Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë kopsit dosjen dhe dërgon për gjykim Muhamet Manollarin, djalin e një anëtari të ISIS. Ai akuzohet për ‘Financimi i terrorizmit’ pasi i dërgote para babait në Siri i cili besohet se ka vdekur në 2019.
Episodi për të cilin SPAK i referohet ka ndodhur në 2018
Në datën 19.11.2018, i pandehuri Muhamet Manollari, ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” shumën prej 864 (tetëqind e gjashtëdhjetë e katër) Euro, në favor të shtetasit sirian me iniciale A.A.S, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri, dhe ka qenë pjesëmarrës i organizatës terroriste “ISIS” (besohet të ketë vdekur në vitin 2019). Për të dërguar këtë shumë parash, i pandehuri Muhamet Manollari, nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë shtetasit Mehdi Manollari (pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta), por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S.
Hetimet ndaj tij kanë nisur në 2021. Nga aktet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Muhamet Manollari është djali i shtetasit Mehdi Manollari. Ky i fundit, në datën 05.05.2013 është larguar nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Mehdi Manollari është listuar sipas VKM-së nr.769, datë 02.11.2016 edhe në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.