TIRANE- Vetëm pasi SPAK foli pasi përfundoi hetimet e plota dhe arriti në konkluzionmin se Olsi Rama nuk ka ansjë lidhje me dosjen Xibraka, kryeministri Rama reagoi për herë të parë, ku nuk i kurseu kundërshtarët e tij, ata që i cilësoi si fabrikuesit e kësaj shpifje politike, Gazment Bardhin dhe Sali Berishën.
Përmes një videomesazhi të gjatë drejtuar popullit, shpërndarë sot (12 janar 2025) në profilin e tij në facebook Rama tha se janë fabrikuar dhe përhapur në publik shpifje duke mos kursyer asnjë nga familjarët e tij.
“Katran i madh me diplomë mjeku që hyn në hak.. Gati çerek shekulli akuza, pa asnjë cerek prove.
Akuza e fundit e fabrikuar nga opozita është përfshirja e vëllait të tij, Olsi Rama në dosjen e laboratorit të kokainës, e njohur si dosja Xibraka, tha Rama. Duke iu referua përfundimeve të hetimeve dhe konkluzioneve të SPAK se nuk ka asnjë provë për përfshirjen e Olsi Ramës, Rama tha se vëllai i tij u përdor për ta sulmuar.
“Im vlla u përdor si mish për top për të më goditur mua në sy të opinionit publik’ tha Rama.
Rama paralajmëroi përballje ligjore në gjykatë me Gazment Bardhin, i cili 'jashtënxorri në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait të tij' Olsi Rama.
FJALIMI I PLOTE
Mesazh i Kryeministrit Edi Rama lidhur me zhvillimet e fundit të aktualitetit
Ky mesazh, është në radhë të parë një detyrim, ndaj të gjithë atyre që më kanë mbështetur tërë këto vite, duke më dhënë votën tyre, qoftë edhe njëherë qëkur jam në arenë, e mbi të gjitha ndaj familjes sime - atyre që kam pranë dhe atyre që s’janë më me ne, pa të cilët as do isha ky që jam, as do isha këtu ku jam.
Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare!
Vitin e shkuar, deputeti Gazmend Bardhi, jashtënxorri në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait tim, Olsi Rama.
E denoncoi, gjykoi dhe dënoi në publik si trafikant droge, duke krijuar rrethanat tipike të një kallzimi të rremë, përmes një sajese kriminale, mbi bazën e një dosjeje të vjetër të prokurorisë për një grup trafikantësh.
Në atë dosje u flitkërkesh edhe për një person të paidentifikuar, i cili nuk është gjetur nga prokuroria. Sipas këtij zotërisë, që vetëm zotëri nuk është, ky personi qenkërkesh im vëlla.
Madje, gjithnjë sipas tij, dy prokurorët e dosjes e paskeshin fshehur identitetin e tim vëllai, në këmbim të favoreve të marra prej meje, që i paskesha promovuar në karrierë që të dy, për këtë favor kriminal.
Nuk jam shpjeguar deri më sot.
Ndërkohë që ky palo djalë bashkë me tutorin e tij, nuk kanë lënë rast pa e rihedhur në publik këtë jashtënxjerrje të shpifur, kam bërë durim, shumë durim. S’kam dashur të flas unë me bindjet e mia, para se të flasë drejtësia me provat e veta.
Më në fund, pasi ka pyetur këdo ka parë të arsyeshme dhe ka hetuar gjithçka ka konsideruar të nevojshme, SPAK-u deklaroi se ka arritur në përfundimin që Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paindentifikuar të dosjes në fjalë dhe nuk ka asnjë provë apo fakt që të lidhë tim vëlla me aktivitetin kriminal.
Pra, me fakte e me prova, jo me hamendësime e me fabrikime, është katërcipërisht e qartë, se im vëlla u përdor si mish për top, për të më goditur dhe rrëzuar mua në sytë e opinionit publik.
Tani, kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua - s’ka se si të jetë as e fundit - nga një parti e ashtuquajtur demokratike, që është pengu historik i një katrani me bojë, i cili e ka kapur për fyti atë parti, qysh në lindje të saj dhe e ka përdorur si një zorrë private, për të jashtëderdhur në publik të gjitha nevojat e një lufte politike vulgare, pa asnjë respekt për të vërtetën, për njeriun, për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.
Unë nuk ve baste. Por jam gati të ve bast se nuk ka një akuzë të mundshme që të mos më ketë ardhur nga ajo zorrë në tërë këto vite.
Ja një bilanc shumë i shkurtër dhe ju vendoseni vetë nëse ka mbetur gjë akoma pa më akuzuar.
Më kanë bërë përdhosës të familjes time, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit, unë kam akuzuar gruan time se djalin tim e kishte me babain tim.
Jo, divorci im, qysh në fillim të viteve ‘90 s’ka pasur asnjë konflikt dhe asnjë pretendim të ndërsjellë. Përkundrazi, ka qenë tërësisht paqësor.
Ndërsa po, siç është provuar më pas, katrani i madh ka fabrikuar një dokument gjyqi dhe e ka publikuar asokohe, për ta mbështetur me një provë të rreme atë akuzë, që qoftë edhe thjesht për ta imagjinuar, duhet të jesh egërsirë, jo njeri; lëre pastaj të jesh udhëheqës i popullit.
Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë.
Po jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual dhe nuk kam pasur kurrë kuriozitet ta pyes si e bën Ai përzgjedhjen për prirjen seksuale të njerëzve!
Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të ndjesë pastë nënës time.
E shkreta nëna ime, Aneta, u sulmua nga foltorja e parlamentit, deri nga foltorja e parlamentit, ku katrani me bojë e akuzoi se po cënonte interesin publik, duke mos më denoncuar, ajo mua, si dhunues të sajin dhe duke i lënë kësisoj shqiptarët, të votonin qorrazi për një kriminel që dhunon edhe gra.
Nëna ime e ndjerë, u ndje aq e lënduar sa e çoi edhe në gjyq, katranin e madh.
Po e dini çfarë ndodhi?
Ai çoi avokatët për të bërë paqe, se “kështu e ka politika dhe se ai paskesh madje shumë respekt për të si mjeke”.
Dhe kur gruaja krenare, e dhunuar në dinjitetin e saj, nuk pranoi të tërhiqte padinë, doli edhe një gjykatëse katran, e cila me një vendim poshtërues, i vuri kapakun atij maskarallëku.
“I padituri ka ushtruar lirinë e tij politike!”
Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore. E kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën, si trakt të luftës pa din e as iman kundër meje, që vazhdon prej kaq e kaq vitesh.
Jo Jo, nuk kam pasur lavdi Zotit, asnjëherë probleme të shëndetit mendor. Por sigurisht që nuk ka pasur se si të mos akuzohesha edhe për këtë, nga një katran i madh, me diplomë mjeku, që u hyn në hak deri dhe të sëmurëve më fatkeqë e familjarëve të tyre, duke i përdorur si kategori negative, për llogari të luftës së tij përçudnuese politike.
Më kanë bërë me dyqind apartamente në Shqipëri dhe Europë, e me dyqind milionë dollarë dreqi e di ku.
Jo, nuk kam pasur dhe as kam dashur ndonjëherë të kem ndonjë apartament tjetër, përveç atij tek parafabrikatet qysh në kohë të komunizmit, dhe pastaj atyre ku kam jetuar me qira kur isha ministër kulture e kryetar bashkie. Ashtu i shihja gjërat kur isha më i ri, ende s’e kisha familjen që kam fatin të kem sot - doja të isha njeri i lirë nga çdo lidhje apo pronë e patundshme.
Pastaj, kur u bekuam nga Zoti me një fëmijë tjetër, e bëmë edhe ne një shtëpi tonën, në periferi të Tiranës, siç janë bërë qindra, mijëra familje të tjera shqiptare në tre dekadat e fundit.
Më kanë bërë me saraje dhe ç’nuk kanë fantazuar, thënë e shkruar, për si është ndërtuar, e me çfarë lekësh është ndërtuar shtëpia jonë.
Jo, ajo shtëpi nuk ka lidhje as me sarajet, as me favore ndërtuesish apo lekë me burim tjetër, përveç të ardhurave nga puna e të dyve ne, burrë e grua.
Gati çerek shekulli akuza pa asnjë çerek prove, ku më kanë bërë si veten; politikan që marr pjesën nga firmat që hedh, duke futur duart në buxhetin e shtetit dhe në xhepat e sipërmarrësve që ndërtojnë kulla apo partneritete me qeverinë.
Jo, kush më njeh e di që paraja s’ka qenë asnjëherë një tundim i madh për mua.
Jam rritur nga prindër, që u ndrittë shpirti aty ku janë, më kanë mësuar se leku është thjesht haku i punës së ndershme dhe nga një gjyshe besimtare, e cila më ka mësuar se njeriu nuk vjen në jetë për të bërë lekë, po për të mos vdekur pa bërë punët për të cilat Zoti e ka sjellë në jetë.
Le ta gjejnë, të gjithë katranët që më ulin e më ngrenë përditë, nëpër foltore, ekrane e portale, në hanin e parlamentit apo në pijetoret televizive, si pasanik të korruptuar dhe politikan të pasuruar nga politika, një kokërr leku, një dëshmitar apo një metër katror të vetëm jashtë kufijve të deklarimit zyrtar të pasurisë; një fakt të vetëm që të provojë se unë nuk jam ky që jam, po jam ai që ata thonë. Pastaj kollaj fare, iki vetë unë, s’ka nevojë të flasin me vete rrugëve, “Rama ik, rama ik”.
Nuk e kanë gjetur dhe s’kanë për ta gjetur dot, atë fakt fajësues në raportin tim me materien, qoftë para, qoftë tulla e llaç. Se nuk ka. Por nuk kam ç’u bëj fare, që edhe pse s’e kanë një fakt a provë të vetme, m’i hedhin mua në kurriz, jo vetëm të gjitha ç’kanë bërë vetë apo ç’do bënin vetë po të kishin pushtetin tim, po edhe ç’ka bërë e ç’nuk ka bërë kushdoqoftë që ka punuar me mua, nga afër apo nga larg, e që kanë hyrë në daç në shënjestrën e institucioneve të reja të drejtësisë, në daç në gojën e shthurrur të prokurorëve e gjykatësve mediatikë apo në raste të caktuara edhe të të dyja palëve bashkë.
Më kanë bërë përdorues droge.
Jo, nuk jam përdorues droge ose më saktë, nuk kam përdorur ndonjëherë droga të paligjshme. Më kanë dalë e vazhdojnë të më teprojnë dy droga çudibërëse për mua:
Arti, i pandashëm nga unë, qysh nga fëmijëria. Dhe lufta politike, e pandashme prej meje, qyshse e ndava mendjen t’ia kushtoja këtë pjesë të jetës sime, ndryshimit të Tiranës, e më pas të Shqipërisë.
Më kanë bërë kriminel. Jo, nuk kam kryer kurrë një krim dhe nuk i kam duart të ndotura, as me gjak, as me drogë, as me para të pista, e as me rrahje e kërcënime kundërshtarësh në politikë a në media.
Më kanë bërë bashkëpunëtor të krimit.
Jo, bashkëpunëtorët i kam zgjedhur gjithnjë vetë, ndërsa mua askush nuk më ka zgjedhur dhe nuk më zgjedh dot si bashkëpunëtor.
Po, ka ndodhur në të kaluarën që përfaqësues të Partisë Socialiste, në kuvend dhe në pushtetin vendor, të dalin të lidhur me vepra penale jashtë vendit në të kaluarën e tyre, dhe janë dëbuar nga politika, si rrjedhojë e ligjit të dekriminalizimit; një ligj që e kam votuar edhe unë me vullnet të lirë, pa më detyruar askush.
Sepse mirë a keq, nuk ka njeri apo forcë në këtë botë, të më detyrojë dot mua të bëj një gjë që nuk dua ta bëj.
Ka ndodhur edhe që bashkëpunëtorë të mitë, ministra, deputetë, kryetarë bashkie, deri zëvendës kryeministri, të jenë kapur nga rrjeta e SPAK-ut.
Por, SPAK-u dhe e gjithë Reforma në Drejtësi janë në radhë të parë, frytet e një vizioni strategjik dhe vullneti të hekurt politik, që afërmendsh pa Partinë Socialiste dhe pa mua në krye të saj, as do të kishin ardhur fare në jetë.
Kurrë, kurrë, kurrë dot, nëse nuk do të isha unë i pari, qysh përpara se ne të vinim në qeveri, që e kisha ndarë mendjen t’i hyja atij deti në këmbë, bashkë me skuadrën udhëheqëse të Partisë Socialiste, asokohe në opozitë me një pushtet të mosozotshëm në çdo drejtim.
Dhe kjo nuk është historia sipas meje, sot që disa sukseseve të drejtësisë së re u kanë dalë baballarët jashtë shtetit, po një histori e nisur vite përpara fitores sonë në zgjedhjet politike të vitit 2013 dhe një histori e dokumentuar, në letra, propozime, proces-verbale, plane e programe të Partisë Socialiste.
Përrallën me amerikanë dhe europianë, që e sollën drejtësinë e re megjithë SPAK-un, me aeroplan ose vapor nga matanë oqeanit apo detit Adriatik, mund ta tregojë kush të dojë, kujt të dojë, sa herë të dojë. Po mua jo. Jo mua, sepse unë jam dëshmitari numër 1.
Më kanë bërë vjedhës e blerës votash dhe gati 800 mijë vota shqiptarësh që votojnë për mua dhe Partinë Socialiste, i kanë bërë vota të krimit.
Jo, krimi nuk vendos asgjë më në këtë Shqipëri që qeveriset nga Partia Socialiste. Në këtë Shqipëri vetëm populli e askush tjetër vendos, qoftë kush e udhëheq karvanin dhe qoftë kush i leh karvanit.
As nuk e diskutoj që janë blerë vota, këtu e atje, në zgjedhjet e këtyre tre dekadave e kusur në Shqipëri.
As nuk e diskutoj që janë përzier, këtu e atje, në zgjedhjet e këtyre tridhjetë e kusur vjetëve, elementë të botës së krimit.
Por as nuk e diskutoj po ashtu, more hiç fare, që në asnjë palë zgjedhje, politike, lokale, të pjesshme apo të përgjithshme në Shqipëri, minimalisht qysh prej atyre të vitit 2013, leku ose elementët kriminalë, nuk kanë vendosur asgje, për kush ikën e kush vjen në qeveri apo në bashki.
Kjo është shumë e thjeshtë, sepse s’ka as logjikë të padeformuar nga urrejtja politike dhe as aritmetikë të pa përmbysur nga mendjelehtësia mediatike, që i mban dot në këmbë teoritë idiotike të komploteve të mëdha elektorale me para e me kriminelë.
Kush ka marrë pjesë në zgjedhje apo ka studiuar sadopak zgjedhjet në Shqipëri, e di fare mirë, se nëse nxirren jashtë ekuacionit organet ligjzbatuese, Policia e Shtetit, SHIK-u e Shishi, KQZ-ja apo Kolegji Zgjedhor dhe manipulimet ordinere të komisionerëve në qendrat zgjedhore, siç faktikisht kanë qenë qartësisht jashtë ekuacionit, në të gjitha zgjedhjet, qysh prej atyre të rotacionit të 2013-ës, nuk ka lek, element kriminal dhe maskarallëk politik, që e përmbys dot vullnetin e popullit – mendojeni fjala vjen sa e pamundur do të ishte, sot, por jo vetem sot që pas 2013-ës që të parafytyrohej qoftë edhe në bashkinë më të vogël e më të largët të vendit, maskarallëku i 2011-ës ketu në mes të Tiranës!
Nuk i rreshtova të tëra sa dëgjuat, as për t’u ankuar se më kanë rënë shumë dhe për shumë gjatë në qafë, me akuzat më ekstreme, as për t’u shitur këtu si ëngjëll.
Engjëll nuk jam, jo vetëm sepse parajsa e librave të shenjtë nuk është e kësaj bote, po edhe sepse në jetën time, tanimë jo të shkurtër, ka edhe jo pak momente e ndodhira për të cilat unë nuk jam krenar.
Por ama, nuk hyjnë ndër to, as krimet apo lidhjet me krimin, as përfitimet e paligjshme apo pasuritë e padeklaruara, as shpifjet apo fabrikimet për kundërshtarët politikë, e asnjë poshtërsi a prapësi tjetër nga ushtrimi abuziv i fuqisë së pushtetit.
Dhe tani, lejomëni t’ju pyes:
Më keni dëgjuar të merrem ndonjëherë me fëmijët, me gruan a me ndonjë të afërm tjetër të atij katranit me bojë, të cilin ky Gazmendi që u bë sebep për këtë rrëfim të gjatë sot, e ka akuzuar publikisht, duke e quajtur për arsye botërisht të kuptueshme “babi i Zenit”(?) - ishte ajo koha kur katrani i madh kishte humbur Lulin dhe vulën, ndërsa katrani me lule kishte gjetur Gazin dhe bravën.
Nuk besoj s’e më keni dëgjuar.
Po a keni dëgjuar nga goja ime që ta ngre hajdut që në sabah, e ta ul kriminel deri në aksham këtë “babin e Zenit”, apo këdoqoftë tjetër nga kundërshtarët e mi politikë, siç ka bërë ky “babi” i tërë katranëve të tij të vegjël me mua dhe me të gjithë kundërshtarët e vet - pa na lënë të vdekur e të gjallë të librit të shtëpisë pa bërë pis, me jashtëderdhjet e asaj zorres shtëpiake që e quajnë akoma parti demokratike.
Nuk besoj s’e keni dëgjuar.
Natyrisht, nuk ua kam kursyer kur është dashur shpatën e shqipes sime, as atij “babit” që na mbeti peshqesh nga jetimorja e servilave më të neveritshëm të Partisë së Enver Hoxhës, as “çunave e gocave të Partisë Demokratike” që na i bëri peshqesh përdhunimi qysh në lindje i asaj partie nga “babi” dora vetë.
Por ama, jam përpjekur gjithnjë të mos bëhem një më shumë ndër lehaqeniet që shajnë, shpifin e gënjejnë se “kështu e paska politika”.
Partia jonë, forca popullore e shqiptarëve, ka mëkatet e veta padiskutim të tridhjetë e kusur viteve nga ardhja në jetë. Por nuk e ka mbi kurriz mëkatin e nxjerrjes së gjuhës jashtë, si thikë për të gërryer varret e familjes, për therur shpirtin e familjarëve të kundërshtarëve të vet dhe për gërmuar hendekun e urrejtjes, dasisë e helmit mes shqiptarëve.
Sa për veten, e kam ndarë mendjen prej vitesh tanimë, që gjithë ç’kanë thënë e do të thonë për mua, me të keq e me zero prova, janë një çmim, për t’iu paguar privilegjit të paçmueshëm të besimit për të drejtuar dje Tiranën, e sot gjithë Shqipërinë, dhe për të bërë histori, histori me fuqinë e votës së popullit.
E vetmja dhimbje e fortë është, se kushedi sesa herë në tërë këto vite që unë jam në arenën e baltës politike, familjarët e mi, nëna ime e ndjerë, babai im i ndarë nga kjo botë pa më parë një ditë të vetme në politikë, ime shoqe, prindërit e saj, fëmijët tanë, po edhe të tjerë në rrethin tonë familjar, i kanë paguar deri këtu një çmim shumë të lartë, tërësisht të pamerituar, zgjedhjes sime për t’u marrë me politikë dhe qëndrimit tim në krye të bashkisë, partisë e qeverisë.
Im vëlla është në punën e tij, pa asnjë lidhje me punën time. Kurrë, asnjëherë, i përfshirë në ndonjë angazhim tjetër në kohën e qeverisjes sime, përveç drejtimit të klubit të futbollit “Partizani”.
Madje u bënë s’di sa vjet, që ai klub kërkon të marrë nga ministria e mbrojtjes disa karakatina, ngjitur me stadiumin e ri që pronari i klubit ka ndërtuar me fondet e veta.
Për vite nuk kanë arritur ta marrin edhe pse duhet ta kishin marrë me kohë sipas meje, sepse kurrë, asnjëherë, vëllai im as nuk ka kërkuar, as nuk ka marrë prej influencës sime asnjë lloj favori, ndërsa unë vetë e kam marrë vesh këtë shumë më vonë, një kërkesë tejet legjitime.
Ironia e fatit në këtë rast, e do ama, që fjala “Klubi Partizani”, të jetë sot edhe një pasqyrë e qartë e dy botëve që më ndajnë qysh nga dita një, mua me kundërshtarët e mi, ku mund të shihet si drita e diellit dallimi i botëkuptimeve për shtetin, pushtetin dhe zyrën, ku unë jam thjesht roja i radhës, ndërsa pronari është populli shqiptar që m’i ka dhënë çelësat e saj në mirëbesimin më të madh.
Nuk ka kërkuar dhe marrë asnjë favor kurrë, për asgjë, nga qeveria ose shteti, as ime shoqe, e cila është bërë tabelë më vete e qitjes kriminale të soj-soj sajesave të katranit të madh dhe katranëve të tij të vegjël, ndërkohë që të vetmen lidhje pune me shtetin e ka pasur kur drejtonte një agjenci shtetërore, bash në kohën e qeverisë së parë të Partisë Demokratike në vitet ’90. Më tej, prej vitit 1998, ka punuar me zyrën e saj të konsulencës, vetëm për organizatat ndërkombëtare.Gjithnjë larg shtetit e zyrave të shtetit dhe shumë larg çdo konflikti interesi apo përfshirjeje në çfarëdo aktiviteti financiar, jashtë zyrës dhe profesionit të saj, po prapëseprapë e tërhequr herë pas here, me pahirin e dhunës politike, në kanalet e katranëve të llumit mediatik.
Kurrë, asnjëherë, nuk ka marrë asnjë mbështetje të asnjë forme nga shteti, as vajza jonë po ashtu, e cila ka jetën e saj, familjen e punën e saj, si dizajner. Por edhe ajo e ka gjetur veten në ato kanale, me akuza e me shpifje të neveritshme.
11 gjyqe i kam fituar vetëm unë deri tani me katranin e madh dhe katranët e vegjël të “babit”.
7 të tjera janë në radhë, përfshirë edhe gjyqi më i freskët me Gazmend Bardhin për këtë poshtërsinë e radhës, ku ky klloun i dalluar i cirkut politik të sharjeshpifjeve, do të duhet të provojë para gjykatësve se si ja kam fshehur unë drejtësisë tim vëlla dhe si kam promovuar pastaj në karrierë dy prokurorët që kanë bashkëpunuar me mua në këtë krim.
Por tani që u krye hetimi i plotë dhe doli cullak krijimi i rrethanave të kallzimit të rremë, avokatët do të punojnë edhe në rrafshin e kësaj vepre penale për një proces gjyqësor siç e meriton autori i Babales së Dytë.
Po e dini çfarë bëjnë këta kur i thërret në gjyq, se si sillen në gjyq këto gjallesa të kota sa zhurma e tyre?
Sëmuren, çojnë raporte, gënjejnë sikur janë jashtë shtetit apo sikur janë në zonën elektorale, nuk i çojnë avokatët që të shtyhet sa më larg dita e gjykimit, çojnë mesazhe pajtimi, “se kështu e ka politika”, me shpresën e rraskapitur se do të plasë më në fund revolucioni i syve të tyre të verbër dhe deti i jashtënxjerrjeve të tyre do të bëhet kos delesh qëndrestare…
E pastaj, në fund fare, kur pilafi s’mban më ujë e përmbytet, ngrihen përpara gjykatësit, të njomur ndënë vete, por kryet lart mbi supe dhe duke parë nga tavani thonë “kështu më tha partia, kështu thashë edhe unë, se i besova partisë”.
E di mirë që nuk janë një e dy, po janë më shumë njerëzit e zakonshëm, të cilëve fatkeqësisht u ka ngjitur në tru e gjithë ajo llucë e ndyrë dhe që edhe tani që degjojnë nuk besojnë asgjë nga këto që po them.
Nuk e fsheh, më vjen keq, po nuk më dhemb më fare si dikur. Ky është një fakt i kësaj kohe në histori, me të cilin mund të luftosh mbase dhe fitosh pjesërisht, po e kam kuptuar që nuk fiton dot plotësisht përveçse kur të kesh dalë nga arena.
Kjo është një kohë kur shqiptarëve, politika e katranosur nga e keqja që e përndjek këtë vend, qyshse etërit e pavarësisë vendosën të bëjnë Shqipërinë e pavarur, u përzie me lumenjtë e ujërave të zeza të rrjeteve sociale dhe u bë djalli vetë, duke na e kthyer përmbys parimin themelor të civilizimit europian, që nga Roma e Vjetër tek Kanuni i Lekës, e deri tek Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë:
Parimi është: Barrën e provës e ka kush akuzon, jo kush akuzohet.
Po këtu eshte kthyer përmbys dhe ky kthim përmbys si me dorën e shejtanit i vetë shtratit të bashkëjetesës demokratike, normal që pastaj ua ka bërë jetën publike shqiptarëve një pazar shurdhues, duke ju shembur përtokë traditën e rrënjosur në komb, në familje e në çdo fe, sipas të ciles shpifësi është edhe më i keq edhe më i dënueshëm se vrasësi.
Sepse vrasësi shpeshherë është dikush që humbet mendjen dhe i erren sytë në një moment fatal gjaknxehtësie, ndërsa shpifësi është gjithnjë një kriminel, i cili mendon me gjakftohtësi si ta vrasë tjetrin për së gjalli në sy të gjithë dynjasë.
Por të jem i qartë, unë nuk jam këtu për të më besuar ata që nuk duan prova për shpifjet që duan të besojnë.
Nuk jam këtu as si zëdhënës i tim vëllai që është burrë 55 vjeç dhe mund të kishte qëlluar dhe i mbrapshtë, si psh vëllai i një Presidenti amerikan që pat rënë në burg, por askush nuk i kërkoi ndonjëherë llogari njeriut në Shtëpinë e Bardhë. Gjithësesi lavdi Zotit dhe prindërve tanë, ka qëlluar i mbarë, e as ka nevojë për mbrojtjen time, as e di fare madje që unë po flas sot dhe po e përmend këtu.
Por, për një arsye shumë më të madhe sesa e vërteta e tim vëllai, unë e mora prej rastit të tij, shkakun, për të dalë këtu, për t’i thënë siç nuk i kam thënë asnjëherë të gjitha këto bashkë, kur kemi hyrë tanimë në periudhën e një vendimmarrjeje madhore për Shqipërinë.
Parafytyrojeni për një çast sikur sa herë të dilni nga shtëpia disa njerëz në lagjen tuaj t’ju akuzojnë, duke bërtitur, për gjëra që jo nuk i keni bërë, po as nuk i keni çuar ndërmend.
Imagjinojeni sikur ata njerëz të mbledhin të tjerë poshtë shtëpisë suaj e t'ju akuzojnë dhe shajnë deri dhe me libër shtëpie, duke mos kursyer asnjë nga familjarët tuaj.
Mendojeni sikur të gjitha argumentat tuaj të mos vlejnë për asgjë në veshët e atyre njerëzve dhe ata vetëm të zemërohen e të bërtasin edhe më shumë.
Çfarë mund të bëni, sikur e tërë lagja të fillojë të dyshojë se ju në mos të tëra, ato që ju akuzojnë, i keni bërë disa dreqi e mori, se ku ka zë nuk është pa gjë!
E di që do të më thoni ju, se nuk merreni me politikë dhe nuk jeni as kryeministra e as ministra, kështu që s’kam pse ua kërkoj këtë, për më tepër kur “kështu e paska politika” dhe aq më tepër kur po dakord jam edhe unë, ku ka zë nuk është pa gjë!
Por unë, nuk po ju kërkoj të solidarizoheni me taksiratin tim e të familjes time, sepse jua thashë, ky është një çmim që unë dhe familja ime e kemi marrë përsipër, për hir të një misioni që është shumë më i madh për t’u braktisur nën presionin e një furie sado çmendurake kundërshtarësh në politikë e në media.
Unë ju kërkoj sot, si njerëz, si familjarë, si prindër, si shqiptarë, pavarësisht ideve e bindjeve tuaja politike, pavarësisht pëlqimit a mospëlqimit për mua si kryeministër, të kuptoni se jo, politika nuk e ka medoemos kështu.
Dhe po, dakord jam dhe une, ku ka zë nuk është pa gjë, dhe e dini cila eshte gjëja këtu, gjeja këtu është forca e asaj të keqes që thashë më parë, që e kam thënë shpesh, e cila duke helmuar përditë mjedisin publik, duke baltosur përditë, këdo e çdo gjë, pa e kursyer kurrë as vetë Shqipërinë në gjuhë të huaj, duke synuar përditë rrëmujën e zhurmshme që mërzit, neverit, jo vetëm largon njerëzit nga politika apo deri dhe nga Shqipëria, por mbi të gjitha gërryen, helmon, cfilit përditë organizmin e shoqërisë sonë dhe u jep fëmijëve tanë, modelin më të tmerrshëm për se si luftohet në jetë për të arritur atë që do…
Nëse ju do të më kuptoni për këtë, atëherë do të më kuptoni edhe kur ju them se jam dakord me ju, TikToku është një burim serioz rreziku për sigurinë e vendit e të fëmijëve tanë, por ende më i rrezikshëm se llumi i prurjeve të TikTokut në ekranet e celularëve, është llumi i politikës së shpifjeve e të gënjeshtrave, i akuzave, sharjeve e sherreve politike e mediatike, që nuk u lënë gjë mangut grindjeve të rrugaçëve të lagjes, ku më të vegjëlit e më të rinjtë e kësaj shoqërie, janë edhe hallka më kollaj e prekshme nga kultura e ulët që fut në dejet e njerëzve ai llumë.
TikTokut do t’ia mbyllë derën e Shqipërisë për të paktën një vit qeveria, ndërsa këtij llumi duhet t’ia mbyllni dyert të gjithë ju, duke nisur nga dera e parlamentit të ardhshëm.
Këta shpifarakë e lafarakë nuk janë alternativa politike të shekullit XXI.
Këta janë shembëlltyra e gjallë e asaj të ligës që e ndjek shtetin shqiptar nga dita e krijimit të tij, në vitin 1912, e asaj të ligës që nuk la dy gurë bashkë për ta penguar ndërtimin e një shteti të shqiptarëve, për ta penguar ardhjen e demokracisë në këtë vend e më pas zhvillimin demokratik të Shqipërisë.
Të kuptohemi, unë dhe ne, socialistët në qeveri kemi kusuret tona, more qoftë edhe thjesht sepse siç thotë populli, po të flesh me qenin gdhihesh me pleshta - dhe boll të bashkëjetosh nën çatinë e kuvendit me atë lloj aradheje që një në tre fjalë e kanë sharje, e një në shtatë e ka shpifje, që fjala e popullit të gjej ilustrim besnik.
Por ju, qytetarët e këtij vendi, prindërit e këtij vendi, gjyshet e gjyshërit e këtij vendi, duhet me patjetër të mos i merrni lehtë e jo më t’i falni autorët e poshtërsirave kaq të neveritshme dhe të rrezikshme njëkohësisht, si kjo që më nxiti të dal sot para jush; të mos e merrni llumin e kësaj të keqeje të madhe, si një fatkeqësi natyrore që nuk shmanget dot; të mos i lini fëmijët që nuk votojnë akoma në mëshirën e këtyre modeleve të shpifura të bashkëjetes shoqërore dhe as të mos i harroni, as të mos i toleroni ata që e mishërojnë këtë model, qofshin katranë të mëdhenj e të vjetër, e qofshin ca të ashtuquajtur të rinj e të vegjël, kur të vijë në pranverë, dita e gjykimit tuaj për të gjithë individët e forcat politike, që do t’ju kërkojmë votën për të qeverisur Shqipërinë në katër vitet e ardhshme.
Unë kam ndaj jush një borxh që e njoh dhe që nuk lahet kurrë.
Por duhet ta dini se, as ju kam tradhëtuar e as do t’ju tradhëtoj kurrë në këtë mision dhe për sa kohë do të më mbani si udhëheqësin tuaj, unë do të jem i juaji, në ditë të mirë e në ditë keqe, siç jam përpjekur me mish e me shpirt ta tregoj gjatë gjith këtyre viteve, me të gjithë fuqinë e mendjes dhe të zemrës time.
Më shumë se kaq nuk di të ç’të them sot dhe më shumë se ç’thashë nuk di ç’të bëj, lidhur me çka sot më nxorri përpara jush bashkë me zemrën time plotësisht të hapur.
Faleminderit! Edhe njëherë, qoftë ky vit më i mirë i Shqipërisë dhe i të gjitha familjeve tuaja deri më sot.
Zoti te bekofte per zotesine qe ke Edi Rama je nga me te miret qe ke drejtuar Shqiperine e qe I ke rezistuar asaj fare te tmershme te te berit politike te S Berishes Ai ka kultivuar shpifjen , hakmarrjen, ofendimin,genjeshtren,konspiracionin…….e nje mine e nje te tjera te keqia duke i ngulur kthetrat Shqiperise e e terheq zvarre , duke nxjerre vetem helm e percarje Pa nderhyre ne punen e historianeve , ai eshte nje njolle e zeze ne historine e vendit ,qe Amerika e damkosi non grata, por as ne historikun e Vicitolit nuk meriton asgje Ai eshte kryefallxhorja qe ato programe televizive Jane katandisur si pazare qe vetem gumzhihet, secili me i mencur……Z Rama vazhdo punen sic di Ti , ke shume per te bere , por tani drejtesia e re eshte ne krahun e popullit jo te shejtanit e te denoje te keqen Urime e ne mandatin e katert Shqiperia ne BE
PërgjigjuJe plotesisht ne te drejten tende z.Rama t' ju pergjigjesh shpifjeve te ndyra te shpifesirave si Bardhi me Saliun! Bravo!
Përgjigjumos e rruj fare 5 gra ti 5 gra une vetem zjarrr
PërgjigjuU rinjgjall Mandela!?hahaaha!!!!Ky PsykoKryeminister i AlbaColumbiStanit i duket vetja si Nelson Mandela????? Ik ore kryekriminel dhe diktator se e ke bere Shqiperin si Kolumbi!Ke mbi 20 vjet qe po qeveris(Tirane+Qeveri) dhe po qane si qene i rrahur se je i persekutuar???Bravo,se ti ha buke 'mielli' te paster dhe per popullin bageti te zgjebosur i ke mbushur malet me bare.....hahahaha
Përgjigju