Erion Veliaj, në momentin e arrestimit

Kronikë

SPAK dërgoi dosjen për gjykim, avokatët e Veliajt: Asnjë provë në dosje që kryebashkiaku të ketë abuzuar me detyrën

10 Shtator, 19:14| Përditesimi: 10 Shtator, 20:05

  • Share

1757524662_ArrestimiiErionVeliajt.jpg

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, kanë reaguar pasi SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj tij. Avokatët e Veliajt thonë se kryebashkiaku vijon t’i mohojë të gjitha akuzat.

Sipas avokatëve, nuk provohet asnjë lidhje e detyrës si kryebashkiak me privilegjet ndaj kompanive. Po kështu, sipas avokatëve, në dosjen e dërguar për gjykim nuk provohet asnjë abuzim me detyrën.

Avokatët e kryebashkiakut Veliaj thonë se do të jetë gjykata gjatë shqyrtimit paraprak të dosjes që do ta vlerësojë akuzat e ngritura ndaj tij.

Sipas tyre, qëndrimi i Erion Veliajt në qelinë e paraburgimit është tërësisht jo proporcional dhe masë sigurie e jashtëzakonshme, duke i penguar atij ushtrimin e detyrës si kryetar i Bashkisë më të madhe në vend.

Përmes avokatëve të tij, Veliaj flet mbi një proces hetimor me shkelje të rënda dhe të përsëritura, ndërsa dëshmitë u dhanë nën presion.

Avokatët shprehen se e gjitha dosja hetimore ndaj Veliajt, e kaluar për gjykim, do të çmontohet në gjykatë nga të gjitha akuzat.

Deklaratë për shtyp e avokatëve të z. Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vazhdon t’i mohojë kategorikisht të gjitha akuzat për shkelje, ashtu siç ka bërë që prej fillimit të hetimit, dy vite më parë.

Në asnjë faqe të kërkesës për gjykim nuk provohet:

•          asnjë lidhje midis veprimtarisë së tij si Kryetar i Bashkisë dhe ndonjë privilegj të paligjshëm për ndonjë subjekt privat;

•          asnjë abuzim me detyrën publike që i është besuar për tre mandate nga qytetarët e Tiranës;

•          dhe mbi të gjitha:

❌ Asnjë provë

❌ Asnjë fakt

❌ Asnjë dokument

Përkundër përshtypjeve që synon të krijojë deklarata e SPAK-ut, asnjë gjyqtar paraprak apo gjykatë nuk ka shqyrtuar ende ndonjë nga akuzat apo ndonjë provë në mbështetje të tyre.

Ne jemi të shqetësuar nga shpërfillja e normave bazë që udhëheqin zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjeve të ngjashme penale në një sistem drejtësie demokratik. Asnjë hetues apo prokuror i pjekur dhe i përgjegjshëm, që është i ndërgjegjshëm për rolin e tij në procesin e drejtësisë, nuk duhet të bëjë deklarata të kësaj natyre. Kjo nuk është vetëm në kundërshtim të plotë me prezumimin e pafajësisë, por në rastin më të mirë tregon një keqkuptim themelor, ose në rastin më të keq, një shpërfillje totale të parimeve themelore të drejtësisë penale.

Thënë thjesht, nëse një prokuror e ka “provuar” një çështje kundër një të pandehuri sipas standardit të kërkuar, është një çështje që i takon vetëm gjykatës së shqyrtimit. Deklarata publike e SPAK-ut duket se është hartuar për të shkaktuar paragjykimin maksimal ndaj z. Veliaj, si në opinionin publik, ashtu edhe në çdo gjykatë. Kjo sjellje është në përputhje me veprimet e SPAK-ut gjatë gjithë hetimit, ku kanë ndodhur shkelje të përsëritura, sistematike dhe të rënda të procesit të rregullt ligjor.

Ky është një proces që:

•          ka nisur mbi një kallëzim anonim dhe të falsifikuar;

•          është zhvilluar për një periudhë prej të paktën 7 muaj, pa asnjë autorizim të vlefshëm ligjor;

•          është mbështetur në hapje të korespondecave private pa autorizim të gjykatës dhe parashikim të ligjit;

•          ka përfshirë deklarime vetëinkriminuese të marra nën presion;

•          është drejtuar nga një individ që nuk ka qenë asnjëherë prokuror ligjërisht i Republikës;

•          ka shkelur në mënyrë flagrante afatet hetimore të përcaktuara nga ligji;

•          ka mohuar brutalisht të drejtën e mbrojtjes dhe kundërshtimeve ndaj hetimit.

Z. Veliaj i është caktuar një masë sigurimi e jashtëzakonshme dhe krejtësisht disproporcionale, në një kohë kur është në ushtrim të një mandati kushtetues si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë, me mbështetjen e 160 mijë qytetarëve që i besuan drejtimin e qytetit më të madh shqipfolës.

Ne si përfaqësues ligjorë të z. Veliaj mbetemi të vendosur të çmontojmë, rresht pas rreshti, çdo pretendim të ngritur mbi këtë proces të montuar me shkelje. Jo vetëm për të mbrojtur qytetarin e parë të Tiranës, që ka ushtruar funksionin e tij me përgjegjësi kushtetuese dhe devocion, por për të mbrojtur vetë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe rendi kushtetues.

Çdo rresht i asaj kërkese të nisur në gjykatë, do të çmontohet po aty dhe bazuar në ligj.

 

/Lajmi në përditësim...


Lajmi kryesor:

SPAK dërgon për gjykim Erjon Veliajn dhe Ajola Xoxën! 13 akuza ndaj kryebashkiakut, nga të cilat 9 raste korrupsioni! 28 persona e shoqëri të pandehur! Avokatët: S'provohet asgjë


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?