Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka ndarë një denoncimin në rrjetet sociale, ku përmes 2 videove të filmuara nga disa individë të cilët pretendonin se në fshatin Podgorie në Korçë po bliheshin vota për PS dhe kandidatin Arian Jaupllari.
“Kaluan dy veta nga rruga. Pastaj dola më vonë por nuk e dija që po filmohesha. Nga frika i thashë nja dy llafe koti, por nuk janë të vërteta ato. Në rrugë kam takuar, shtëpi s’më ka ardhur askush dje. Lek nuk më ka premtuar asnjë. Vetëm nga frika ua kam thënë fjalët atyre dy çunave se se dija s’të ikja. “-thotë Kleant Kreka që është në video për Report Tv.
Djali i madh i shtëpisë thotë se shkak i situatës është bërë frika që vëllai i vogël ka pasur nga njerëzit e panjohur të cilët e kane pyetur. Ndërsa për ngjarjen ai shton se është njohur në rrjete sociale kur edhe është publikuar videoja. Gjithashtu ai mohon që të ketë marrë premtim për të holla nga asnjë kandidat. Nuk i njoh as si fytyrë. Ata sa bën videon e mbyllën dhe ikën me vrap.
"Video nuk është e vërtetë, se ne jemi pa baba dhe na gjejnë të vegjël, se po të kishim babanë nuk do na e bënin. Na erdhi policia ditën e djeshme me urgjencë dhe bëmë debat. Edhe na kanë shpënë në Maliq dhe e ka bërë nga frika se kishte hall se e rrihnin. Ndihem i tronditur. "– thotë vëllai i Kleantit, për Report Tv.
Nëna e dy djemve tregon që ditën e djeshme asnjë kandidat për deputet nuk ka hyrë në shtëpinë e saj, ndërsa sipas Mimoza Krekës fëmijët mund ta kenë takuar jashtë kandidatin për deputet. Por, në asnjë moment atyre nuk i është ofruar para.
“Jo nuk jam takuar me asnjë kandidat dhe nuk është aspak e vërtet që na ka thënë dikush për vota me lek. Nëse ka premtuar djali, ai ka premtuar vetëm nga frika”, thotë ajo për Report Tv.
Mbrëmjen e djeshme Edmond Spaho publikoi 2 video të filmuara nga disa individë të cilët pretendonin se në fshatin Podgorie po bliheshin vota për PS dhe kandidatin Arian Jaupllari. Në lidhje me rastin policia ka nisur procedura hetimore për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Arian Jaupllari kandidati i Partisë Socialiste në Korçë, i cili e ka quajtur ngjarjen të sajuara dhe të montuar nga kundërshtarët politikë. Jaupllari shkruan se struktura të përbëra nga militantë, nën pretendimin e “mbrojtjes së votës” shantazhojnë dhe kërcënojnë shtabet elektorale të Partisë Socialiste dhe rrezikojnë çdo ditë sigurinë e qytetarëve. Më tej , ai thotë se asnjë lloj video apo foto që shtrembërohet dhe nxirret nga konteksti nuk mund të shërbejë si një alternativë alibie për humbjen e zgjedhjeve nga kundërshtarët më 11 maj.
Reagimi i plotë i Arjan Japullarit
Mbrëmjen e djeshme ndodhi një situatë aspak e këndshme, e cila synon të denigrojë fushatën e Partisë Socialiste dhe timen si kandidat i saj, të acarojë klimën politike, në një mënyrë të pakuptimtë, të montuar nga kundërshtarët tanë politikë, duke krijuar situata të përsëritura nga kandidati i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, të veshura nën pretendimin e denoncimeve, të cilat montojnë dhe fabrikojnë me regji, fakte të rreme, që ngrihen mbi shfaqje teatrale për të fituar mbështetjen e humbur të “kënetës madhështore”, e cila po bëhet gjithnjë e më e vogël.
Struktura të tilla, të përbëra nga militantë të paarsyeshëm, që nën pretendimin e “mbrojtjes së votës” shantazhojnë dhe kërcënojnë shtabet elektorale të Partisë Socialiste dhe rrezikojnë çdo ditë sigurinë e qytetarëve.
Asnjë lloj video apo foto që shtrembërohet dhe nxirret nga konteksti nuk mund të shërbejë si një alternativë alibie për humbjen e zgjedhjeve nga ana e kundërshtarëve më 11 Maj.
Për të sqaruar situatën, ditën e djeshme kam pasur, në kuadër të fushatës elektorale, një tur në disa fshatra dhe për të mbyllur ditën e angazhimit elektoral u ndala në fshatin Podgorie rreth orës 19:00. Kam kryer takime individuale me banorë të ndryshëm të fshatit, në mbi 20 familje, dhe i kam ftuar të më mbështesin Partinë Socialiste dhe kandidaturën time, ashtu siç kam vepruar në çdo ditë të fushatës. Ndërkohë që isha në përfundim të takimit, rreth orës 20:30, një mjet me targa greke, së bashku me një mjet tjetër tip “Range Rover”, po më përndiqnin mua dhe të rinjtë që më shoqëronin në takim.
Në një moment, drejtuesi i mjetit me targa greke ka qëndruar, duke bërtitur dhe hedhur akuza në drejtim të të rinjve. Për të mos krijuar incident apo konflikt ndërmjet palëve, kemi vazhduar programin sipas axhendës.
Pak momente më vonë jemi informuar që Edmond Spaho ka publikuar 2 video, në të cilat shihet qartësisht që nuk ka asnjë veprim kompromentues, të jashtëligjshëm apo që shkel Kodin Zgjedhor, por nga ana tjetër, ka një mënyrë që insiston që situatën ta përdorin për qëllime elektorale dhe për të krijuar incident në prag të zgjedhjeve.
Në këto kushte, i bëjmë thirrje SPAK-ut, KQZ-së dhe Policisë së Shtetit të zbardhin ngjarjen dhe të vënë përpara përgjegjësisë çdo person i cili tenton të krijojë konflikte, përplasje të pakuptimta dhe kallëzime të rreme.
Garantoj personalisht që çështja është një makinacion politik i krijuar nga ethet e humbjes së Partisë Demokratike, por që do të marrë përgjigjen e duhur më 11 Maj.
Ftoj qytetarët të shkojnë masivisht dhe të sigurt drejt kutive të votimit dhe të mos bien pre e asnjë provokimi apo shantazhi publik.
Komente
