin deri në Vitin e Ri, më pas për Bajram, e më pas do ketë përsëritje thirrjesh për qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme.

“Nëse ecim me këto kauza të PD-së, do kalojmë nga protestat e vjeshtës tek ato të Krishtlindjeve, tek të Bajramit dhe më tej asnjëherë, ku do dëgjojmë pretendime për qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme, pra do jetë një farsë”, përfundoi juristi analizën për situatën politike që po kalon opozita në Shqipëri.

Ora 18:52
Spahiu: Rama mund të largojë të gjithë ministrat, me përjashtim të Ballukut, Gonxhes dhe Spiropalit

 

Kreshnik Spahiu tha sot për Report Tv se kryeministri Edi Rama pritet të ndryshojë të paktën 90% të kabinetit të tij qeveritar dhe vetëm 2-3 ministra mund të shpëtojnë dhe të ruajnë portofolet e tyre, ndërsa do të zgjedhë ministra teknokratë, për të arritur synimin e integrimit në BE.

Juristi shpjegoi se ndryshe nga PD-ja që është antagoniste, Partia Socialiste prodhon opozitë brenda vetes dhe çështje në situata krizash të ndryshme, e sidomos kur ka problematika me drejtësinë, duke mos kursyer as figura drejtuese.

Dhe kjo është strategji e kryeministrit Edi Rama, që tani ka vetëm dy halle kryesore politike, atë me ndërkombëtarët për integrimin dhe drejtësinë që i ka shenjëstruar kabinetin qeveritar.

“Ajo që ndodh me PS është problem më vete. Sa herë PS ka kriza, ka protesta nga opozita, ka fatkeqësi natyrore apo probleme me SPAK, ajo nuk rrudhet por forcohet. Krijon probleme brenda vetes, shemb lokale, hotele, restorante, ndryshon drejtues, pra krijon një opozitë brenda vetes sa herë ka kriza. Nëse Berisha ka një variant me protesta e protesta apo qeveri teknike e revolucion, Rama është më i lexueshëm. Ndryshe nga Berisha që nuk i ndryshon njerëzit, Rama s’e ka për gjë të marrë 16 njerëz anonimë në kaq ministri, që nuk kanë profil mediatik, sepse kjo i funksionon më së miri në një parti që ka pasur probleme me SPAK-un dhe drejtësinë”, tha ai.

Spahiu mendon se Rama në shtator do të ketë një qeveri me më shumë ministra teknokratë, për të mos thënë se do ndryshojë të gjithë kabinetin.

“Unë mendoj se do bëjë një qeveri teknokratësh, edhe në kuadër të integrimit në BE, të jenë njerëz të asociueshëm dhe ekselentë me kontaktin ndërkombëtar në BE, me qëllim integrimin. Ai nuk ka më problem votash. Ai ka vetëm dy probleme: Ndërkombëtarët dhe Drejtësinë. Ndaj mendoj se do synojë njerëz të shkolluar jashtë dhe që janë larg aferave dhe dosjeve që heton SPAK dhe drejtësia”, vijoi ai.

I pyetur se cilët do të ishin ministrat apo figurat e PS që do ruanin portofolët e tyre në qeverinë e ardhshme, ai tha se:

“Nuk mendoj se do ketë më shumë se 2 persona nga qeveria aktuale në kabinet, sepse i ka në Parlament. Ai ecën me parimin e ‘ndërrimit të kuajve’, rifreskim i kabinetit. Mendoj se Balluku dhe Gonxhe mund të vazhdojnë, si dhe Spiropali, ata besoj se janë më të sigurtit aty, për të tjerët mendoj se do lëvizin”.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?