Ministri i Drejtësisë, Uli Manja vlerësoi reformën në drejtësi, veçanërisht rolin e SPAK, në tryezën “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në Funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësinë dhe Mekanizmat e Llogaridhënies”. Ministri Manja tha se SPAK është një nga arritjet më të prekshme të reformës në drejtësi, një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale.
Por, ministri Manja u shpreh se pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Sipas tij, pavarësia duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetëreferencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit.
“Përgjegjësi për mua të marr pjesë në këtë diskutim të rëndësishëm, që prek një nga çështjet më themelore të reformës në drejtësi: balancën mes pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë penale, me fokus të veçantë në rolin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK.
Reforma në drejtësi, e mbështetur gjerësisht nga qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ka pasur si objektiv kryesor ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efektiv. SPAK është një nga arritjet më të prekshme të kësaj reforme – një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale.
Por, siç e thekson me të drejtë edhe Raporti që u prezantua sot, pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë-referencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit.
Në këtë kuadër, koordinimi ndërinstitucional merr një rëndësi të veçantë. Ministria e Drejtësisë, si pjesë themeltare e kësaj arkitekture ndërinstitucionale, ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit të balancuar të sistemit – për të siguruar që institucionet të kenë burimet, rregullimin dhe mbështetjen e nevojshme për të ushtruar mandatin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme.
Roli i ekzekutivit në raport me SPAK parashikon aspekte administrative, strategjike dhe mbështetëse, të cilat synojnë të garantojnë funksionimin efektiv të këtij institucioni por ndikuar apo cenuar pavarësinë e tij funksionale dhe vendimmarrëse. Ky rol shtrihet në fusha të tilla si garantimi i sigurisë fizike dhe personale të prokurorëve dhe ambienteve institucionale, planifikimi dhe mbështetja financiare, ofrimi i rekomandimeve strategjike për orientimin e politikës penale, si dhe ndërveprimi institucional përmes Ministrisë së Drejtësisë si një hallkë lidhëse me Këshillin e Ministrave”, tha Manja.
Në fund të fjalës së tij, Manja theksoi se sot më shumë se kurrë kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj.
“Në tërësi, roli i ekzekutivit ndaj SPAK është i konceptuar si një ndërveprim i kontrolluar institucional, që ndërton një mekanizëm mbështetës pa cënuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore të institucionit, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe garantuar zbatimin e politikave shtetërore në fushën e drejtësisë penale.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj. Kjo kërkon transparencë, standarde të qarta etike dhe profesionale, si dhe një kulturë të re institucionale që e sheh llogaridhënien jo si kërcënim, por si pjesë përbërëse të legjitimitetit të saj”, theksoi Manja.
Lajmi kryesor:
Gonzato: Të ndalet presioni ndaj drejtësisë! Dumani: Përpjekjet për të cenuar pavarësinë e SPAK, rrezikojnë kufijtë kushtetues! Manja: Llogaridhënie
SI.E./r.k./ReportTv.al