Politikë

Spahiu për Non-Gratën: Pse Berisha shkoi në Greqi dhe Itali por jo në Amerikë për emigrantët

9 Maj, 15:01| Përditesimi: 9 Maj, 16:21

  • Share

Juristi Kreshnik Sphaiu i ftuar në Report Tv komenton lajmin që ‘festoi’ PD se Berisha mund të udhëtojë në SHBA, vetëm me përjashtime siç është bërë për të gjithë të tjerët, por gjithsesi non grata i mbetet në fuqi. I ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Spahiu thotë pyetja që gazetari Caputo kishte publikuar duke cituar sipas tij, një përgjigje që i ka dhënë DASH, nuk lidhen aspak me non gratën. Spahiu thotë se pyetja e gazetarit ka qenë nëse Berisha mund të marrë një leje udhëtimi dhe thekson se viza dhe heqja e non gratës janë dy gjëra të ndryshme.

“Njësoj si lajmi që këtë dhanë për arrestimin dhe hetimin e Yuri Kim. Një javë përshëndetën hetimin e Kim duke  e quajtur të korruptuar, non grata, duke e quajtur që Rubio dhe DASH e flakën e nxorën pa punë, pastaj u desh që DASH ta përgënjeshtrojë. Nuk ka lajm zyrtar, as në webiste të DASH, nuk ka asnjë shënim në twitter apo rrjete sociale nga zyrtarët e DASH dhe çfarë është me rëndësishmja, që as pyetja e gazetarit, as burimi dhe vetë përgjigja nuk lidhen me non grata. Ai ka pyetur për statusin non grata, por për mundësinë për të marrë një vizë udhëtimi në SHBA. Viza është gjë tjetër dhe çështja e non gratës është status tjetër. Mendoj që janë mbi 30 politikanë apo lider botërorë që kanë pasur dhe kanë statusin non grata dhe kanë udhëtuar në SHBA, nuk mund t’i pengojë ata të marrin pjesë në konferenca të Kombeve të Bashkuara apo evente të tjera diplomatike”, tha Spahiu në Report Tv.

Nëse do i ishte hequr non grata, Spahiu pyet se përse Berisha shkoi në Greqi dhe Itali për fushatë elektorale, por jo në Amerikë për emigrantët.

“Nëse do i ishte hequr statusi non grata, nëse do ishte pajisur me një vizë, nëse do ishte i ftuar në Uashington, të jeni të bindur që Berisha do kishte udhëtuar drejt SHBA dhe sot do e gjenit në konferencë për shtyp para DASH në mbyllje të fushatës. Ju mendoni se mbyllja e fushatës në Lezhë është më e rëndësishme se mbyllja e fushatës në Uashington, Ka disa që e justifikojnë se është në fushatë, po ku ka më fushatë se ta mbyllës në Uashington. Këta a kanë udhëtuar në Itali, Bolonja, Selanik, Kretë. Po Kreta është më e rëndësishme se SHBA, Milano më rëndësishme se SHBA. Pse për të shkuar në Bolonja kishte kohë, për të shkuar në SHBA nuk ka kohë. Pse nuk jep një datë, le të thotë që do iki pas zgjedhjeve. Ky është lajm spekulativ dhe është i parëndësishëm.

Për këtë çështje, Spahiu thotë se nga kjo përgjigje që mori gazetari amerikan janë të kënaqur të gjithë. Sipas tij, këshilltari amerikan Chris LaCivita duhej të justifikonte miliona eurot, njëjtë edhe për kompaninë lobuese “Continental Strategy”. Ndërsa për Berishën thotë se ngelet i kënaqur se kanë marrë një gjysmë mesazh për t’i thënë elektoratit që nuk jam non grata, edhe pse nuk është e vërtetë.

“Vetë pyetja është bërë e atillë për të mos marrë një përgjigje. Nga kjo pyetje dhe përgjigje janë të kënaqur të gjithë. LaCivita duhet të justifikojë miliona euro, Continental Strategy duhet të justifikonte kontratën 6 mln dollarë. Vetëm fatura e lobimit që prezantohet në SHBA është bërë publike, ndërsa LaCivita nuk pranon të tregojë faturën e tij dhe Berisha është shmangur për faturën e LaCivita. Është faturë krejt tjetër nga ato miliona dollarët e lobimit.

Më këtë pyetje- përgjigje janë mundur të justifikojnë paratë që kanë marrë, e dyta Berisha të ngelet i kënaqur se kanë marrë një gjysmë mesazh për t’i thënë elektoratit që nuk jam non grata, nga ana tjetër është kënaqur DASH që nuk e ka hequr non gratën. Vënia e një personi nën sanksione në listën e zezë të dash, ka një procedurë të caktuar të bazuar në dekretin e Presidentit të SHBA dhe nxjerrje e një akti normativ nga ministria e jashtme, që është si përfaqësues sekretari amerikan i shtetit. Janë dy hierarki. Që të hiqet non grata duhet të ndiqet e njëjta procedurë. Duhet të dalë një tjetër akt normativ i arsyetuar me motivacionin pse i hiqet non grata dhe të publikohet siç u bë me rastin kur iu vunë sanksionet”, thotë Spahiu.

Ora 16:08
Spahiu: Nëse Rama dhe Berisha dalin të fortë në 11 Maj, s’do ketë rotacion as në 2029

 

I ftuar në Reportv Tv, juristi Kreshnik Spahiu tha se rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit kanë gjasa të prodhojnë sërish një arenë politike të polarizuar nga PD dhe PS.

“Unë mendoj që në këto zgjedhje përsëri do të kemi dominancën Rama-Berisha. Përsëri do të kemi dominancën PS-PD dhe kjo është ana më negative e zgjedhjeve për faktin se nëse rezultati i zgjedhjeve të 11 majit dihet, ajo çfarë do të ndodhë më 12 maj është prognoza e zgjedhjeve 2029, që do të thotë se nëse do të kemi një sistem dypartiak që do të thotë PD dhe PS, në shumicë, pra nuk po flas për 1 ose 2 mandate të partive të vogla, po nëse do të kemi dominancën e këtyre partive të mëdha, kjo do të thotë që situata është disi gri, e pashpresë edhe pas 4 vjetësh sepse përsëri do të kemi konkurencë Edi Ramën dhe Sali Berishën. Dje Sali Berisha zyrtarisht ka deklaruar që edhe nëse do të humbasë nuk do të dorëhiqet. Madje ai ka thënë që për sa kohë të ketë frymë, për sa kohë të ketë jetë, 100, 120 vjeç, do të jetë aty në politikë, dhe ky është një problem serioz sepse kjo është ajo çfarë do Edi Rama që do të thotë se Edi Rama paska lidhur me kollare se do të vazhdojë historia e bufit edhe në 2029 dhe 2033, Edi do i bjerë gërrnetës për bufin e kënetës”,-tha Spahiu.

Ora 16:04
Pse partitë i mbushin sheshet me karrige? Spahiu: Kjo është fushata më dobët në 35 vjet

 

Juristi Kreshnik Spahiu foli këtë të premte në Report Tv edhe për atmosferën e “vakët” në takimet elektorale që zhvillojnë partitë në Shqipëri.

“Kjo është fushata e karrigeve. Karriget janë simboli dhe fenomeni i ri i zgjedhjeve në Shqipëri. Të gjith partitë, partitë e reja apo të vjetra, partia qeveritare, apo ato opozitare, po vuajnë krizën e pjesëmarrjes, që do të thotë se kjo është fushata më apatike, më e ftohtë, më paentuziasëm dhe me numrin më të vogël të pjesëmarrësve. Po ta vini re, edhe mitingjet përmbyllëse, edhe mitingjet e para, në çdo qytet, këta ulen nëpër karrige sepse është e vetmja mundësi që sheshi të ngjajë plot, sepse duke vendosur karriget 4 ose 5-fishohet për shkak të distancës, ajo gjeometria hapësira. Nëse këta do jenë në këmbë atëherë do të duken shumë pak dhe mendoj që karrigia është simbolika dhe ajo çfarë demostron krizën politike të partive në Shqipëri, që do të thotë kanë mbetur një grup shumë i vogël dhe nga ana tjetër ngjan si një kinema verore, konferenca shtypi në hapësirë, në ajër të pastër, sepse edhe njerëzit janë të ftohtë, janë indiferentë, po të rrinë në këmbë nuk ka brohoritje, nuk ka thirrje, nuk ka shpresë dhe kjo ndodh për disa arsye. Kjo ndodh si në një ndeshje ku rezultati dihet. Populli nuk është i interesuar për një fushatë ku 80% e publikut e dinë shumë mirë kush është fituesi dhe humbësi. Në një garë shkohet me interes kur ka konkurencë”,- tha Spahiu

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?