Kronikë

SPAK çoi dosjen për gjykim, GJKKO zhvillon më 29 shtator seancën paraprake për dosjen Veliaj

16 Shtator, 10:49| Përditesimi: 16 Shtator, 12:59

  • Share

Pasi SPAK dërgoi më 10 shtator dosjen për gjykim, gjyqtarja e GJKKO-së Etleva Deda ka caktuar datën 29 shtator për të zhvilluar seancën paraprake për Erion Veliajn, bashkëshorten Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë. Seanca nis në orën 12:00, ku do të vendoset nëse dosja do të kalojë për gjykim apo jo. 

Veliaj do të përballet me 5 vepra penale në gjykatë, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli. Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, në raport me disa kompani. Sipas SPAK, ai ka marrë përfitime të parregullta në para dhe pasuri të paluajtshme, ndërsa kompanitë kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga bashkia. 

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitiprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, ndaj Xoxës rëndojnë akuzat për pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe fshehje e të ardhurave.

Krahas Veliajt dhe Xoxës, të pandehur janë marrë 28 persona dhe shoqëri. Mes tyre edhe ish deputetja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. I pandehur është edhe Fatjon Baci, gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Veliajt gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.

Më 11 shtator, Veliaj bëri rekurs në Gjykatën e Lartë për masë më të butë sigurie. Kjo është hera e dytë që Erjon Veliaj bën rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës shtrënguese “arrest në burg”.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?