Bota

Spahiu për Report Tv: Regjimi iranian do rrëzohet si investuesi kyç i Hamasit në Gaza, Hezbollahve në Liban dhe Huthve në Jemen

16 Qershor, 17:55| Përditesimi: 16 Qershor, 18:49

  • Share

Regjimi iranian do rrëzohet si investuesi kyç i Hamasit në Gaza, i Hezbollahut në Liban dhe Huthëve në Jemen.

Kështu u shpreh sot në ‘Studio Live’ juristi Kreshnik Spahiu, i cili bëri edhe analizën gjeopolitike të luftës së saponisur mes Izraelit dhe Iranit, vende të cilat po shkëmbejnë prej të premtes sulme bombarduese me raketa, avionë dhe dronë.

Spahiu shpjegoi për Report Tv se lufta në Iran mund të shkaktojë edhe 15 milionë emigrantë iranianë që do dynden drejt Europës, e cila do paguajë një tjetër faturë ekonomike.

Ndërmjetësimin e presidentit rus, Vladimir Putin, analisti e sheh më shumë si strategji gjeopolitike të tij për të përfituar sa më shumë nga Ukraina dhe jo për të mbrojtur aleatin e tij, Iranin. Gjithashtu ai vuri në dukje se 90% e kokave bërthamore në botë posedohen nga SHBA dhe Rusia.

“Nuk është konflikt i shkëputur, por me prapavijë, edhe për shkak të intereseave të rajonit por edhe strategjive tek Ajatollahët e Iranit për të zhvilluar lëndët bërthamore. Tani ka një dëshirë dhe vullnet edhe te Perëndimit për të rëzuar regjimin e Ajatollahut, regjim që është boshti kryesor i ekzistencës së disa grupeve. Financues kryesor i Hamasit në Gaza, Hezbollah në Liban dhe Huthëve në Jemen, përfshi edhe grupe të tjera aktive në Siri apo Irak. Në momente të caktuara ato kanë qenë fronti kryesor në luftën ndaj perëndimit”, shpjegoi juristi për moderatorin Arbër Hitaj.

Ai mendon se konflikti do vazhdojë deri në rrëzimin e regjimit të Ali Khameneit, i cili edhe për shkak të moshës dhe mungesës së trashëgimtarëve po shkon drejt fundit të politikës së tij diktatoriale.

“Konflikti do vazhdojë, do ketë pak gjasa për paqe por do vijojë përpjekja për ta rrëzuar regjimin politik në Iran. Ka edhe një lëvizje të brendshme atje, ka opozitë të brendshme dhe gjithashtu opozitë të jashtme. Diaspora ianiane është me opozitën e brendshme, ka përpjekje për kthim atje. Aq sa Irani duket shtet i fortë, është edhe i brishtë. I brishtë sepse ka shumë etni, është vend multietnik, shtet etnofetar, ku ka persë dhe shiitë. Dominohet nga persët, por në rast të konfliktit, nëse do ketë skenar të ngjashëm me irakun, ka miliona iranianë brenda që janë gati t’i kundërvihen regjimit të Ali Khameneit. Kemi të bëjmë me një regjim ndër më diktatorialët në botë, për shkak të problemeve ekonomike dhe të drejtat e njeriut, vetë popullsia atje është e gatshme për të kaluar edhe në një lëvizje civile, konflikt civil”, vijon Spahiu.

Dhe duke parë gjendjen e Ajatollahut, ai beson se ky është fillimi i fundit të regjimit iranian.

“Nuk përjashtohet që situata të bëhet si në Siri, sepse Ajatollahu ka qenë mbështetës i Damaskut. Por tani edhe me moshën e liderit të Iranit, kemi të bëjmë me regjim politik në muajt apo vitet e fundit. Në mos sot, në pak javë, ka filluar numërimi mbrapsht i regjimit atje”, analizoi Spahiu për Report Tv.

Ora 18:44
Spahiu: Turp! Ata që për një grua e lënë Kosovën 5 muaj pa shtet janë ose idiotë, ose spiunë të Beogradit!

Deklarata e presidentit Amerikan për konfliktin Serbi-Kosovë që zgjidhi është pozitive për rajonin, por ajo që të shqetëson në faktorin politik shqiptar dhe veçanërisht në Prishtinë, edhe egoja e tepruar personale për ta lënë Kosovën pa shtet prej 5 muajsh.

Dhe kjo tregon se ose janë politikanë idiotë, ose janë spiunë të Beogradit.

Ky ishte konkluzioni analitik i juristit Kreshnik Spahiu sot në ‘Studio Live’, për krizën në Kosovë, e shoqëruar kjo edhe me komentin për deklaratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

“Deklarata e Trump në pjesën më të madhe është qëndrim pozitiv, deklaratë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, që i vë vulën edhe asaj marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, që rrjedhimisht çon te pavarësia përfundimtare e Kosovës. Në atë marrëveshje përfshihet edhe njohja nga Izraeli, por edhe për njohje reciproke nga Serbia, e shtetit të Kosovës gjithashtu. Sigurisht që Trump e tregon edhe për interesat e tij, sepse SHBA ka edhe interesat e saj. Pra na heq atë frikën se mund të kthehet në konflikt të mundshëm, pra shpreh paqen. Nga ana tjetër, zërat poshtë presidentit amerikan kanë treguar se SHBA-të nuk do kenë më rolin e ndërhyrësit, avokatit. Trump e konsideron të konsoliduar konfliktin Serbi-Kosovë”, theksoi juristi për Report Tv.

Ai iu referua edhe një deklarate të ish-ambasadorit Kristofer Hill, që tashmë shtetet e Ballkanit duhet t’i zgjidhin vetë konfliktet e tyre, që tregon se Amerika tani doqëndrojë më larg. Por ai u shpreh skeptikë, sepse politikanët shqiptarë priren më shumë drejt egos personale dhe konflikteve mes tyre, sesa për t’i zgjidhur ato.

Dhe për shembull mori situatën dhe krizën politike në Kosovë.

“Edhe ambasadori në Beograd, Kristofer Hill tha se shtetet e Ballkanit nuk duhet të presin që Amerika t’i zgjidhë konfliktet e tyre, Kosova dhe Serbia tani t’i zgjidhin vetë konfliktet. Por jam pak skeptik për këtë, sepse po të shohësh një tufë politikanësh shqiptarësh, kanë lënë 5 muaj pa shtet një vend, për një grua, një emër, në rastin më të keq kemi të bëjmë ose me politikanë idiotë, ose me spiunë të Beogradit. Është turp për politikanë që e lanë vendin pa drejtues prej 5 muajsh. Edhe vetë Vuçiçi po ta kishte shkruar këtë skenar”, shtoi juristi në analizën e tij.

Ai shprehu edhe habinë se si presidenti apo Gjykata Kushtetuese nuk ndërhynin për ta zgjidhur krizën politike, teksa vuri theksin e sindromit të egos që ka faktori politik shqiptar dhe urrejtja ndaj njëri-tjetrit, që sipas tij, e kalon edhe urrejtjen që kanë serbët ndaj shqiptarëve.

“Habitem se si presidentja dhe Gjykata Kushtetuese nuk ndërhyn, duhet të funksionojnë mjetet kushtetuese. Urrejtja e shqiptarëve ndaj njëri-tjetrit po kalojnë edhe urrejtjen serbe, nuk ka mundësi që kjo urrejtje të kalojë edhe atë të Serbisë. E gjitha kjo vetëm për shkak të egos politike, nuk është vetëm për Albulenën, nuk është për një grua, por është për interes politik, është për ego politike. Madje edhe këtu partia e parë ka 84 vota dhe përsëri ka probleme. Por jo atje kur me 43% jo vetëm nuk je shumicë, por edhe nuk e lëshon, vazhdon dhe e mban”, përfundoi Spahiu analizën e tij për situatën në Prishtinë.

Ora 18:29
Spahiu: Irani shtet multietnik! Në rast lufte, 5 grupe etnike me 30 milionë janë kundër Ajatollahëve!

1750088639_kreshnikspahiu.jpg

Lufta ndaj Iranit nuk është fetare, por ndaj një regjimi politik, pasi edhe shumë shtete myslimane janë kundër Ajatollahëve.

Për juristin Kreshnik Spahiu, Shqipëria dhe Kosova duhet të shprehen edhe më qartë në krah të Izraelit në këtë betejë, teksa në rast lufte, 5 grupe etnike atje përbëjnë 30 milionë opozitarë që janë kundër Ajatollahut.

“Tirana ka qëndrim të qartë ndaj regjimit të Iranit. Edhe qeveria e Berishës, si dhe e Ramës, kanë qenë pjesë e një kontrate me SHBA për ngritjen e kampeve për opozitën iraniane në Shqipëri. Ndaj opozita atje në Iran e ka të vështirë për të ardhur në pushtet, pasi është e ndarë. Por në rast lufte, atje janë 5 grupe etnike, me gati gjysmën apo 30 milionë që janë kundër Ajatollahëve. Do doja që edhe qeveria e Kosovës të shprehet qartë, mos të ketë dilema, sepse Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Regjimi i Ajatollahut nuk do jetë kurrë mik i shteteve si Shqipëria apo Kosova”, u shpreh juristi për Report Tv.

Spahiu mendon se kjo nuk është luftë fetare, por një betejë kundër regjimit politik në Iran dhe jo më kot shumë shtete perëndimore janë në favor të rrëzimit të tij. Ndaj edhe politika shqiptare duhet të shprehet më hapur pro Izraelit dhe qytetarët të mos e shohin si konflikt fetar.

“Ka njerëz që kanë rezerva ndaj Izraelit, e kuptoj, por nuk bëhet fjalë se po mbështetet një konflikt, ka interesa më të gjera gjeopolitike dhe jo vetëm interesat e Izraelit. Nëse do ishin vetëm interesat e izraelit, atëherë shtetet e tjera nuk do i rrinin aq afër në këtë konflikt. Sepse e thashë që kosotoja e Europës do jetë shumë e lartë, ashtu edhe fatura financiare, me valën e emigrantëve, të cilën aktualisht edhe po e vuan. Mazhoranca dhe opozita në Shqipëri janë të qarta në këtë pikë, doja të dëgjoja edhe më shumë zëra. Të rrihet larg interesave dhe tendencave fetare apo solidarizimit fetar, sepse interesat kombëtare janë më të rëndëisshme sesa ato fetare”, vijoi ai.

Madje theksoi edhe një fakt interesant, se kundër regjimit të Iranit janë edhe shumë shtete me besime fetare myslimane.

“Mos harrojmë se edhe shtete të tjera myslimane janë kundërshtare të regjimit politik të Iranit. Kjo nuk është thjesht luftë fetare, jam i bindur për këtë. Për këtë arsye Kosova dhe Shqipëria të reagojnë më shpejt, të jenë më të qarta në këtë çështje”, nënvizoi Spahiu.

Ora 18:20
Spahiu: Nëse shpërthen lufta në Iran, mbi 15 milionë emigrantë iranianë do të dynden drejt Europës

 

Juristi Kreshnik Spahiu deklaroi se nuk do donte që Irani të çlirohej nëpërmjet kaosit, por nëpërmjet lëvizjes së brendshme opozitare, që do rrëzonte edhe regjimin e Ajatollahut.

Pasi kaosi do të sillte edhe më shumë probleme për Europën me valën e dyndjes së refugjatëve të luftës nga Irani.

“Sepse Irani ka gati 90 milionë banorë, ku shumë janë kundërshtarë. Europa në rast kaosi do përballet me një fluks të madh emigrantësh të Iranit, mbi 15 milionë iranianë, ose edhe më shumë. Duam apo s’duam e gjithë Europa do përfshihet në krizë ekonomike,që po e vuan që nga e kaluara me Sirinë. Do ketë edhe një krizë globale sigurisht, faktor ekonomik”, shpjegoi ai për Report Tv.

Aktualisht ka një përballje mes forcave dhe duket se e vetmja mënyrë mbetet ndërhyrja ushtarake atje. Por a do të jetë një aleancë e gjerë shtetesh apo vetëm Izraeli, kjo mbetet për t’u parë në vijim.

“Franca dhe Britania shihet se janë në krah të izraelit, irani përbën rrezik edhe ndaj këtyre vendeve, Ajatollahët janë shprehur kundër tyre. Të gjitha grupimet e rezistencës së Iranit kanë pasur bazë ideologjike, financiare e ushtarake Teheranin, Iranin. Pavarësisht se u janë prerë degët, gjithsesi baza është e fortë. Pavarësisht dëshirës për të arritur paqen, ka një optikë që e vetmja mënyrë për ta rrëzuar regjimin e Iranit është ndërhyrja ushtarake. Pastaj nëse do jetë Izraeli apo edhe aleatët e tij, kjo mbetet për t’u parë, sepse është edhe faktor arsenali ushtarak”, tha Spahiu.

Ai mendon se regjimi iranian nuk është aq i forta se dhe shfaqet apo e deklaron. Kurse Izraeli nga ana tjetër jep idenë se nuk i funksionon mbrojtja, për të arritur diku, tek qëllimi apo shënjestra kryesore,

“Ndoshta edhe loja e Izraelit është e tillë, duke lënë përshtypjen se mbrojtja e tij është e dobët. Duke lënë të kuptohet se nuk po i dallonte dot disa vionë të vegjël gjatë sulmit të Hamasit në vend dhe më pas ndodhi ajo që pamë me kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Hamasit. Pra la përshtypjen sikur ishte vend me mbrojtje të dobët, për të arritur këtu ku mbërriti sot”, analizoi ai.

Ora 18:08
Spahiu: Numri i kokave bërthamore në botë është 12241, por 90% e tyre disponohen nga SHBA-Rusi!

Dominuesit e armëve bërthamore janë SHBA-të dhe Rusia, vendet e tjera kanë vetëm 10% të këtyre armatimeve së bashku.

Kështu deklaroi juristi Kreshnik Spahiu për Report Tv ditën e sotme, teksa fliste për konfliktin e ri mes Izraelit dhe Iranit dhe informacioneve për shpërthimin e mundshëm të një luftë nukleare dhe zgjerimit të mëtejshëm të konfliktit.

Kërcënimet publike nga disa liderë për përdorimin e tyre ai e sheh më shumë si një lojë diplomatike.

“Lajmet për bombën bërthamore janë thjesht presione. Rusia dhe Turqia apo Kina nuk duan të përfshihen në këtë konflikt. Madje edhe Arabia, e cila ka rivalitet fetar, nuk do të përfshihet. Ka shtete si Turqia që duan dominancën e vet, Izraeli po ashtu, edhe Azerbajxhani është kundërshtar i iranit. Edhe Pakistani gjithashtu. Pra Irani është i rrethuar nga kundërshtarë të regjimit të tij”, tha ai.

Por që të kërcënosh duhet të kesh në dorë edhe kapacitete reale dhe në këtë rast nukleare.

“Edhe pse flitet për kokat bërthamorë, 90% e tyre janë në posedim të SHBA dhe Rusisë, kurse pjesa tjetër ndahet mes Kinës, Koresë, Pakistanit, Indisë, përfshi edhe Izraelit. Mund të ketë një shtysë të fortë ushtarake për ta rrëzuar Iranin dhe rezistenca ushtarake e Iranit nuk do zgjasë nëse nuk ka mbështetjen e aleatëve si Rusia”, vijoi juristi analizën e tij.

Mbështetjen që Rusia po i jep Iranit, Spahiu e sheh më shumë si diplomaci për interesat e tij, në lidhje me Ukrainën.

“Por po ta shohësh, edhe Rusia vetë më shumë kërkon interesat apo pazaret e saj, vetë fakti që ka dalë Vladimir Putin për t’u bërë ndërmjetës. Do funksionojë gjeopolitika, do kërkojë një pazar për Ukrainën, mbase do i thonin ti mos ndërhy te interesat tona dhe ne nuk ndërhyjmë tek tuajat. Pra e shoh më shumë si një negociatë. Por nuk do doja që Irani të binte si pasojë e një situate kaosi”, u shpreh ai për ‘Studio Live’.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tani: 16/06/2025 19:40

    E pame demokracine qe prunen ne Iraq, Afganistan e Libi amerikanet e europianet, ça thet ky debil. Edhe vendet afrikane i kane debu europianet e amerikanet e me kinezet jan shume mire sot me nje zhvillim me te mire se para 30 viteve. Nqs bjen ayatollahu e nuk ka per te rere, Iranij e pret nje lufte civile e nje shkatrrim total.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?