Premtonin banesa sociale në Spitallë kundrejt shumave deri në 15 mijë euro, SPAK zbardh skemën e mashtrimit! 5 të arrestuar, 3 hetohen në 'detyrim me paraqitje' (EMRAT)

19 Nëntor, 11:40| Përditesimi: 19 Nëntor, 18:03

  • Share

Tirane- SPAK ka zbuluar një skemë mashtrimi të 8 personave të cilët u premtonin banorëve të Durrësit dhënien e banesave sociale në zonën e Spitallës kundrejt shumave monetare. Në njoftimin e sotëm SPAK thotë se skema ishte ngritur nga pesë personat në hetimGëzim Sylaj, Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi, Enxhi Çelajtë cilët, prezantoheshin si punonjës me funksione drejtuese në administratën shtetërore (drejtorë në Drejtorinë e Përgjithshme). 

Personat e interesuar për banesa sociale, duhej të paguanin shuma që varionin nga 5 në 10 mijë euro dhe do dorëzonin dokumentacionin për procedurat standarde për përfitimin e banesës sociale. Më pas, personave të interesuar u dërgohej një SMS sikur ishte nga ana e Bashkisë Durrës sipas të cilit ata ishin shpallur fitues.

Për 8 personat në hetim, për 5 prej tyre GJKKO ka firmosur më 17 nëntor masën e sigurisë arrest me burg, ndërsa për 3 detyrim me paraqitje. Deri tani nuk është ekzekutuar urdhërarresti për 2 prej tyre, konkretisht Viola Mema dhe Shyqyri Dema.

Grupi akuzohet për të paktën 4 raste të dokumentuara dhe të tjera janë nën verifikim.  Si prova materiale janë sekuestruar dokumente të ndryshme, teksa janë zbardhur edhe mesazhet e përgjuara. 

SPAK informon se është ekzekutuar urdhërarresti për 6 persona ndërsa 2 janë ende në kërkim. 

EMRAT ndaj të cilëve është vendosur urdhër arrest:
Arrest burg:
1-Gëzim Sylaj  - i arrestuar
2-Vasil Karasaliu - i arrestuar
3-Viola Mema - Në kërkim 
4-Behare Luzi - i arrestuar
5-Enxhi Çelaj - i arrestuar
Detyrim paraqitje:
1-Gazmend Panxha -urdherarresti u ekzekutua
2-Shyqyri Dema  - Në kërkim 
3-Sokol Sylaj  - urdherarresti u ekzekutua

Njoftimi i SPAK pë operacionin dhe dosjen:

"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar procedon penalisht 8 persona, të cilët premtonin dhënien e banesave sociale kundrejt shumave monetare, në qytetin e Durrësit.

Pesë prej tyre kishin ngritur një skemë përfitimi të paligjshme duke u prezantuar si punonjës me funksione drejtuese dhe vendimarrëse në dhënien e disa banesave sociale që ndodheshin në zonën e Spitallës, Durrës kundrejt përfitimit të shumës prej 15,000 euro (pesëmbëdhjetë mijë), e cila do të shërbente për bllokimin e banesës dhe dhënies së “kafeve” ndaj të tretëve. Ndërsa tre të tjerë si persona që kanë dhënë shumat monetare, me qëllim përfitimin e banesave sociale.

Personave Gëzim Sylaj, Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi, Enxhi Çelaj, Gazmend Panxha, Shyqyri Demadhe Sokol Sylaj, u atribuohen elementët e veprave penale të mëposhtme:

  • Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katër dhe 25 i Kodit Penal;
  • Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, 245/1 paragrafi i katër i Kodit Penal.
  • Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Kjo çështje është rregjistruar më 6 nëntor 2024, përbri procedimit penal nr.11, të vitit 2023, i cili nisi mbështetur mbi informacionin e prezantuar në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’ në televizionin Top Channel.

Skema e mashtrimit:

Skema është ngritur nga pesë personat në hetimGëzim Sylaj, Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi, Enxhi Çelajtë cilët, prezantoheshin si punonjës me funksione drejtuese në administratën shtetërore (drejtorë në Drejtorinë e Përgjithshme).

Personat e interesuar për banesa sociale, veç pagesës paraprake, do t’u dorëzonin të hetuarve dokumentacionin për procedurat standarde për përfitimin e banesës sociale. Më pas, personave të interesuar do t’u dërgohej një SMS konfirmimi nga ana e Bashkisë Durrës, periudhë kur sipas tyre do bëhej shpallja e fituesve ndërsa hyrja në banesë do të bëhej pas disa muajsh.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se; personat nën hetim, në bashkëpunim mes tyre, në 4 episode të ndryshëm kanë kërkuar dhe marrë përfitimin e parregullt të shumave monetare  që variojnë nga 5 000 (pesë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) euro dhe si persona me funksione publike kanë ushtruar ndikimin e tyre të paligjshëm, për të mundësuar përfitimin e një banese sociale në Durrës.

Të hetuarit u dërgonin subjekteve të interesuar një SMS, përmes numrit të tyre të telefonit celular:

“Pershendetje, Z./Znj…. Ju njoftojm se fazen e par te fitueses, per banes sociale..e keni kaluar me sukses .Do njoftoheni per cdo gje ne vazhdimesi-Me rrespekt nga bashkia-DURRES”.

Për këtë procedim penal, SPAK ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masave të sigurimit personal për 8(tetë) personat në hetim; ndaj 5 (pesë) prej tyre, masën e sigurimit personal “arrest në burg” sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, si persona që krijuan skemën e përfitimit të paligjshëm, ndërsa ndaj 3(tre) të tjerëve, masën “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale,  si persona që kanë dhënë shumat monetare me qëllim përfitimin e banesave sociale, të cilët nuk kanë depozituar kallëzim penal, dhe nuk kanë lidhur marrëveshje me policinë gjyqësore për veprimtarinë e paligjshme të dhënies së shumave monetare.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e saj Nr. 134 datë 17.11.2024 ka vendosur pranimin e kërkesave të prokurorisë, caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për 5(pesë) persona nën hetim dhe caktimin e 3(tre) masave të sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale.

Ky vendim është vënë në ekzekutim nga ana e Prokurorisë së Posaçme, duke angazhuar strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe më datë 19.11.2024, është bërë e mundur që të ekzekutohen masat e sigurimi personal për 6 (shtatë) nga personat nën hetim Gëzim Sylaj, Vasil Karasaliu,  Behare Luzi, Enxhi Çelaj, Gazmend Panxha, dhe Sokol Sylaj.

Deri në këto momente nuk është bërë e mundur ekzekutimi i masave të sigurimit personal të caktuar nga gjykata ndaj 2(dy) personave tjerë nën hetim Viola Mema, dhe Shyqyri Dematë cilët rezulton se prej disa kohësh janë larguar jashtë shtetit, të shpallur në kërkim.

Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga policia gjyqësore janë ekzekutuar 8 (tetë) vendimet e gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

  1. 2(dy) automjete BMË X6, dhe Volksëagen Passat.
  2. 7(shtatë) aparate telefonash celularë.
  3. 1(një) armë e dyshuar pistoletë sportive, me ngjyrë të zezë, me mbishkrim Col 9 mm A.K dhe “Bloë Magnum”, me krehër dhe 24 fishekë manovër.
  4. Dokumente të ndryshme. 

Hetimet rreth këtij procedimi penal vazhdojnë me administrimin e provave të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Prokuroria e Posaçme falenderon redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare”, në televizionin kombëtar “Top Channel” për bashkëpunimin e frytshëm dhe sensibilizimin e opinionit publik për këtë skeme të paligjshme dhe i fton qytetarët, gazetarët dhe median të denoncojnë në kohë reale në Prokurorinë e Posaçme, çdo veprim të paligjshëm apo akt korruptiv me të cilin mund të përballen.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shënime për gazetarët: 

  • Rregjistrimi i procedimit penal me nr.11 i vitit 2023, ‘pa autor’ është rregjistruar më 25.01.2023
  • Me aktin e datës 06.11.2024, “Urdhër për pasqyrimin e ndryshimeve në regjistrin e procedimeve penale, si dhe regjistrimin e emrave të personave që iu atribuohet vepra penale në këtë regjistër”, urdhërohet regjistrimi përbri procedimit penal nr.11 i vitit 2023.
  • Hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit si dhe Byron".

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?