Politikë
Kosova & Rajoni

Spahiu për Report Tv: Kuvendi Rugovës gjatë pushtimit të Millosheviçit, funksiononte më mirë se kuvendi i Albinit pas çlirimit të Kosovës!

22 Gusht, 18:08| Përditesimi: 22 Gusht, 19:49

  • Share

Juristi Kreshnik Spahiu analizoi sot në Report Tv krizën politike që po përjeton Kosova që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke mos arritur dot të konstituojë Kuvendin, edhe pas më shumë se 60 seancave të dështuara.

Ai ngre dyshime të forta se kjo situatë i shërben vetëm Serbisë dhe Rusisë, nga ata që pengojnë vendin drejt integrimit dhe fajtori kryesor mbetet kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili tani nuk preferohet më as nga BE dhe as nga SHBA-të. Për Spahiun, Kurti është gati të djegë Kosovën për të mos u dorëzuar në planet e tij, pavarësisht kostos që ka vendi.

Sipas tij, qeverisja e Kurtit është më e keqe edhe se ajo në periudhën e luftës nga ish-presidenti Ibrahim Rrugova, kur e sulmonte vendin Sllobodan Millosheviçi.

“Edhe Kuvendi i Ibrahim Rugovës, në kohën e luftës së Kosovës dhe pushtimit nga Sllobodan Millosheviçi, ishte më i mirë në situatën politike dhe diplomatike dhe në funksionim, sesa ai i pas luftës me qeverinë dhe Kuvendin e Albin Kurtit”, tha juristi për Report Tv.

I pyetur për shkakun e kësaj krize, Spahiu jep një diagnozë të qartë, ku prevalon egoja për pushtet dhe parti, e jo për interesat e vendit.

“Një pjesë atje e elitës duan më shumë partinë sesa shtetin dhe Kosovën. Mbizotëron egoja e kësaj elite, ndryshe nga ato të mëparshmet. Të mos mbledhësh dot parlamentin për të dhënë zgjidhje pas 60 seancash, kjo është e papranueshme", tha ai.

Kjo situatë ka sjellë edhe ftohjen e mëtejshme të ndërkombëtarëve me kryeministrin Kurti, ku figura më e preferuar aktualisht dhe më e qëndrueshmja për zgjidhjen e krizës, mbetet presidentja Vjosa Osmani.

"Jo më kot edhe presidenti Trump ka takuar vetëm presidenten Osmani dhe jo Albin Kurtin. Jo rastësisht Gjykata Kushtetuese ka shpallur atë vendim ndaj qeverisë së Albin Kurtit dhe me një afat për zgjidhje, ose ndryshe shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Ndaj edhe figura e Vjosa Osmanit është më pozitivja dhe si zgjidhje, si figurë më e pranueshme dhe ajo që ka çelësin. Albin Kurti nuk tërhiqet, edhe sikur zjarri t’i bjerë Kosovës, ai nuk dorëzohet”, argumenton Spahiu.

Ora 18:26
Spahiu zbulon: Pse SHBA nuk dërgon ambasador në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi?

 

Juristi Kreshnik Spahiu zbuloi se aktualisht tre vende të rëndësishme të rajonit Ballkanik, përfshi edhe Shqipërinë, janë pa ambasador amerikan.

Dy të tjerat janë Serbia dhe Kosova. Administrata e presidentit Donald Trump duket se e ka larguar vëmendjen nga Ballkani, duke mos e pasur prioritet, por kjo sjelle edhe vështirësi gjeopolitike, sidomos për situatën ku ndodhet Kosova.

Ai gjithashtu zbulon dhe shpjegon gabimin që bëri kryeministri Albin Kurti gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden, kur refuzoi projektin franko-gjerman për Kosovën, kurse me administratën Trump gjërat kanë ndryshuar dhe projekti mbetet i panjohur. Madje Kosova mund të rrezikojë deri edhe si Ukraina aktualisht.

“Pse presidenti Trump nuk ka nisur ambasador në tre shtete të rajonit aktualisht si Shqipëria, Kosova dhe Serbia? Ballkani aktualisht është jashtë axhendës së SHBA-ve. A do ketë zgjidhje, patjetër me kalimin e kohës, sepse nuk mund të zgjasë katër vjet”, tha ai.

Por gjendja aktuale, me distancimin e SHBA-ve, kur Kosovës i nevojitet më shumë, e vështirëson pozicionin politik dhe ushtarak. Ai shpjegon edhe gabimin e Kurtit.

“Albin Kurti u vonua me projektin e Biden, me projektin franko-gjerman, kur edhe nga miqtë iu kërkua që ta pranonte se ishte më i miri. Por çfarë rrezikon Kosova? Rrezikon një projekt si me Palestinën, ndryshe nga projekti franko-gjerman, sepse Trump ka një projekt ndryshe nga ai i Biden. Trump nuk pranon protagonizmin e BE-së. Nuk e dimë këtë projekt, por Kosova pa mbështetjen e SHBA-ve, nga do e marrë ndihmën? Ndaj mendoj se Kurti gaboi rëndë që nuk pranoi projektin franko-gjerman”, tha Spahiu për Report Tv.

 

Ora 18:19
Spahiu: Kush po pengon Kosovën në integrimin e BE dhe NATO, i shërben Serbisë dhe Rusisë.

 

Kreshnik Spahiu ngriti alarmin në Report Tv gjatë analizës së tij, se me veprimet që po bën Vetëvendosja dhe qeveria në detyrë e Albin Kurtit, rrezikon seriozisht të ardhmen e Kosovës dhe madje u shërben interesave të Serbisë dhe Rusisë.

Ai shpjegoi se elita e Kosovës po sheh vetëm interesat personale, ndërkohë që e ardhmja bëhet më e rrezikshme dhe e braktisur nga NATO, BE dhe SHBA, Kosova vetë e ka të pamundur të përballet me dy fuqitë në fjalë ushtarakisht.

“Kosova rrezikon atë që po i ndodh Ukrainës, pikërisht ajo që po ndodh me Ukrainën. Ndaj edhe faktori ndërkombëtar e ka paralajmëruar se nëse qeveria e Albin Kurti nuk i jep zgjidhje situatës, atëherë Kosova rrezikon integrimin në BE, në NATO, proceset e tjera me Këshillin e Evropës apo edhe me sanksionet e tjera. Kosovës i duhet mbështetja e faktorit ndërkombëtar dhe sidomos SHBA-ve”, tha juristi.

Dhe një Kosovë me sanksione nuk i shërben shqiptarëve dhe vetëm sa thellon krizën politike dhe ushtarake dhe ata që përfitojnë janë vetëm Rusia dhe Serbia.

“Një Kosovë nën sanksione dhe larg BE e NATO është e kërcënuar. Nuk ia del dot me një bllok të fuqishëm ushtarak që ka përballë serbo-rus, s’po ia dalin dot as NATO e BE e jo më Kosova. Pra kush nuk hap rrugë dhe nuk jep zgjidhje, i shërben vetëm interesave të Serbisë dhe në dëm të Kosovës”, paralajmëroi Spahiu.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?